Ndërlidhjet

S'ka parakushte për ta luftuar korrupsionin


Ilustrim
Ilustrim
Vendosmëria e lidershipit të vendit, shtimi i transparencës së institucioneve dhe respektimi i ligjshmërisë, janë parakushtet për luftimin e korrupsionit në Kosovë, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Prishtinë.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen “FOL” Petrit Zogaj, thotë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë retorikë dhe spektakël media, por siç konsideron ai, kjo dukuri duhet të luftohet me vepra konkrete.

“Prejse Kosova është shtet i pavarur, kemi parë që lufta anti-korrupsion është shndërruar në një retorikë dhe në vazhdimësi është parë që pavarësisht asaj që është deklaruar, korrupsioni në nivele të larta, në institucione, në Qeveri, në pozita të larta publike, është rritur. Është parë se si zyrtarët publikë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare për përfitime personale”, thotë Zogaj.

Në Kosovës, muajve dhe javëve të fundit, janë shkëmbyer disa akuza dhe kundërakuza ndërmjet zyrtarëve të lartë të institucioneve lidhur me privatizimin e dështuar të hotelit “Grand”. Madje, ka pasur akuza për shantazhe ndërmjet zyrtarëve qeveritarë dhe deputetëve lidhur me këtë çështje.

Zogaj thekson se ngjarjet e fundit në vend, lidhur me çështjen e korrupsionit, kanë treguar se në çfarë niveli është korrupsioni në Kosovë.

“Kjo çka kemi parë nga qershori i këtij viti, dhe specifikisht javën që shkoi, është situata më e qartë se si zyrtarët publikë, pavarësisht faktit që janë deklaruar se kjo Qeveri do të jetë me duar të pastra, ngjarjet e javës së kaluar kanë treguar se kjo Qeveri është e zhytur. Kjo Qeveri vetëm një gjë e ka menaxhuar mirë - skandalet, të cilat i ka përcjellë me një skandal tjetër dhe janë mbuluar(të mëparshmit)”, shton Zogaj.

Nga ana tjetër, Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova, konsideron se nga shkalla e lartë e korrupsionit në shumë institucione qytetarët vazhdojnë të mos besojnë në mekanizmat përgjegjës, që për synim kanë luftimin e korrupsionit.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës, vlerëson se vendi është në fazën e fundit ku institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit, në të kundërtën, sipas tij, Kosova me vite do të njihet si vend i korrupsionit.

“Kemi rastin e fundit të ‘Grandit’, përfshirjes së politikanëve më të lartë dhe nuk kemi reflektim të institucioneve dhe figurave publike që në këtë rast, zëvendëskryeministri dhe zëvendësministri, do të duhej të largoheshin nga Qeveria. Gjithashtu, arrestimet e fundit (ai i Sami Hamitit), ende nuk kanë prodhuar një efekt tjetër, i cili veçse është shoqëruar me shoë media, si të gjitha deri më tani”, thekson Kryeziu.

Ndryshe, roli i organizatave joqeveritare në shoqërinë kosovare thuhet se është i rëndësishëm, pasi këto organizata tërheqin vëmendjen e publikut dhe të autoriteteve kompetente për një trajtim më të vëmendshëm të problemeve të përditshme.

Por, në drejtim të luftës kundër korrupsionit, Kryeziu thotë se shoqëria civile nuk mund të bëjë shumë.

“Nëse kemi një mekanizëm të tërë, i cili është joefikas dhe i korruptuar, duke përfshirë edhe institucionet e drejtësisë, ato qeveritare, partitë politike, shoqëria civile mund të ngrejë zërin dhe të sensibilizojë publikun, por nuk ka fuqi e mekanizma që mund t’i përdorë për të arritur diçka konkrete”, deklaron Kryeziu.

Në mënyrë që niveli i korrupsionit në vend të bie, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tashmë ka formuar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, ku bëjnë pjesë udhëheqësit më të lartë të fushave të sigurisë dhe drejtësisë.
XS
SM
MD
LG