Ndërlidhjet

Mbijetesa e kulturës me 1 për qind të buxhetit shtetëror!


Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport
Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport
Niveli i zhvillimit të kulturës dhe artit në Kosovë është pasqyrë e investimeve jo të mjaftueshme të institucioneve të vendit në këtë fushë, vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve kulturore në vend dhe atyre qeveritare, përgjegjëse për kulturën.

Sipas tyre, pavarësisht se vërehet një rritje e lehtë e këtyre investimeve në vitin e fundit, kërkesat vazhdojnë të jenë shumë të mëdha dhe krahasuar me mundësitë buxhetore, plotësimi i këtyre kërkesave është minor.

Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, thotë se krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar, i cili ishte rreth 13 milionë euro, buxheti i kësaj ministrie për këtë vit është 18 milionë euro, ndërkohë që rreth 40 për qind e këtij buxheti është dedikuar për zhvillimin e kulturës në vend dhe mbështetjen e institucioneve të kulturës.

Haxhijaj thotë se kjo ministri, në vazhdimësi i subvencionon Teatrin Kombëtar në Prishtinë, Filharmoninë e Kosovës, Baletin e Kosovës, Galerinë e Arteve të Kosovës, Ansamblin Kombëtar Shota, Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe Kosova-Filmin.

“Ka një rritje dikur rreth 40 për qind. Është shuma totale 1 milion e 863 mijë euro. Tash, prej kësaj shume, ndahen dy kode buxhetore në kuadër të Departamentit të Kulturës. Një kod është për institucionet për kulturën, do të thotë institucionet që janë në kuadër të Ministrisë së Kulturës”.

“Ndërsa, e kemi edhe pjesën tjetër që ndahet për kulturën. Në fakt, kështu thirret si kod buxhetor, që ka të bëjë me këtë pjesë, qoftë për teatrot komunale, qoftë për iniciativat tjera private ose të organizatave joqeveritare
”, bën të ditur Haxhijaj.

Në anën tjetër, drejtuesit e institucioneve reprezentative të kulturës, pavarësisht se e vlerësojnë ende të pamjaftueshëm investimin në zhvillimin e artit dhe kulturës, ata thonë se për herë të parë këtë vit, pagat e artistëve kanë lëvizur në drejtim pozitiv.

Burbuqe Berisha, drejtore e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, thekson se institucionet qeveritare përgjegjëse për kulturën, krahasuar me vitet paraprake, këtë vit kanë investuar në kapacitetet njerëzore dhe artistike.

“Në pjesën e kapacitetit njerëzor dhe artistik është investuar dhe në njëfarë forme, diku për 20 deri 30 për qind i kemi ngritur edhe honoraret dhe të gjitha shpenzimet tjera që vijnë”.

“Gjithashtu në Teatrin Kombëtar është bërë një e mirë, si dhe për të gjitha institucionet kulturore. Në fakt, janë legalizuar punëtorët artistikë që punojnë në institucionet kulturore tona dhe është hera e parë që janë ngritur rrogat në kulturë për rreth 130 për qind”, thotë Berisha.

Ndryshimi nga kontratat mbi vepër në kontratë të punës, e cila u është ofruar punëtorëve në institucionet kulturore, vlerësohet pozitivisht edhe nga Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës.
Që nga viti i kaluar është bërë një lëvizje e dukshme, pas 10 vjet të ngecjes në këtë rrafsh, u legalizuan vendet e punës.

“Që nga viti i kaluar është bërë një lëvizje e dukshme, pas 10 vjet të ngecjes në këtë rrafsh, u legalizuan vendet e punës. Tani mbetet që niveli i financimit të rritet me hapa më të shpejtë”, shprehet Jashari.

Por, sipas drejtuesve të këtyre dy institucioneve, investimet për realizimin e projekteve artistike mbeten ende shumë të mangëta. Burbuqe Berisha, thotë se investimet gati se janë përgjysmë të atyre që janë të nevojshme.

“Nëse do ta punonim mirë, ashtu siç duhet, atëherë, asnjë shfaqje nuk do të realizohej nën 100 mijë euro. Por, ne, kryesisht këtë vit e kemi produksionin e katërt dhe e kemi një kosto nën 50 mijë euro. Jemi munduar të kursejmë buxhetin, për arsye se kemi edhe shumë paraqitje ndërkombëtare dhe të jemi racionalë në shpenzimin e buxhetit”, sqaron Berisha.

Edhe Jashari shprehet ngjashëm. Ai nuk fajëson Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për investime të pakta, por kritikon të gjitha qeveritë e deritashme të vendit, të cilat buxhetin për këtë ministri e ndajnë, sipas tij, tejet të vogël.

“Unë mendoj që realisht buxheti i Ministrisë së Kulturës, i cili, natyrisht, do të reflektohej edhe në institucionet, do të duhej të ishte tri herë më shumë sesa tani, për një punë normale jo vetëm të Filharmonisë, por edhe të gjithë sektorëve tjerë të kulturës”, thekson Jashari.

Por, Haxhijaj thotë se kërkesat për mbështetje të projekteve të caktuara kulturore dhe artistike janë tejet të mëdha:

“Në konkursin e projekteve, që i kemi për çdo vit, në Ministrinë e Kulturës, këtë vit na kanë ardhur mbi 5 milionë e gjysmë kërkesa. Ndërsa, dihet se mjetet që kemi pasur në këtë kod, që t’i mbështesim, kanë qenë të limituara. Ato janë 609 mijë euro”.

Ndryshe, Haxhijaj thotë se zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë të vetëdijshëm që buxheti, të cilin e kanë, është i pamjaftueshëm për t’i plotësuar kërkesat që ekzistojnë në fushën e kulturës.

Por, siç shprehet ai, një prej shkaqeve që buxheti të jetë i vogël për këtë ministri, rreth 1.2 e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, është edhe për faktin se kultura nuk është në krye të agjendës së Qeverisë së vendit.
XS
SM
MD
LG