Ndërlidhjet

Konfiskohen targat e Serbisë në Kosovë


Targa të Serbisë - foto nga arkivi
Targa të Serbisë - foto nga arkivi
Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me tabela që mbajnë inicialet e qyteteve të Kosovës dhe të cilat i lëshon shteti i Serbisë, ka nisur të zbatohet që nga 1 qershori, dhe tashmë janë shënuar rezultatet e para që burojnë nga ky vendim.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i Ministrit të Brendshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.

Në bazë të raporteve ditore që i kemi pranuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Trafikut, mund të vlerësojmë se vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke u zbatuar. Tani më Policia e Kosovës ka konfiskuar disa targa të tilla, të cilat janë jo legale për të qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës”, shprehet Rexhepi.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se deri më tash, zyrtarët e kësaj policie kanë shënuar 3 raste të konfiskimit të tabelave jolegale, dy në rajonin e Prishtinës dhe 1 në rajonin e Gjilanit.

Por, sipas tij, qarkullimi i automjeteve me targa jolegale ka rënë dukshëm, ndërkohë që qytetarët që deri më tash kanë poseduar targa të tilla për automjetet, tashmë po pajisen me targat legale, të cilat i lëshon Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës.

Pajisja me targa të reja është çështje e Departamentit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme për lëshimin e tabelave. Në bazë të kontakteve që ne kemi me këtë departament vërehet një numër i madh i qytetarëve të nacionalitetit serb, të cilët kanë përdorur më herët këto tabela (jolegale), që janë duke u pajisur me targa, qoftë RKS qoftë KS”, thotë Sadiru.

Ndryshe, vendimi për ndalimin e targave të shtetit serb me inicialet e qyteteve të Kosovës, vjen si rezultat i marrëveshjes në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është zhvilluar në Bruksel.

Në anën tjetër, politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, vlerëson se vendimi i Ministrisë së Brendshme për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa, të cilat i lëshon shteti serb, si dhe zbatimi i këtij vendimi, janë formë e presionit ndaj serbëve të Kosovës nga ana e institucioneve të vendit.

Ajo e pranon faktin se qarkullimi i automjeteve me targa jolegale ka rënë dukshëm, për shkak se, sipas saj, pronarët serb të automjeteve janë frikësuar se ato mund t’iu konfiskohen nga organet e rendit, si dhe gjobat e mundshme lidhur me këtë çështje.

Të gjitha këto vendime që dalin nga marrëveshjet që janë arritur në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, janë shumë represive ndaj serbëve. Prishtina po i shfrytëzon banorët serb në Kosovë për hakmarrje, nëse, sipas tyre, Serbia nuk po i respekton ato marrëveshje”.

Ne në fakt nuk e dimë esencën e atyre marrëveshjeve. Nga njëra anë, ne nuk jemi informuar nga shteti amë se ka arritur këso marrëveshjesh. Ajo ende i jep targat në qendrat policore, jashtë Kosovës. Prandaj ne llogarisim se kështu ka qenë marrëveshja”, thotë Trajkoviq.

Lidhur me çështjen të cilën e shtron zonja Trajkoviq, Rexhepi përgjigjet:

Sa u përket zyrtarëve serbë, ata me dëshirë tentojnë të krijojnë konfuzion. Marrëveshja e lirisë së lëvizjes e arritur vitin e kaluar në Bruksel është shumë e qartë, pika e 6-të e kësaj marrëveshje thotë që territorin e republikës së Kosovës do të qarkullojnë vetëm targat KS ose RKS. Po ashtu edhe Bashkimi Evropian, lehtësues i dialogut në tërësi dhe i kësaj marrëveshje e garanton një gjë të tillë”, thekson ai.

Por, Trajkoviq, akuzon institucionet e Kosovës se po zbatojnë standarde të dyfishta ndaj serbëve të Kosovës qendrore dhe atyre që jetojnë në veri të vendit.

Sipas saj, institucionet e Kosovës nuk po e zbatojnë vendimin për targat jolegale edhe në veri.

Nëse Qeveria e Kosovës mendon se Kosova është e pandashme, atëherë do të ishte e natyrshme që të mendojë se ajo që nuk mund të zbatohet në të gjithë hapësirën e Kosovës, të mos zbatohet në mënyrë selektive, në grupet ose hapësirat e caktuara, ku jetojnë serbët dhe aty ku mund të shtypen pamëshirshëm”, shprehet Trajkoviq.

Por, Rexhepi pajtohet se veriu i vendit ka specifika e veta dhe se aty ka vështirësi sa i përket zbatimit të vendimit të Ministrisë së Brendshme lidhur me targat jolegale.

Ne tanimë edhe në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak po i këshillojmë të gjithë drejtuesit e automjeteve që të pajisen me targat e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kenë lirinë e lëvizjes gjithandej vendit, sepse nuk besojmë që është edhe në interesin e qytetarëve të komunitetit serb që të mbeten të izoluar dhe të mos e kenë lirinë e lëvizjes”.

Nëse refuzojnë, atëherë instruksionet për Policinë e Kosovës janë mjaft të qarta. Policia e Kosovës do t’i ndaloj këto automjete dhe të njëjtat do ti procedojë në gjykatat përkatëse për kundërvajtje”.

Ndryshe, afati fillestar për ri-regjistrimin e automjeteve me targa legale ka qenë 31 dhjetori i vitit të kaluar, por, për shkak të nevojave në terren, është zgjatur disa herë. Deri në vendimin e fundit të Ministrisë së Brendshme lidhur me targat jolegale, qytetarët serbë kanë regjistruar 6 mijë e 100 vetura dhe janë pajisur me targa legale.
XS
SM
MD
LG