Ndërlidhjet

Gjeorgji: Presidenti Saakashvili pranoi disfatën


Gjeorgji: Presidenti Saakashvili pranoi disfatën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:08 0:00

Presidenti Saakashvili pranoi disfatën

Presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, ka pranuar se partia e tij, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, ka humbur në zgjedhjet parlamentare kundër koalicionit opozitar Ëndrra Gjeorgjiane dhe se e pranon disfatën.

Pas përmbledhjes së rezultateve preliminare, është e qartë se ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ është në udhëheqje. Kjo do të thotë se shumica parlamentare duhet ta formojë qeverinë e re dhe unë si president, në harmoni me Kushtetutën, do ta ndihmoj këtë proces dhe do ta ndihmoj parlamentin që ta fillojë punën, ta zgjedhë kryesuesin dhe ta formojë qeverinë e re”, tha Saakashvili, në fjalimin e tij televiziv.

Ai theksoi se për të, pikëpamjet e koalicionit opozitar Ëndrra Gjeorgjiane “ishin dhe mbeten fundamentalisht të papranueshme”, por demokracia vepron dhe vendimet e bëra nga “pjesa më e madhe e popullit të Gjeorgjisë ne i respektojmë fuqishëm”.

Ai foli edhe për periudhën derisa ishte në presidencë, prej të ashtuquajturit “Revolucion i trëndafiltë” në vitin 2003.

Lëvizja e Bashkuar Kombëtare tash do të jetë parti opozitare. Të arriturat e tetë viteve të kaluara të Revolucionit të Trëndafiltë, që ishte njëri nga momentet më të rëndësishme në historinë shekullore të Gjeorgjisë, nuk janë të rëndësishme vetëm për historinë e Gjeorgjisë, por këto të arritura e kanë shndërruar Gjeorgjinë në njërën nga vendet kryesore për pjesën tjetër të botës, prandaj besoj se pavarësisht se çka i kërcënon këto të arritura, gjatë muajve dhe viteve të ardhshme, është e pamundshme që ato të zhduken”, tha Saakashvili.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Gjeorgji, pas llogaritjes së afërsisht një të katërtës së vendvotimeve, koalicioni Ëndrra Gjeorgjiane opozitare, e udhëhequr nga miliarderi Bidzina Ivanishvili, po prinë si në listat partiake ashtu edhe në votimet e qarqeve direkte.

Sipas rregullores, 77 prej 150 anëtarëve të parlamentit zgjedhen nga listat partiake, ndërsa 73 të tjerët zgjedhen direkt nga qarqet votuese.

Lideri i opozitës, miliarderi Bidzina Ivanishvili, tha se pas këtyre zgjedhjeve do të ndryshoj qeveria e Gjeorgjisë.

Populli i Gjeorgjisë e ka treguar kulturën e vet të madhe, mençurinë e vet të madhe dhe çdo gjë ka ecur ashtu siç i duhet këtij populli dhe vendit. Mendoj se ka ndodhur një precedent interesant në Gjeorgji: për të parën herë në historinë tonë të gjatë ne e kemi ndryshuar qeverinë nëpërmjet zgjedhjeve”, tha Bidzina Ivanishvili.

Një ndryshim kushtetues që bëhet fuqiplotë vitin e ardhshëm, i jep parlamentit dhe kryeministrit shumë më tepër autoritet, ndërsa e zvogëlon atë të presidentit.

Presidenti Mikheil Saakashvili e kishte larguar Gjeorgjinë nga Rusia në drejtim të Perëndimit.

Ai thotë se Ivanishvili do ta kthejë Gjeorgjinë nën orbitën e Moskës.

Ivanishvili e përgënjeshtron këtë akuzë. Por, ai thotë se do t’i normalizojë marrëdhëniet me Rusinë, që ishin dëmtuar në vitin 2008, kur të dy vendet e zhvilluan një luftë të shkurtër lidhur me dy rajone separatiste të Gjeorgjisë. (f. b.)


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG