Ndërlidhjet

Evropianët e rinj që flasin shqip


Ilustrim
Ilustrim

Në mënyrë që ta mësojnë gjuhën shqipe, të dinë më shumë për Kosovën dhe shqiptarët, shumë të rinj nga shtete të ndryshme të Evropës, kanë qëndruar në Prishtinë në kuadër të Seminarit të XXXI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Pjesëmarrësit e rinj thonë për rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, se Kosova dhe qytetarët e saj nuk kanë ndonjë dallim nga evropianët e tjerë, edhe pse Kosova si shtet është shpallur para katër vjetësh. Ata edhe pse shprehen se herë-herë kanë vështirësi për të mësuar shqipen, thonë se e duan gjuhën që flasin shqiptarët.



Xhovana Nançi nga Kalabria, thotë se nga dëshira që të mësojë gjuhën shqipe, ka arritur që të specializojë dhe të doktorojë për këtë gjuhë.

“Unë jam nga Kalabria, qyteti i Kozencës dhe atje kam filluar studimet për gjuhët e huaja. Pastaj kam zgjedhur të mësoj gjuhën shqipe, sepse atje kemi edhe Departamentin e Gjuhës Shqipe në kuadër të studimeve për komunitetin arbëresh, që janë të shumtë në rajonin e Kalabrisë. Kam pasur interes për gjuhën shqipe për letërsinë dhe vazhdova me specializim dhe tash me doktoraturë. Merrem me përkthime nga shqipja në italisht”, tregon Nançi.

Klaudia Kusi një vajzë e re nga Polonia, së cilës i ka lënë shumë përshtypje afërsia që kanë kosovarët me të huajt, thotë se ka ardhur në Kosovë për të përvetësuar më mirë gjuhën shqipe.

“Unë dua të jem përkthyese në të ardhmen. Gjuha shqipe për t’u mësuar është shumë e vështirë, por unë dua të flas më mirë, prandaj kam ardhur në Kosovë”, thotë Kusi.

Kristian Gashi nga Gjermania, i cili babanë e ka shqiptar, thotë se i ati nuk ka arritur t’ia mësojë gjuhën shqipe, por tash ai vetë është i interesuar që ta mësojë atë:

“Babai im është shqiptar, nënën e kam gjermane, por për fat të keq babai im nuk ma ka mësuar gjuhën shqipe dhe për këtë arsye unë jam këtu për të mësuar gjuhën shqipe sa më perfekt, ashtu siç unë e flas gjermanishten. Gramatika e gjuhës shqipe mua më duket shumë e vështirë”.

Studentja Francis Xhekson nga Britania e Madha, e cila merret me çështjet e Evropës Juglindore, për gjuhën shqipe thotë:

“Flas gjermanisht, rusisht, gjuhën çeke, frëngjisht dhe kam dëgjuar që në Mynih ka kurse të gjuhës shqipe dhe vendosa të shkoj për ta mësuar shqipen. Nuk është aq e vështirë sa gjuha gjeorgjiane, por është më vështirë se gjuha çeke”.

Sofija Turocu nga Hungaria thotë se i pëlqen gjuha shqipe dhe është duke bërë përpjekje maksimale për ta mësuar sa më mirë.

“Për mua kjo gjuhë është shumë e vështirë, por në seminar po bëjmë përpjekje për të mësuar më mirë gjuhën, mësoj shumë gramatikë”, shprehet Turocu.

Aktivitetet që organizohen tradicionalisht çdo vit në kuadër të Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i kanë ndjekur deri më tani qindra e mijëra studentë nga Evropa dhe mbarë bota.

Një nga pjesëmarrësit e këtij seminari është edhe Ukashi nga Polonia.

Ai konsideron se nëse dikush dëshiron të studiojë një gjuhë të një vendi, ai person të paktën një herë gjatë kohës së studimit duhet ta vizitojë atë shtet.

“Unë quhem Ukash dhe vij nga Polonia. Që nga fëmijëria ime kam pasur një interesim që të studioj për gjuhët. Gjuha shqipe është shumë e vështirë për polakët. Në Kosovë është më mirë që të studiohet gjuha, sepse ne këtu kemi kontakte”, thotë Ukashi.

Kurse, Kasna Gajevsak nga Polonia thotë:

“Jam në vitin e parë, studioj Filologji Ballkanike dhe i kam drejtimet në shqip dhe bullgarisht. Gramatika e gjuhës shqipe mendoj se është e vështirë”.

Maqo Baçninski nga Bullgaria tregon për vështirësitë që ka gjatë mësimit të gjuhës shqipe, ndërsa flet edhe për arsyet rreth interesimit të tij në këtë gjuhë.

“Më pëlqen shumë gjuha shqipe, por unë mendoj që është shumë e vështirë, megjithatë tentoj të mësoj më shumë”, shprehet Baçninski.

Ndërsa Premysl Vinsh nga Çekia thotë se ka studiuar kulturën dhe hisorinë shqiptare:

“Unë merrem me gjuhën shqipe prej shumë vjetësh, sepse që nga koha e fëmijërisë kam pasur dëshirë të studioj kulturën dhe historinë shqiptare dhe nga kjo arsye kisha nevojë të mësoja gjuhën. Për mua nuk ka pasur vështirësi, sepse e mësova me vullnet, me qejf, si me një pasion të madh. Kuptohet se kisha vështirësi, por më lehtë e mësova gjuhën shqipe se për shembull gjuhën angleze”.

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, tash e 31 vjet, ka qenë dhe mbetet një urë lidhëse për të arritur deri te njohuritë dhe përvojat shkencore lidhur me albanologjinë.
XS
SM
MD
LG