Ndërlidhjet

Problemet e të rinjve me korrupsionin


Ilustrim
Ilustrim
Institucionet, agjencitë, organizatat e ndryshme joqeveritare që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit, muaj me radhë kanë bërë fushata të ndryshme, në mënyre që qytetarët të raportojnë korrupsionin.

Por, deri më tash, sipas përfaqësuesve të institucioneve që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit, puna dhe propaganda në drejtim të uljes së shkallës së lartë të korrupsionit nuk ka treguar ndonjë rezultat.

Probleme me dukurinë e korrupsionit thonë se kanë edhe të rinjtë që studiojnë.




Shpëtim Gashi, një studenti i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lië se jeta në Kosovë është bërë shumë e vështirë për shkak të nivelit te lartë të korrupsionit.

Ne na ndodh që të shohim raste të korrupsionit, si nuk na ndodh. Nëse nuk ke para, nuk mund ta marrësh asnjë dokument, kjo është e para. Në komunë, kudo, në të gjitha anët. Mënyra më e mirë është, siç thotë një fjalë popullore, njeriu mos ta vjedhë shtëpinë e vet. Nga këta politikanë që i kemi nuk pritet asgjë”, thotë Gashi.

Shpresa Pacolli, një qytetare tjetër nga kryeqyteti, e cila ka studiuar në Fakultetin Filozofik, konsideron se në drejtim të uljes së korrupsionit në Kosovë, qytetarët duhet të japin më shumë informacione dhe të jenë më aktivë në ketë drejtim.

Në luftën kundër korrupsionit duhet të marrë pjesë gjithë shoqëria. Në strukturat qeveritare, shoqërinë civile, dhe te vetë qytetarët, duhet të ekzistojë një vullnet - pra i gjithë shteti, që të luftohet korrupsioni”, thekson Pacolli.

Nga ana tjetër, Albatrit Berisha, i cili studion në Fakultetin Ekonomik dhe është në vitin e tretë, lidhur me ketë çështje thotë:

Normal që është më mirë që qytetarët të raportojnë korrupsionin, po prapë është e kotë se nuk ke ku raporton, pasi që të gjithë janë të korruptuar”.

Krenar Halimi nga Gjilani, cili ndjek studimet në vitin e parë në Fakultetin Juridik, vlerëson se për të ndryshuar gjendja në Kosovë dhe për të mos pasur korrupsion në shumë institucione, duhet një qeverisje e re për vendin.

Dua të them se këta qeveritarë aktualë duhet t’ia lëshojnë rendin të rinjve, të largohen këta politikanët e vjetër, të vijnë persona të ri në politikë, se këta që janë tash krejt janë të korruptuar. Mendoj se nuk korruptohen ata të rinjtë nëse vijnë dhe shikojnë për të mirën e vendit. Mua personalisht më ka ndodhur të shoh njerëz që korruptohen në fakultet”, shpjegon Halimi.

Besart Abazi, i cili studion në Fakultetin e Edukimit, shprehet pesimist se korrupsioni mund të luftohet në Kosovë.

Mendoj që kjo dukuri do të vazhdojë kështu, sepse vetë njerëzit në udhëheqje nuk janë duke u marrë vesh dhe nuk ja duan të mirën vendit. Secili e ka interesin e vet”, thekson Abazi.

Kurse Mentor Ndrecaj nga Prishtina, që studion për sociologji, lidhur me korrupsionin në Kosovë thotë:

Korrupsioni është futur thellë në të gjitha instancat, duke nisë nga fakultetet, nga shkollat fillore, deri në qeveri dhe instancat e tjera. Kështu që unë mendoj se duhet me të ndërrohen komplet drejtuesit, dhe të vijnë gjenerata të reja, se nuk është reformë me njerëzit që i kanë 60 vjet, që janë mësuar me vjedhë gjithmonë dhe që mendojnë që me mito dhe korrupsion arrihet diku. Nëse ndryshohen njerëzit që udhëheqin, do të ketë rritje ekonomike dhe nuk do të ketë nevojë për korrupsion”, thekson ai.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a i ka ndodhur ndonjëherë të shohë dike që po korruptohet, Mendor Ndrecaj thotë:

Personalisht jo, por shumë shokë dhe miq kanë pasur raste kur kanë pasur nevojë të korruptojnë dikë”.

Por, pse raportimi i korrupsionit nga ana e qytetarëve, për Adelina Selimin, nuk mund të bëhet?

Nuk i dëgjojnë, sepse gjithçka shkon me lidhje, dhe nuk ka rendësi fjala e një qytetari”.

Ndërsa, sipas Njomza Kabashit, qytetare e Kosovës, korrupsioni në Kosovë duhet të luftohet nga baza.

Nga aty ku i ka themelet – politika”, thotë ajo.

Kurse, Blerim Gashi shprehet:

Duhet të ndërrohet krejt kjo qeveri për ta larguar edhe korrupsionin, për ndryshe kështu do ta kemi. Po shihet se çka është duke ndodhur”, thotë ai.

Sido që të jetë, nga raportet e ndryshme të organizatave vendore e ndërkombëtare, thuhet se korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm në shkallë shumë të lartë.

Qytetarët thonë se asnjë nga institucionet kosovare nuk kanë të drejtë të kërkojnë dhe të kritikojnë qytetarët pse nuk raportojnë korrupsionin, derisa vet këto institucione, duke përfshirë edhe ato të drejtësisë, janë të korruptuara.
XS
SM
MD
LG