Ndërlidhjet

EULEX-i mirëpret, por nuk pajtohet me raportin


Grafit në Prishtinë
Grafit në Prishtinë
Ndihma e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, në fushën e sundimit të ligjit, nuk ka qenë mjaft e efektshme, është thënë në raportin e fundit të Gjykatës Evropiane të Auditorëve.

Raporti i kësaj gjykatë thuhet se është mirëpritur në Bashkimin Evropian, e rrjedhimisht edhe në EULEX, por ka edhe disa mospajtime lidhur me ketë publikim.

Në një deklaratë nga misioni i BE-së në Kosovë, thuhet se lidhur me punën që EULEX-i bën në Kosovë, është punuar nga afër dhe në mënyrë konstruktive me Gjykatën Evropiane të Auditorëve dhe se e mirëpresin kontributin dhe rekomandimet e gjykatës.

“Sundimi i ligjit në Kosovë është një përpjekje e përbashkët e ndërmarrë nga EULEX-i dhe Komisioni, në një mjedis të vështirë, dhe ne vazhdojmë të përpiqemi për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë”, thuhet në deklaratën me shkrim të cilën zyrtarët për informim e kanë dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, në deklaratën që zyrtarët e EULEX-it e kanë dërguar përmes postës elektronike, theksohet se lidhur me raportin, ka edhe disa mospajtime.

“Shumë nga angazhimet vitale, ekzekutive të EULEX-it, nuk janë përfshirë në raport për periudhën kohore 2007-2011. Po ashtu, shumë nga rekomandimet e gjykatës, tashmë janë adresuar nga misioni në Kosovë".

"Që nga shkrimi e këtij raporti, institucionet e Kosovës kanë arritur të përmirësojnë performancën e tyre. Ndërkaq misionit të EULEX-it, me një rikonfigurim paraprak, i është vazhduar mandati deri në vitin 2014”
, thuhet në deklaratën e EULEX-it, për të vazhduar se, “EULEX-i vazhdon të sfidojë kulturën e mosndëshkimit nga hetimet dhe ndjekja penale e ministrave, politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, ish-komandantëve të luftës, biznesmenë të shquar dhe të shërbimeve të inteligjencës”.

Në raportin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve është thënë se edhe pse BE-ja, ka ndihmuar në ndërtimin e kapacitetit, sidomos në fushën e Doganave, asistenca për Policinë dhe Gjyqësorin ka pasur një sukses shumë modest. Niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë ende mbetet i lartë. Gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrja politike, joefikasiteti dhe mungesa e transparencës dhe e implementimit.

Ndërsa, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ky raport shihet si real në masë të madhe. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, duke folur për këtë çështje, theksoi për Radion Evropa e Lirë, se pritjet nga ana e EULEX-it për ndihmë në sistemin e drejtësisë, kanë qenë më të mëdha.

“Pritjet kanë qenë më të mëdha edhe është fakt se mjetet që janë ndarë për këtë mision ndoshta edhe Gjykata Evropiane e Auditorëve e ka vlerësuar edhe më mirë, nuk përputhen me aktivitetet që i ka kryer EULEX-i në terren apo edhe punët që i ka pasur në kompetencën e tij. Besoj që edhe EULEX-i në këtë kuptim pajtohet. Mirëpo, kohëve të fundi, janë disa ristrukturime dhe riorganizime dhe disa punë që i ka bërë, por ka edhe shumë për t’u bërë”, tha Peci.

Peci deklaroi se Gjyqësori në vend përballet me probleme të mëdha. Sipas tij, EULEX-i, në përgjithësi, duhet të punojnë më shumë, e konkretisht në kompetencat që i ka, sa u takon rasteve të rënda që kanë të bëjnë me krime dhe korrupsion.

“Ka raste shumë, sidomos të krimeve të luftës që duhet të punohet më shumë, janë raste të hapura që nuk kanë përfunduare, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin në niveli të lartë, që janë kompetenca ekskluzive të EULEX-it. Ndoshta, këtu duhet të ndërlidhet edhe puna e Prokurorisë speciale dhe janë të ndërlidhura në përgjithësi këto hallkat e hetimit edhe ndjekjes e gjykimit”, deklaroi Peci, pa dashur të komentojë diçka tjetër për atë se sa ka ndikuar politika deri më tash në Gjyqësor.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje, e cila që nga fillimi e ka kundërshtuar misionin e EULEX-it, është deklaruar e para lidhur me raportin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve për punën e EULEX-it. Ky subjekt politik, ka deklaruar se EULEX-i është mision i dështuar.

Zyrtarët e këtij subjekti kanë thënë se “sundimi i ligjit kurrë nuk i ka goditur shkelësit më të mëdhenj të ligjit, sepse ata shkelës janë në majat e politikës ku janë konsideruar shumë të dobishëm për stabilitetin afatshkurtër politik ndonëse shumë të dëmshëm për shoqërinë, demokracinë dhe drejtësinë”.

Sistemi i drejtësisë në vend vazhdon të jetë sektori më i kritikuar, sa i takon mosefikasitetit në punë, mospërmbarimit të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit.
XS
SM
MD
LG