Ndërlidhjet

Incidente në veri, policia shton patrullimet


Policia e Kosovës ka shtuar patrullimet në pjesën veriore të Kosovës ku vazhdojnë të mbretërojnë tensionet ndër-etnike në mesin e popullatës së përzier.

Të hënën mbrëma, policia dhe misioni i NATO-s në vend regjistruan një shpërthim që thuhet se ka ndodhur përtej liqenit të Gazivodës - në Serbi, ndërsa të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se çështjen e shpërthimit është duke e analizuar KFOR-i, ndërsa pas incidentit me armë zjarri nuk dihen ende personat që, nga vetura në lëvizje, kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të stacionit të zjarrfikësve.

Besim Hoti
Besim Hoti
“Besohet se persona ende të paidentifikuar, diku pesë persona, nga një automjet i tyre kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të ndërtesës së zjarrfikëseve në veri. Nuk është raportuar për të lënduar apo dëme materiale”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Situata në veri të Kosovës, gjatë javës së kaluar ,u përshkua nga një varg incidentesh -përfshirë disa shpërthime në pjesë të ndryshme të asaj zone.

Mekanizmat e sigurisë u vunë në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës, ndërsa shtuan numrin e patrullimeve atje.

Stabiliteti i brishtë

Incidentet ishin përshkallëzuar në lagjen “Kroi i Vitakut” pasi serbët e atjeshëm kundërshtonin rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë.

Hoti tha se incidente të tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit në atë pjesë të vendit.

“Incidentet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit dhe sigurisë. Prandaj, Policia e Kosovës do të shtojë masat e sigurisë me shtimin e patrullimeve në të gjitha zonat e banuara me popullatë të përzier - në veçanti në këto zona të ndjeshme, me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti madhor që do të kishte çfarëdo ndikimi në situatën e sigurisë ”, tha ai.

Një ditë më parë, KFOR-i bëri të ditur përmes një komunikate për media se ëshët takuar me disa përfaqësues të serbëve të veriut të cilëve u ka bërë të qartë se do të veprojë kundër personave të armatosur që nuk kanë të drejtë të bartin armë.

“Në rast se KFOR-i sheh ndokënd tjetër të armatosur apo duke e kërcënuar ambientin e qetë dhe të sigurt në çfarëdo mënyre tjetër, KFOR-i është plotësisht i autorizuar të reagojë shpejt dhe në mënyrë të vendosur dhe të kujdeset që keqbërësit do të sanksionohen. Përfundimisht përfaqësuesit e komunitetit gjithashtu do të mbahen përgjegjës”, u tha në komunikatën e lëshuar nga misioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG