Ndërlidhjet

Bordet e ndërmarrjeve publike, të politizuara


Ilustrim
Ilustrim
Drejtorët në bordet e ndërmarrjeve publike po emërohen në bazë të lidhjeve politike dhe kjo po ndikon në mosfunksionimin e duhur të këtyre ndërmarrjeve, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet, kanë inkuadruar militantët e tyre në bordet e ndërmarrjeve.

Shkëmb Çavdërbasha, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë se bordet e ndërmarrjeve publike janë të politizuara. Ai shprehet se gjatë shpalljes së konkurseve për këtë vend pune, nuk respektohen kriteret e kërkuara në bazë ligjore.

“Gjatë procesit të përzgjedhjes, ne kemi parë shumë shpesh që personat që nuk i përmbushin kërkesat e parashtruara me ligj, për emërim në bordet e ndërmarrjeve publike, përzgjidhen”.

“Shpjegimi për këtë është se në shumë raste ka ndërhyrje politike në përzgjedhjen e drejtorëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, influencë politike e cila limiton aftësinë e personave përzgjedhës, për të zgjedhur kandidat të përshtatshëm profesionalisht
”, thotë Çavdërbasha.

Edhe përfaqësues të Lëvizjes “Fol” pohojnë se që nga marrja e kompetencave nga institucioneve vendore për emërimin e anëtarëve të bordeve, ka pasur keqpërdorim dhe jo transparencë.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv në këtë lëvizje, pohon se në këtë mënyrë partitë e ndryshme politike përfitojnë nga tenderët dhe, siç shprehet ai, keqpërdorimi i parasë publike.

“Rehabilitimi i militantëve të koalicioneve qeveritare, te disa njerëz që i kanë mbështetur në një kohë apo kohë tjetër. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është edhe hapja e tenderëve në kompani të ndryshme publike, që sjellin benefit të madh për ta - partitë politike dhe pushtetarët”, shprehet Zogaj.

Por, Çavdërbasha thekson se drejtorët e bordeve nuk janë anëtarë të ndonjë subjekti politik, pasi për një pozitë të tillë nuk lejon ligji, por në mënyrë indirekte mbështesin parti të caktuara politike.

“Personat e përzgjedhur nuk janë drejtpërdrejt të anëtarësuar në partitë politike, ata kanë lidhje në parti politike, qoftë duke qenë kandidat për pozita publike të një partie ose tjetrës, ose duke pasur lidhje me ndonjë parti ose në mënyra të ndryshme”, thekson Çavdërbasha.

Edhe eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thekson se emërimi i personave jo profesionistë është një ndër arsyet kryesore në performancën e dobët të ndërmarrjeve publike.

Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
Sadiku rikujton se raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se niveli më i lartë i korrupsionit paraqitet në ndërmarrjet publike.

“Nevojat janë që të kemi profesionistë të vërtetë dhe në anën tjetër nëse këto ndërmarrje nuk performojnë si duhet, atëherë rritet presioni për privatizimin e tyre”, vlerëson Sadiku.

Ndryshe, në konkurset e shpallura për drejtor të bordeve të ndërmarrjeve publike, gjithmonë konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Në konkursin e fundit për 12 vende pune, patën aplikuar 1700 kandidatë. Kjo, sipas përfaqësuesve të OJQ-ve, është dëshmia më e mirë për “luftën” e zhvilluar për këtë pozitë.

Ata thonë se pagat në këtë sektor janë shumë më të mëdha sesa mesatarja e pagave në vend, ndërsa shtohen edhe mundësitë për punësim të anëtarëve të familjeve të tyre në ndërmarrjet e caktuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG