Ndërlidhjet

Nga janari deri tash, 2,968 persona të riatdhesuar


Riintegrimi dhe riatdhesimi i personave të kthyer është një ndër kriteret kryesore për marrjen e udhërrëfyesit zyrtar për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët e institucioneve kosovare, thonë se në Kosovë, mesatarisht çdo vit kthehen rreth 5 mijë persona, në bazë të procesit të riatdhesimit, qoftë në mënyre vullnetare, ose të dhunshme.

Ministria e Punëve të Brendshme e koordinon procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, kjo në përputhje me strategjinë dhe planin e veprimit që është hartuar për këtë çështje.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në departamentin për riintegrim të personave të riatdhesuar, Artan Duraku, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit, në bazë të mekanizmave të tyre, qytetarëve të kthyer në Kosovës, ju ndihmojnë që nga arritja në aeroport, e deri te vendin i origjinës dhe hapja e bizneseve.

Ndihma është e natyrës së ndryshme, qoftë ndihmë emergjente, që do të thotë akomodim i përkohshëm në qendrën tonë shtatë ditore, pastaj është qiramarrja.
Sigurojmë pako ushqimore e higjienike, ofrojmë ndihmë edhe për raste specifike shëndetësore. Për procesin e riintegrimit të qëndrueshëm, ofrojmë edhe rindërtimin e shtëpive dhe ndërtimin e shtëpive të reja. Dhe, në disa raste, ofrojmë edhe fillimin e bizneseve
”, bëri të ditur Duraku.

Qeveria e Kosovës, kohë më parë ka nënshkruar disa marrëveshje me më shumë se tetë shtete të Bashkimit Evropian për riatdhesimin e kosovarëve.

Duraku thotë nga muaji janar e deri më tash janë kthyer në Kosovë rreth 3 mijë persona.

Janë 2,968 persona të riatdhesuar nga shtet të ndryshme. Në përputhje me rregullore, qiranë që e mbulojmë ne është 6 + 6 muaj, dhe në disa raste kjo shtohet edhe 3+3 muaj, do të thotë për një vit e gjysmë. Këtë periudhë kohore e shfrytëzojmë për riintegrim të qëndrueshëm, do të thotë për rindërtim të shtëpive dhe në disa raste edhe ndërtim”, u shpreh Duraku.

Ndryshe, ata që janë kthyer në Kosovë, konsiderojnë se zgjidhja e problemeve të tyre, duhet të jetë e qëndrueshme dhe jo e përkohshme.

Besnik Qehaja, i cili ka jetuar për disa vite në një nga shtetet e Bashkimi Evropian, tha se tashmë ai përfundimisht është kthyer në Kosovë.

Siç u shpreh ai, me ndihmën e institucioneve të Kosovës, ai ka filluar të shkollohet dhe po ashtu edhe ka hapur biznesin e tij.

Qehaja tha se pas kthimit në atdhe kishte probleme por, aktualisht tha se është i kënaqur për gjendjen në të cilën ndodhet.

Në fillim kam pasur probleme, po më vonë jo, më kanë ndihmuar, më kanë udhëzuar se ku duhet të shkoj. Me kanë pyet se çfarë profesioni kam. Ju kam treguar që e kam profesionin për IT, edhe e kam bërë një plan-projekt për të servizuar kompjuterë edhe më kanë ofruar një shumë të parave për ta nisur një biznes, dhe për t’u riintegruar. E kam hapur biznesin dhe në të njëjtën kohë edhe jam shkolluar me ato para që mi kanë dhënë”, tha Qehaja.

Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve qeveritarë se në Kosovë janë përmirësuar kushtet socio-ekonomike, se është krijuar një perspektivë më e mirë për të rinjtë, se Kosova ka nënshkruar disa marrëveshje me shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian për riatdhesimin e kosovarëve, te qytetarët kosovarë nuk është zbehur ende dëshira për të migruar në shtete të BE-së dhe më larg.
XS
SM
MD
LG