Ndërlidhjet

Komunat serbe të (pa) suksesshme


Komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, të cilat kanë dalë si rezultat i dokumentit të Ahtisaarit, janë një tregim i suksesshëm për Kosovën dhe ato po zhvillohen gradualisht dhe sigurt, vlerësojnë disa nga zyrtarët e lartë të këtyre komunave.

Sipas tyre, marrë parasysh rrethanat në të cilat janë krijuar ato, ndihma e institucioneve qendrore të Kosovës dhe ndihma ndërkombëtare, kanë qenë një shtysë e fuqishme për angazhimin e stafeve lokale, që komunat e reja të banuara me shumicë serbe të funksionojnë.

Bojan Stojanoviq, kryetar i Komunës së Graçanicës, vlerëson se rezultatet pozitive, të cilat janë arritur në zhvillimin e kësaj komune, i bëjnë drejtuesit e saj që të ndjehen krenarë.
Dy vjet e gjysmë më parë, ne nuk kemi pasur as dyer e as dritare, por kemi qenë komuna më e hapur në botë.


Unë jam absolutisht i sigurt se me kokën lartë ne mund ta shikojmë në sy këdo qoftë, qytetarët, pushtetin qendror, si dhe bashkësinë ndërkombëtare, të cilët së bashku me ne, kanë ndërtuar një mekanizëm funksional për një zbatim praktik të politikës në shërbim të qytetarëve. Dy vjet e gjysmë më parë, ne nuk kemi pasur as dyer e as dritare, por kemi qenë komuna më e hapur në botë”.

Për dy vjet, zbatimi i më shumë se 200 projekteve, ka bërë që një numër i madh i njerëzve të rinjve të punësuar, të punojnë në strategji serioze, të cilat do të definojnë një tregim për mbijetesën e qëndrueshme dhe afatgjate të popullatës, që graviton në hapësirën e kësaj komune”, thotë Stojanoviq.

Mendim të ngjashëm, ka edhe Nenad Cvetkoviq, kryetar i komunës së re të Parteshit, ndonëse kjo e fundit është shumë më e vogël se komuna e Graçanicës.

Sipas tij, procesi i decentralizimit ka rezultuar suksesin për komunën e Parteshit.

Mendoj se ka qenë sukses dhe vet decentralizimi ka sjellë dobi për serbët, për shkak se e kemi fituar komunën tonë. Mund të vendosim për veten dhe të gjitha problemet tona t’i zgjidhim vet. Natyrisht se për këtë kemi pasur ndihmën nga Qeveria në Prishtinë dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në të kundërtën nuk do të ishim të suksesshëm”, thekson Cvetkoviq.

Në anën tjetër, njohësi i rrethanave politike dhe të integrimit, Shenoll Muharremi, vlerëson se arsyet e themelimit të komunave të reja me shumicë serbe kanë qenë politike dhe sipas tij, nuk janë marrë parasysh mundësitë nëse këto komuna mund ta mbajnë veten.

Plani i Ahtisarit është plan politik për t’i akomoduar interesat e serbëve lokalë. Do të thotë nuk është bërë kurrfarë arsyetimi për themelimin e këtyre komunave dhe arsyetimi se a mundet këto që ta mbajnë veten, a janë të vet-qëndrueshme dhe a ka fizibilitet për to. Thjeshtë është vendim politik. Ne duhet të jetojmë për momentin me këto vendime, për shkak se kemi obligime ndërkombëtare”, shprehet Muharremi.

Por, kryetari i komunës së Graçanicës, Stojanoviq, këmbëngulë se komuna që ai drejton e ka arsyetuar themelimin e saj.

I kemi përformancat zyrtare të komunave, ku ne jemi renditur në një vend të rëndësishëm. Nuk mund të them se jemi të parët, por sipas madhësisë së komunave, me siguri se në Kosovë jemi të parët nëse i llogarisim të gjitha komunat, të rejat dhe të vjetrat. Kështu që, të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij sistemi, mund të jenë të kënaqur dhe krenarë për atë që kanë bërë”, bën të ditur Stojanoviq.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Parteshit, Cvetkoviq, pohon se problemet ekonomike ekzistojnë, të cilat ai i vlerëson të imta.

Kemi disa probleme, por të imta. Janë probleme të natyrës ekonomike, por probleme të tilla ka edhe Evropa”, tha Cvetkoviq

...shumë më e udhës do të kishte qenë që ato qindra mijëra euro që i shpenzon administrata lokale atje, të investoheshin për zhvillim dhe për punësim të qytetarëve serbë atje.

Analisti Muharremi, e mbështet mendimin e Stojanoviqit, sa i përket Graçanicës, por, siç thotë ai, jo të gjitha komunat e reja me shumicë serbe e kanë fatin e Graçanicës.

Graçanica është rast pak më specifik, për shkak se ajo është komunë më e madhe. Por, nëse shkoni për shembull në Partesh apo Ranillugë, keni për ta parë një fshat shumë të varfër, shumë të thjeshtë, me rreth më pak se 5 mijë banorë. Sipas mendimit tim, shumë më e udhës do të kishte qenë që ato qindra mijëra euro që i shpenzon administrata lokale atje, të investoheshin për zhvillim dhe për punësim të qytetarëve serbë atje”.

Por, në një të ardhme, kur çështjet etnike nuk janë më shumë të theksuara, por është me rëndësi qytetari dhe mirëqenia e tij, mundemi ta shikojmë nëse ka qenë vendim i drejtë apo jo dhe nëse ka ndonjë modalitet tjetër se si mund t’i ndihmojmë qytetarët atje”.

Ndryshe, deri më tash janë themeluar komunat me shumicë serbe e Graçanicës, Ranillugut, Parteshit dhe Kllokotit. Ndërkaq, komuna e Novobërdës ka përfituar duke e zgjeruar territorin e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG