Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës thonë se Nikolliq nuk do ta mbajë fjalën


Serbia - Belgrade, Serbian Government building, undated
Serbia - Belgrade, Serbian Government building, undated
Institucionet e serbëve në veri të Kosovës janë të nevojshme për popullatën që jeton atje, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës, të veriut dhe të Kosovës Qendrore, por ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me atë se cilat institucione duhet të jenë ato dhe nën ombrellën e kujt duhet të jenë.

Politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jakshiq, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike Serbe, thotë se institucionet serbe të cilat i ka instaluar shteti serb në veri të Kosovës, nuk duhet të shpërbëhen, pavarësisht kërkesave të faktorëve ndërkombëtarë, e sidomos të disa vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai e ka mirëpritur deklaratën e kryetarit serb Tomisllav Nikoliq, i cili ka theksuar se Serbia nuk do t’i shpërbëjë institucionet e saj në veri të Kosovës.

Ajo që vlen të thuhet është se kjo është një vijë e kufirit, nën të cilën Beogradi nuk mund të shkojë nëse dëshirojmë ta ruajmë praninë tonë në Kosovë. Do të thotë, ka qenë vetëm çështje e momentit kur autoritetet e reja, para së gjithash kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, është dashur të ndajnë mendjen se a dëshirojnë të luftojnë për Kosovën dhe me këtë edhe t’i mbajnë institucionet në veri të Kosovës apo që këto institucione t’i lëshoj poshtë lumit dhe të vendosë për Bashkimin Evropian”, thotë Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.

Politikanja serbe nga Kosova qendrore, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, thotë se institucionet serbe janë të nevojshme në Kosovë, për të ruajtur ekzistencën dhe mbijetesën e serbëve.

Por, sipas saj, këto institucione nuk duhet të nënkuptojnë edhe institucionet e sigurisë dhe të gjyqësisë.

Në këtë kuptim, unë e kam fjalën për institucionet e shëndetësisë dhe arsimit. Por, në veri kemi të bëjmë me strukturat e sigurisë dhe të vetëqeverisjes lokale. Ajo çfarë unë mendoj se është problematike, janë strukturat e sigurisë në veri dhe çështja nëse ato do të jenë të vendosur nga Beogradi dhe t’i kenë lidhjet e drejtë për drejta me Beogradin apo ato të jenë po ashtu serbe, por të jenë të lidhura për ndonjë mekanizëm të serbëve në veri dhe me një nivel të lidhjeve me Prishtinën”, shprehet Trajkoviq.

Por, Jakshiq vlerëson se, pavarësisht se deklaratat e kryetarit serb Nikolliq kanë qenë të mirëpritura nga serbët e veriut, megjithatë ai nuk pret që ai ta mbajë fjalën e tij.

Sipas tij, kjo deklaratë më tepër ka qenë lojë politike, duke pasur parasysh që, siç thotë ai, dialogu me Kosovën nuk pritet të vazhdojë brenda një afati shumë të shkurtë.

Sa i përket deklaratës së kryetari kjo nuk do të thotë asgjë, kur kihet parasysh se deri më tash janë dhënë shumë deklarata dhe sa u përket realizimit, secila prej tyre ose është prolonguar ose nuk është përmbushur kurrë deri në fund”, thekson Jakshiq.

Mendim të ngjashëm ka edhe deputetja Trajkoviq, por ajo thotë se megjithatë institucionet e tilla do të jenë të serbëve të veriut.

Unë nuk e di se çfarë ka nënkuptuar kryetari serb kur flet për institucionet serbe. Nëse ai ka menduar për lidhje institucionale me Beogradin sa u përket strukturave të sigurisë, kjo mendoj se nuk do të ndodhë. Ai megjithatë do të pranojë që institucionet e sigurisë të jenë të serbëve të veriut”, thotë Trajkoviq.

Ndryshe, politikanët serbë të Kosovës kanë vlerësuar se qeveria paraprake serbe ka pasur qëndrim ambivalent sa i përket kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për shpërbërjen e institucioneve dhe strukturave jo legale serbe në veri.

Sipas tyre, po të kishte fituar edhe një mandat, qeveria paraprake do ta kishte përmbushur kërkesën e faktorëve ndërkombëtarë për shpërbërjen e tyre.

Megjithatë, siç kanë theksuar ata, autoritetet e reja në Serbi, tashmë janë para dilemës nëse duhet ose jo t’i shpërbëjnë këto struktura, kur kihet parasysh që kërkesa për një gjë të tillë ende është prezente nga ana e faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG