Ndërlidhjet

Pushteti i ri gjeorgjian dhe Rusia


Flamuri i Gjeorgjisë
Flamuri i Gjeorgjisë
Sipas presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, fillimi i fundit të marrëdhënieve të tij me liderin e Rusisë, Vladimir Putin, ka nisur në takimin e parë të tyre në shkurt të vitit 2004.

Putini thuhet se ka urdhëruar Saakashvilin të sigurojë të ardhmen e Valeri Khaburzanias, ministrit të Forcave të Sigurisë gjatë sundimit të presidentit gjeorgjian, Eduard Shevardnadze. Në vend të kësaj, Saakashvili ka zvogëluar pozitën e Khaburzanias dhe së shpejti e ka pushuar atë.

Putini, thotë Saakashvili, është mrrolur dhe marrëdhëniet ruso-gjeorgjiane janë përkeqësuar. Që nga lufta e gushtit 2008, Qeveria ruse ka thënë se nuk do të ketë asnjë marrëdhënie me Gjeorgjinë, derisa Saakashvili të mbetet në pushtet.

Gjatë fushatës zgjedhore, Ëndrra Gjeorgjiane e miliarderit Bidzina Ivanishvili është zotuar se do të reduktojë nivelin e konfrontimit me Moskën pa sakrifikuar rrugën e Gjeorgjisë drejt Bashkimit Evropian, marrëdhëniet e ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe anëtarësimin eventual në NATO.

Gjetja e kësaj rruge të mesme do të jetë njëra nga detyrat më të vështira për Ivanishvilin, i cili ka jetuar dhe punuar në Rusi në vitet 1990 dhe deri së voni ka mbajtur shtetësinë ruse.

Një ide se si planifikon të realizojë planin, është hedhur të hënën, kur Ivanishvili ka emëruar kabinetin e tij. Analistët thonë se zgjedhja e ekipit për politikë të jashtme sugjeron se ai planifikon të ulë retorikën e nxehtë që ka karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë, pastaj të përmirësojë marrëdhëniet ekonomike dhe të rishikojë qasjen e Tbilisit në rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazi dhe Oseti e Jugut, njëherësh mbështetëse të Moskës.

Lincoln Mitchell, profesor në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut, i cili ka qenë këshilltar i Ëndrrës Gjeorgjiane, thotë se të emëruarit e politikës së jashtme paraqesin pragmatizmin e liderëve të rinj të Gjeorgjisë.

Stili është i ndryshëm. Këta janë njerëz disi të qetë dhe racionalë. Mua më duket ndryshim i madh”, thotë Mitchell.

Në mesin e të emëruarve kryesorë për politikën e jashtme është ish-ambasadori në Kombet e Bashkuara, Irakli Alasania, një mbështetës i patundur i integrimit evropian, i cili është emëruar ministër i Mbrojtjes. Zëdhënësja e Ivanishvilit, ish-ambasadorja e Gjeorgjisë në Gjermani, Maia Panjikidze, është emëruar ministre e Jashtme.

Sipas të gjitha gjasave, Ivanishvili do ta ketë më së lehti të përmbushë premtimin për të rivendosur lidhjet ekonomike me Rusinë, e cila për katër vjet ka bojkotuar eksportet kryesore të Gjeorgjisë, si vera dhe uji mineral.

Por, çështja kryesore ndërmjet Moskës dhe Tbilisit, që është statusi i rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, duket të jetë më e vështirë. Pas luftës së vitit 2008, Moska ka njohur dy rajonet si shtete të pavarura, ndërsa Gjeorgjia i konsideron ato si të pushtuara nga Rusia.

Panjikidze nuk ka humbur kohë për të adresuar çështjen, duke thënë se konflikti është i frikshëm dhe nuk ofron përgjigje të lehtë.

