Ndërlidhjet

Kosova pa përmirësim ekonomik dhe social


Gllogovc (Foto nga arkivi)
Gllogovc (Foto nga arkivi)
Qytetarët e Kosovës edhe për një periudhe shumë të gjatë nuk mund të presin që gjendja e tyre ekonomike e sociale do të përmirësohet, pasi që zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk po reflekton rritje të mjaftueshme ekonomike, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Rritja ekonomike për vitin 2012, e cila ishte parashikuar të jetë mbi 5 për qind ka rënë në 3.8 për qind, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Përderisa gjatë vitit 2011 rritja ekonomike në Kosovë ishte 5 për qind.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në perspektivën afatshkurtër, kjo rritje ekonomike nuk është e mjaftueshme, duke pasur parasysh, siç thekson Rukiqi, që Kosova ka nevojë për dyfishin e rritjes ekonomike aktuale.

“Unë, gjithmonë duke pasur një optimizëm të matur, mendoj që mbajtja e ritmit të rritjes është me rëndësi, po duhet përfundimisht të bëhen përpjekje që të dyfishohet kjo, dhe tash perspektiva mund të jetë në implementimin e suksesshëm të projekteve në energji dhe telekomunikacion, perspektiva mund të jetë në anëtarësimin në BERZH, për shkak se anëtarësimi në BERZH mundëson qasjen e fondeve zhvillimore”, thotë Rukiqi.

Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës kishte treguar trend negativ në ekonominë e Kosovës. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, sipas BQK-së, ka pasur rënie të eksporteve për 24.4 për qind, ngritje të importeve, rënie të dërgesave të emigrantëve për 4.8 për qind, e po ashtu rënie të investimeve të huaja direkte prej 27.6 për qind.



Sipas Rukiqit, këto të dhëna janë treguesi më i mirë për gjendjen, në të cilën ndodhet ekonomia e Kosovës. Kjo rritje ekonomike, thotë Rukiqi, nuk mund ta zbusë papunësinë. Rënia e remitencave, rënia e investimeve ndikojnë që Kosova edhe për një kohë të gjatë të ketë këtë gjendje të vështirë ekonomike, shton Rukiqi.

“Duke pasur parasysh tani që ne kemi nevojë për dyfishim të rritjes ekonomike në mënyrë që të mund ta akomodojmë numrin e madh të punëkërkuesve në një anë, që mund të jenë potencial për destabilizim në nivele apo në aspektin social, dhe të njëjtën kohë të kemi një rritje të të ardhurave dhe të mos mbetet vendi me të ardhurat më të vogla për kokë banori në këtë pjesë të Evropës”, thekson Rukiqi.

Trendët aktual makroekonomikë edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Ismail Kastrati nuk janë të favorshme. Rënia e remitencave dhe investimeve të huaja direkte, kanë ndikuar në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Në gjendje të keqe do të jenë kategoria sociale dhe pensionistët, por edhe të tjetër sa i përket mirëqenies ekonomike dhe sociale.

“Kjo detyrimisht ndikon në rrjedhat ekonomike, e në veçanti në situatën sociale, e cila dita-ditës po rëndohet nga shkaku se papunësia jo që po zvogëlohet, por nuk po mund t’i inkuadrojë as kontingjentin e ri të punëtorëve. Në gjendje të keqe do të jenë kategoria sociale dhe pensionistët, por edhe të tjetër sa i përket mirëqenies ekonomike dhe sociale”, vlerëson Kastrati.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, në vitin 2009, varfëria ishte 34 për qind e gjithë popullsisë.

Sipas këtij raporti, pak më shumë se një e treta e popullsisë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Ndërkaq, papunësia thuhet të jetë mbi 48 për qind.

Kastrati thekson se edhe për një kohë të gjatë Kosova do ta ketë këtë gjendje.

“Angazhimi i strukturave qeverisëse nuk është në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, por kryesisht është i interesuar të realizojë privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe investime në sektorin publik, të cilët nuk kanë punësim të qëndrueshëm, por e zgjedhin përkohësisht problemin e punësimit dhe atë në parametra mjaft të vegjël”, potencon Kastrati.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG