Ndërlidhjet

S’ka dyshim se do të ketë dialog për veriun


Mitrovicë, foto nga arkivi.
Mitrovicë, foto nga arkivi.
Nuk ka asnjë pikë dyshimi që Qeveria e Kosovës do të hyjë në dialog për veriun e vendit me Qeverinë e sapoformuar serbe, por mbetet pikëpyetje se cili do të jetë opsioni që çështja e veriut të përmbyllet, thuhet në studimin që Klubi për Politikë të Jashtme e ka bërë përmes analizave të fakteve, të cilat flasin për veriun e Kosovës.

Alban Bokshi, drejtor ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, i cili të premten shpaloi studimin me titull “Veriu atje larg”, thekson se pozicionet e palëve në konflikt, Prishtinës dhe Beogradit, reflektojnë situatën e ngrirë në veri.

Bazuar në analizat, ai thotë se i ashtuquajturi “plani gjashtë-pikësh”, i cili në vitin 2008 ishte paraqitur nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, duket se është ringjallur si një mënyrë për të zgjidhur problemin e veriut.

“Përderisa, kur është prezantuar ‘plani gjashtë-pikësh’ prej Ban Ki-munit, ka qenë i përkohshëm, thuhet në raportin e Ban Ki-munit, tash këto gjatë pika do të vendosen si plan i përhershëm për zgjidhjen e çështjes së veriut. Mirëpo, nëse merren këto gjatë pika, atëherë po del se nuk do të diskutohet më vetëm për veriun, por po del që ndoshta po hyjmë në negociata për status, përsëri, sepse ky plan gjashtë-pikësh do të ndikojë në rregullimin kushtetues të brendshëm të Kosovës”.

“Nuk do ta lë Kosovën siç është tash ose siç ka qenë më herët. Nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për këtë plan gjashtë-pikësh, ose plani që gjashtë-pikësh duhet të jetë baza mbi të cilën do të negociohet, atëherë ne, faktikisht, po hyjmë në negociata për status”, thotë Bokshi.

Bokshi e quan kontradiktore ofertën e Qeverisë së Kosovës për veriun e vendit, që nënkupton Planin e Ahtisarit, ndërkohë që në anën tjetër priten negociatat për veriun.

“Kjo kontradiktë, mendoj se nxjerr në pah faktin që Beogradi është faktor në veri të Kosovës, Beogradi është faktor sa i përket rregullimit të problemit të veriut - Mitrovicës së veriut dhe tri komunave atje - dhe prandaj po kërkohen edhe po kërkohen negociatat politike”.

“Negociatat janë të pashmangshme dhe nëse shkohet në këtë formë siç po duket se do të shkohet, atëherë do të kemi një ri-rregullim të brendshëm të Kosovës, që do ta prekë edhe Kushtetutën e Kosovës nga brenda, si dhe kufijtë e jashtëm të Kosovës. Mbi të gjitha, asgjë nuk garanton që kjo do të jetë zgjidhje finale. Kemi një qeveri në Serbi, e cila mund ta pranojë këtë plan, këtë zgjidhje, si të përkohshme, deri në arritjen e hapit final, shkëputjen e veriut të Kosovës”, shton Bokshi.

Ai thekson se është e vështirë të jepet ndonjë rekomandim ose mendim se cila mund të jetë zgjidhja në situatën e krijuar.

Në anën tjetër, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, në mënyrë kategorike kanë deklaruar se e përjashtojnë mundësinë që të bisedohet për “sovranitetin, pavarësinë, si dhe tërësinë territoriale të Kosovës”.

Por, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se vazhdimi eventual i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjithsesi do të ketë domethënie politike.

Beqaj beson se çdo variant, përfshirë edhe “planin gjashtë-pikësh” të Ban Ki-munit, “planin pesë-pikësh” të ish-kryetarit serb Boris Tadiq, ose edhe autonomia substanciale, të cilën së fundit e ka përmendur kryetari i ri serb, Tomisllav Nikoliq, do të jenë pjesë e, siç e quan ai, lojës. Këtë të fundit, Beqaj e quan si opsion mjaft të rrezikshëm.

“Unë konsideroj se kjo oferta e fundit, që e zbuloi pikërisht sot Nikolliq, se shqiptarëve do t’ua bëjë ofertën që të jetojnë sikurse gjermanët në Itali, përkatësisht gjermanët në Belgjikë, pa të cilët nuk mund të merret asnjë vendim në Parlament, si duket kjo ofertë është drejtuar shqiptarëve në Kosovë për një autonomi esenciale".
Por, këtë ofertë që ua ka drejtuar shqiptarëve, në fakt, në fund do ta kërkojë për serbët në Kosovë...

"Por, këtë ofertë që ua ka drejtuar shqiptarëve, në fakt, në fund do ta kërkojë për serbët në Kosovë, që, sipas mendimit tim, megjithatë, është njëkohësisht e dëmshme, sikurse edhe çështja e shkëputjes, ndarjes apo një autonomie tjetër me status të veçantë”, vlerëson Beqaj.

Ndryshe, studimi i Klubit për Politikë të Jashtme, jep vlerësimin se çfarëdo zgjidhje që propozohet për veriun e Kosovës, nuk mund ta përjashtojë Serbinë si faktor.

Alban Bokshi thotë se pa ndërhyrjen e forcave të rendit nuk mund të vendoset rendi dhe ligji. Por, sipas Bokshit, Kosova e ka çarmatosur veten për shkak se autoritetet e saj e kanë përjashtuar përdorimin e dhunës për zgjidhjen e çështjes së veriut.
XS
SM
MD
LG