Riparimi i marrëdhënieve diplomatike, duke pasur parasysh faktin se Rusia operon me dy ambasada në kryeqytetin e Abkhazisë, Sukhumi, dhe atë të Osetisë së Jugut, Tskhinvali, është një çështje shumë e vështirë. Megjithatë, ne do të punojmë për zgjidhjen e saj. Për hapat konkretë që do të ndërmerren nga të dyja palët, është ende herët të flitet. Ne kemi deklaruar disa herë: këto marrëdhënie nuk do të korrigjohen për një ose dy ditë, derisa 20 për qind e territorit të Gjeorgjisë mbetet e pushtuar nga Rusia”, ka thënë Panjikidze.

Lincoln Mitchell, i cili është edhe autor i librit “Demokracia e Pasigurt: Revolucioni i Trëndafiltë i Gjeorgjisë dhe Politika e Jashtme e Shteteve të Bashkuara, argumenton se ka vend për të manovruar në këtë çështje.

Mitchell thotë se politika e Saakashvilit për të trajtuar çështjen vetëm si konflikt ndërmjet Moskës dhe Tbilisit është sikur të shtiresh se “nuk ka njerëz në Osetinë e Jugut dhe Abkhazi”. Si rezultat, pas tetë vjetësh presidencë të Saakashvilit, këto rajone “janë dukshëm më larg nga Tbilisi” se kurrë më parë.

Mitchell thotë se qeveria e re ka shanse të korrigjojë këtë politikë.

Një gjë është të përpiqeni të merrni në konsideratë atë çfarë mendon populli atje, të mos trajtohet si një lloj shteti i pavarur. Ndoshta mund të krijoni një lloj marrëdhënieje të bazuar në lidhjet me shoqërinë civile, në lidhjet me Perëndimin, në mënyrë që të mos jetë shumë i varur nga Rusia”, thotë Mitchell.

Sipas analistëve, ekipi i ri i Ivanishvilit mund ta bëjë këtë. Ministri i Mbrojtjes, Irakli Alasania, ka mbështetur politikat e tilla për vite me radhë. Babai i tij, gjenerali i KGB-së, Mamia Alasania, është vrarë kur kryeqyteti i Abkhazisë, Sukhumi, ka rënë në duar e forcave separatiste, në shtator të vitit 1993.

Irakli Alasania ka punuar gjatë për lidhjet direkte ndërmjet Tbilistit dhe provincave separatiste dhe ka argumentuar se Gjeorgjia duhet t’i tërheqë prapa ato, duke u bërë një vend i begattë dhe demokratik. Ai dikur ka shërbyer si i dërguar i Saakashvilit në bisedimet me Abkhazinë dhe ka reputacionin e njërit prej politikanëve kryesorë gjeorgjianë, me të cilin liderët separatistë në Sukhumi duan të bisedojnë.

Me zgjedhjen e kabinetit të tij, Ivanishvili ka ngritur një tjetër figurë me reputacion të ngjashëm pragmatik. Ai ka emëruar zyrtarin e Partisë Republikane, Paata Zakareishvili, në postin e ministrit të shtetit për riintegrim – ministri kjo përgjegjëse për marrëdhëniet me rajonet separatiste.

Eksperti për rajonin e Kaukazit, Thomas de Waal, thotë se emërimi i Zakareishvilit sinjalizon ndryshim të vërtetë nga politikat e Saakashvilit.

Paata Zakareishvili është jashtëzakonisht i matur, një person mbresëlënës, i cili ka punuar për më shumë se dhjetë vjet... ndoshta është gjeorgjiani më i përfshirë në dialogun me Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. Ai është një njeri që vërtet i respekton ato dhe e respektojnë”, thotë De Waal.

Sipas tij, refuzimi i Saakashvilit për t’u angazhuar me rajonet, sidomos me Abkhazinë, i ka mundësuar Kremlinit të marrë varësinë e rajonit, por një gjë e tillë “mund të ndryshojë shpejt”.

Mund të jetë makth i vërtetë i rusëve që të shohin një gjeorgjian, i cili kërkon angazhim të vërtetë dhe thelbësor me Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut”, thotë De Waal.

Lincoln Mitchell pajtohet se ekipi i ri i Ivanishvilit dhe politikat për zvogëlimin e mundësive të luftës me Rusinë mund të jenë më efektive në arritjen e interesave të Gjeorgjisë.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG