Ndërlidhjet

Prani ndërkombëtare edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes


Për qëndrimin e EULEX-it në Kosovë zyrtarët kanë paralajmëruar një zgjidhje legale kushtetuese.
Për qëndrimin e EULEX-it në Kosovë zyrtarët kanë paralajmëruar një zgjidhje legale kushtetuese.
Derisa drejtuesit e institucioneve të Kosovës thonë se janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë pas procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë, megjithatë në disa institucione të vendit do të qëndrojnë edhe më tutje disa përfaqësues ndërkombëtarë.

Thuhet se zyrtarë ndërkombëtarë do të mbajnë pozitat e tyre në Gjykatën Kushtetuese, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Gjykatën Supreme, Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në Bordin e Agjencisë Kosovare të Pronës, në Bordin Udhëheqës të Trustit dhe në Auditorin e Përgjithshëm.

Kurse, sa i takon misionit të EULEX-it, për qëndrimin e këtij misioni në Kosovë zyrtarët kanë paralajmëruar një zgjidhje legale kushtetuese.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaron se qëndrimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë do të jetë në përputhje me aktin më të lartë juridik të vendit.

“Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, ka të drejtë t’i japë leje kujtdo që ia merr mendja, ndonjë shteti partner apo misioni ndërkombëtar si NATO-ja, OSBE-ja, EULEX-i, pra ato qëndrojnë në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, jo si institucione me fuqinë e tyre ekzekutive pa e pyetur Kosovën, por e kundërta me bartjen e vullnetshme të fuqive juridike dhe politike që u jep Kosova atyre, sipas Kushtetutës dhe akteve tona juridike”, thotë Kuçi.

Me gjithë përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur dhe shuarjes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, që pritet të ndodhë më 10 shtator, njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se Kosova edhe më tutje do të vazhdojë të mbikëqyret nga ndërkombëtarët.

Krenar Gashi, drejtorit ekzekutiv në Institutin për Politika Zhvillimore, lidhur me këtë çështje shpjegon:

“Përmbyllja e pavarësisë së Kosovës më shumë do të duhej të quhej si përmbyllje e misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, se sa e mbikëqyrjes së pavarësisë, për arsye se pavarësia jonë do të vazhdojë të mbikëqyret nga ndërkombëtarët në forma të ndryshme”.

“Kosova, si një eksperiment ndërkombëtar, kur vjen puna te shtetësia, do të jetë e mbikëqyrur dhe unë nuk i shoh si problematike këto çështje, të cilat kanë mbetur jashtë pakos përmbyllëse të mbikëqyrjes së pavarësisë”
, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas analistëve, institucionet e vendit pas mbikëqyrjes së pavarësisë do të përballen me sfidën më të madhe - atë të veriut të Kosovës.

Gashi mendon se Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës edhe për një kohë të gjatë do të vazhdojnë të mbikëqyren nga faktori ndërkombëtar.

“Në njërën anë do të kemi një mbikëqyrje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, për shkak se ne si shtet, si shoqëri, i kemi caktuar vetes një cak të vetëm që është integrimi në Bashkimin Evropian dhe aty do të kemi një mbikëqyrje shumë të rreptë edhe në të ardhmen. Në anën tjetër, për secilin segment të marrëdhënieve ndërkombëtare do të kemi mbikëqyrje të tjera të vazhdueshme dhe kësisoj nuk më duket që në shtator do të përfundojë gjithçka në kuptimin e mbikëqyrjes së pavarësisë”, vlerëson Gashi.

Ndërsa, njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se prania e të huajve në vend, është paraparë edhe me ndryshimin e Kushtetutës, në dispozitat kalimtare.

Sipas tyre, prania e ndërkombëtarëve nuk do të ketë fuqi ekzekutuese dhe se ndërkombëtarët, nw të gjitha ato institucione kosovare që do të jenë të pranishme, duhet të punojnë dhe të funksionojnë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG