Ndërlidhjet

Veriu i Kosovës, vend për kontrabandë


Kontrabanda me ilaçe në veri
Kontrabanda me ilaçe në veri
Autoritetet e rendit kanë kapacitete të limituara për ta kontrolluar veriun e Kosovës, andaj kontrabanda dhe krimi i organizuar në atë pjesë mbesin shqetësim për institucionet e vendit.

Aktualisht, në brezin kufitar në veri të Kosovës, qëndron Polica e Kosovës, Doganat e Kosovës, policia e EULEX-it dhe KFOR-i.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, thotë për Radion Evropa e Lirë se KFOR-i dhe EULEX-i e kanë përgjegjësinë më të madhe për të kontrolluar kufijtë në veriun e Kosovës.

“KFOR-i e ka prezencën më të madhe dhe përgjegjësia më e madhe i bie KFOR-it dhe EULEX-it, por edhe Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës në veri ka kapacitete të limituara dhe në të ardhmen sigurisht do të rriten edhe atje”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, autoritetet policore tregojnë se në disa raste paraqiten vështirësi në kontrollim të mirëfilltë të kufirit, edhe pse, sipas tyre, Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme, që të mbajë nën kontroll gjithë territorin e Kosovës.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, jep më shumë hollësi:

“Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme që të mbajë nën kontroll gjithë territorin e Kosovës, por sa i përket veriut, atje është komponenta policore e KFOR-it dhe EULEX-it dhe bashkërisht kanë asete të mjaftueshme, por në disa raste paraqiten edhe vështirësi në kontroll të mirëfilltë të kufirit”.

Megjithatë, konsiderohet se me një kontroll më të madh të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, në një farë forme gjatë këtij vitit janë zbehur aktivitetet e kontrabandës.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, bën të ditur, se me vendosjen e doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31, kanë rënë dukshëm hyrjet ilegale të mallrave nga Serbia.

“Ka informata që ka hyrje ilegale përmes rrugëve dytësore, por që janë dukshëm më të vogla se para vendosjes së doganierëve”, konfirmon Stavileci.

Sipas zyrtarëve institucionalë, mallrat më të kontrabanduara nga Serbia në rrugë ilegale janë produktet medicinale, për shkak të, siç thonë ata, vëllimit të vogël dhe vlerës së madhe që kanë.

Së fundmi edhe Shoqata Farmaceutike e Kosovës ka reaguar për moskontroll të barnave që futen nga rrugët ilegale, duke pohuar se Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale në veri të Kosovës deri më tash, nuk ka pasur qasje dhe nuk ka kontrolluar asnjëherë medikamentet që kanë hyrë nga Serbia.

Besim Muzaqi, kryetar i Shoqatës së Farmacistëve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se secili medikament që shkëputet nga zinxhiri i transportit legal, është i dyshimtë dhe i dëmshëm.

“Barnat, të cilat shkëputen nga zinxhiri i transportit legal dhe hyjnë ilegalisht, nuk meriton as të quhen barna, sepse ato mund të mos jenë të sigurta dhe janë shumë të dyshimta. Andaj ne jemi kundër këtij fenomeni”.

“Pjesa veriore ka probleme të ndryshme politike dhe aty nuk kontrollohen pikat 1 dhe 31 nga Qeveria jonë, andaj aty ka shanse të mëdha të kontrabandohen barna”,
thekson Muzaqi.

Mungesa e zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, dhe vetë konfiguracioni i kufirit të Kosovës me Serbinë, bën që kontrabanda të mos ndalet në mënyrën e duhur, pohojnë vetë zyrtarë institucionalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG