Ndërlidhjet

Konkurrencë e padrejtë në ekonomi


Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë kompanitë bëjnë marrëveshje për fiksim çmimesh dhe ndarje të tregut, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve duke shtuar se kjo konkurrencë e padrejtë vazhdon ta dëmtojë ekonominë e vendit.

Për këto parregullsi që bëjnë disa kompani, në vitin 2008 është formuar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Që nga themelimi, ky mekanizëm ka hetuar disa kompani që kanë bërë vepra të tilla.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është organ i pavarur publik, dhe është krijuar në bazë të Ligjit mbi konkurrencën.

Në bazë të këtij ligji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba nga 10 mijë euro për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro për kompani.

Anëtari i këtij mekanizmi, Halit Shabani, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë duke bërë përpjekje maksimale që ta luftojnë konkurrencën e padrejtë që bëhet në Kosovë, pasi që kjo, siç thotë ai, po e dëmton zhvillimin ekonomik.

“Realisht, fiksimi i çmimeve, ndarja e tregut, konkurrenca e padrejtë po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës, dhe në bazë të ligjit jemi duke e luftuar këtë dukuri. Konform ligjit edhe i ndëshkojmë bizneset që bëjnë këtë vepër”, thotë Shabani.

Por, pavarësisht, se dukuria e konkurrencës së padrejtë është mjaft e pranishme në Kosovë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që nga viti 2010 nuk ka gjobitur ndonjë kompani.




Në ueb faqen (http://ak.rks-gov.net/?cid=1,14,10) e këtij organi të pavarur figuron 1 shtatori i vitit 2010 kur Komisioni Kosovar i Konkurrencës kishte ndëshkuar me nga 100 mijë euro kompanitë për shitjen e arkave fiskale.

Nisur nga kjo, Shabani thotë se luftimi i kësaj dukurie është punë mjaft e vështirë.

“Në realitet, është vështirë të luftohet kjo dukuri, duke pasur parasysh rrethanat ekonomike dhe politike që gjendet Kosova. Duke pasur parasysh edhe pjesën veriore të Mitrovicës është e vështirë të luftohet kjo dukuri, por ne po bëjmë përpjekje që brenda mundësive që i kemi, të kontrollojmë dhe të veprojmë”, thekson Shabani.

Mjaft shqetësuese, sipas Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë është fiksimi i çmimeve. Ata thonë se ditë më parë kanë evidentuar një grup operatorësh ekonomikë, të cilët bëhen bashkë dhe caktojnë një çmim të një artikulli apo shërbimi.

Duke u nisur nga këto shkelje, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se derisa këta operatorë po mendojnë se në këtë mënyrë po e mbrojnë veten nga konkurrenca e padrejtë, ata po bëjnë shkelje të konkurrencës së drejtë.

“Nëse flasim në terma absolut, mund të themi se nuk ka konkurrencë të lirë, apo të plotë në Kosovë. Por, gjithsesi besoj se Kosova ka krijuar një sistem të mirëfilltë dhe është duke i zbatuar ato parime kushtetuese për një ekonomi të lirë, janë themeluar institucione që të bëjnë respektimin e këtyre parimeve”, shprehet Zeka.

Ekonomia e Kosovës, shton Zeka, po dëmtohen jashtëzakonisht shumë nga konkurrenca e padrejtë. Për këtë, thotë ai, duhet të vetëdijesohen bizneset.

“Ekziston një mungesë e vetëdijes së disa kompanive ta caktuara se fiksimi i çmimeve është konkurrencë e padrejtë. Këto kompani, për shkak të ekzistimit të formave të ndryshme të konkurrencës jo legale, mendoj që përmes caktimit të çmimeve po mendojnë rregullimin e konkurrencës, por kjo dhe çdo formë tjetër e tillë e pengon konkurrencën e lirë dhe pasojat i bartë vetë konsumatori”, sqaron Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG