Ndërlidhjet

Rexhepi: KFOR-i nuk po na ndihmon


Veri, foto nga arkivi
Veri, foto nga arkivi

Që nga korriku i vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës pati ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 në veri, zyrtarët e institucioneve kanë deklaruar se kontrabanda dhe krimi i organizuar është në rënie.

Mirëpo, drejtuesit e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, së fundi kanë deklaruar se situata aktuale në atë pjesë është më e mirë se një vit me parë, por sfidat janë ende të mëdha.

Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Erhard Drevs, ka theksuar se “rezistenca në veri nxitet nga disa përfaqësues politikë radikalë, që duan të mbajnë situatën aktuale në atë zonë si dhe grupe kriminale që duan të ruajnë bizneset e tyre të mbështetura në kontrabandë dhe trafiqe”.

Këto komentet ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi i ka konsideruar si reale, për të shtuar se këto deklarata të komandantit Drevs janë të vonuara.

Ato që ne i kemi thënë më parë nuk i kanë përmendur ose kanë qenë të rezervuar, ndërsa tash në fund të mandatit ai i ka thënë gjërat ashtu siç janë”, tha Rexhepi

Strukturat paralele, në veri të Kosovës, edhe 13 vjet pas luftës vazhdojnë të funksionojnë me mbështetjen e Beogradit.

Institucionet e Kosovës jo vetëm që deri më tash nuk kanë shtrirë autoritetin atje, po shpesh janë ankuar se nuk kanë gjetur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për shuarjen e këtyre strukturave.

Ministri Rexhepi thotë se për shuarjen e strukturave paralele në veri, KFOR-i asnjëherë nuk ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në ketë drejtim.

KFOR-i formalisht nuk ka mandat për të vepruar në këtë drejtim dhe duhet ta pyesin NATO-n. Ky është më tepër mandat i EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, por, ata asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmëri t’i mbështesin aq shumë t’i arrestojnë dhe t’i shpërbëjnë ato”, tha Rexhepi.

Kurse, politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jakshiq, nga radhët e Partisë Demokratike të Serbisë, të Vojsllav Koshtunicës, deklaratën e komandantit të KFOR-it, për bashkëpunimin e përfaqësuesve politikë radikalë me grupe kriminale, i quan si deklarata të marra.

Nuk ka kurrfarë lidhje dhe unë nuk e njoh askënd nga përfaqësuesit politikë të lartë, të cilët angazhohen për Serbinë, që merren me ndonjë biznes ilegal në veri. Ne këtu kemi shumë shërbime të sigurisë të huaja, tonat, të Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, por kurrë kemi parë deri më tash që është arrestuar ndonjë serb që merret me trafikim të njerëzve apo drogë”, tha Jakshiq.

Nga ana tjetër, drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se në pikën kufitare 1 dhe 31 kontrabanda është në pikën zero.

Ai megjithatë, u shpreh se nga rrugët alternative ilegale të cilat i shfrytëzojnë serbët, kontrabanda ende është e pranishme.

Sa u takon hyrjeve ilegale, dogana nuk ka prezencë në këto pika ose në këto rrugë ilegale. Aty kemi thënë se po zhvillohet kontrabandë po nuk e kemi informacionin se sa mund të jetë niveli i kontrabandës”, theksoi Huruglica.

Ai tha po ashtu se doganierët kosovarë, aktualisht nuk kanë mundësi të ndërmarrin masa të tjera për të ndaluar kontrabandën.

Kur vetë NATO, një organizatë ushtarake thotë se e ka vështirësi ta kontrollojë për shkak se ka grupe kriminale të cilat janë të armatosur dhe përdorin edhe dhunë, imagjinoni çka do të thotë ajo për një staf doganor, i cili është i paarmatosur ose ka vetëm revole për vetëmbrojtje”, tha Huruglica.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG