Ndërlidhjet

Roli jetik amerikan në shtetformimin e Shqipërisë dhe Kosovës


Në Evropën Lindore nuk ka shtete që kanë marrëdhënie më të afërta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës se sa Shqipëria dhe Kosova.

SHBA-të, për më shumë se 100 vjet, kanë mbështetur shqiptarët, duke filluar nga presidenti Woodrow Wilson, për të vazhduar deri tash me presidentin e rizgjedhur, Barack Obama.

Është ky konstatim i pjesëmarrësve në konferencën shkencore që ka shtjelluar “Roli i SHBA-ve, në shtetformimin e shqiptarëve”.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, deklaroi se roli i SHBA-ve ka qenë jetik në shtetformimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Lauka theksoi se 100 vjetët e shkuara, që nga shpallja e pavarësisë, kanë treguar se shqiptarët kanë një aleat shumë të fuqishëm strategjik dhe besnik.

Kur them jetik, kam parasysh përdorimin e këtij termi të lidhur me rrënjën e fjalës jetë – shqip. Pra, lidhur me ekzistencën. Dhe këtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shfaqur në të dy rastet e shteteve tona. Ne rastin e Kosovës që gjithashtu ishte jetik roli i shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse një popull 2 milionësh shqiptar ishte në tehun e shpatës, ishte në kufij te zhdukjes”, tha Lauka.

Kurse, Riza Halimi deputet shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, vlerësoi se SHBA-të, jo vetëm për shqiptaret kanë dhënë mbështetje, por sipas tij Amerika ka ndihmuar të gjithë popujt që kanë qenë në rrezik.

Është shteti më i fort në botë i ndërtuar në parime të mirëfillta demokratike dhe përkrahja dhe mbështetja për të gjitha sakrificat e aktiviteteve të popujve për t’iu pranuar e drejta në parimin e vetëvendosjes. Këto janë parimet kryesore të politikes së jashtme amerikane që me konsekuencë gjatë tërë historisë ata e mbështesin dhe për këtë sigurisht e kanë një komponent që dallohet nga shumë shtete të tjera”, tha Halimi.

Profesori nga Maqedonia, Veton Latifi tha se shqiptarët janë populli më pro amerikan në gjithë botën.

Të kuptosh rolin e SHBA-së në shtetndërtimin e shqiptareve do të thotë të kuptosh parimet dhe vlerat te cilat e kanë udhëhequr dhe vazhdojnë ta udhëheqin politiken e jashtëm amerikane në vazhdimësi”, tha Latifi.

Adil Baleta ish-përfaqësues i Shqipërisë në OKB, tha se shqiptarët nuk e kanë pasur mbështetjen nga shtetet e konsoliduara siç e kishin sllavët e grekët.

Por, parimi i drejtësisë i respektuar nga SHBA-të, ka bërë që shqiptarëve të mos iu mungojë mbështetja amerikane.

Megjithatë, Baleta thotë se sot, kombi nuk është në pozicionin, që do të duhej të ishte.

Nuk mund të ndihemi krejtësisht mirë kur kujtojmë se po mbushen 100 vjet që kombi shqiptar dhe trojet etnike shqiptare janë më të ndara dhe më të përçara se kohën kur është shpallur pavarësia”, tha ai.

Kurse Agim Rexhepi nga Shoqata “Miqtë e Amerikës” tha se si Kosova po ashtu edhe Shqipëria me përkrahjen e SHBA-ve, kanë arritur që të jenë pjesë e shumë mekanizmave ndërkombëtarë.

Edhe qytetarët në Prishtinës e kanë vlerësuar lartë rolin e SHBA-ve në shtetndërtimin e Kosovës.

Ismet Retkoceri ish-pjesëtar i UÇK-së tha:

Politikët amerikanë duke parë vite me radhe se shqiptaret e kanë seriozisht që në Ballkan të jemi një shtet demokratik që do t’i ngjante SHBA-ve, ata me gjithë potencialin e tyre teorik dhe më vonë edhe praktik ndihmuan që Kosova dhe Shqipëria të demokratizohen”, tha Ratkoceri.

Kurse, historiani Qerim Zariqi tha se që nga kohët e hershme SHBA ka kontribuar shumë në formimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës.

S’ka dilema se SHBA-të edhe më herët, në kohën kur është mbajtur paqja e Versajës kanë ndikuar shumë dhe kanë kontribuar shumë që sado pak të ruhet ajo Shqipëri e vogël që ka mbetur gjysmë Shqipërie, po natyrisht edhe pas, pothuajse një shekull e gjysmë kanë kontribuar shumë në shtetndërtimin e Kosovës, sepse pa SHBA ne nuk do të kishim lirinë e as pavarësinë”, tha Zariqi.
XS
SM
MD
LG