Ndërlidhjet

Kosovë: Afat shtesë për reformat zgjedhore



Kuvendi i Kosovës i ka dhënë një afat shtesë prej tre muajve komisionit ad-hoc për amandamentimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli, ka paraqitur nevojat për zgjatjen e afatit prej tre muajsh, pasi që sipas tij, në këtë ligj ka ende nevojë për përmirësimin e gabimeve, të cilat janë hasur në ligjin ekzistues.

Gjatë punës së vet, komisioni ka hasur në vështirësi të mëdha lidhur me sistemin zgjedhor dhe elementet përbërëse të tij, siç janë: numri i zonave zgjedhore, natyra e listave zgjedhore, ta hapura apo të mbyllura. Pragu zgjedhor, vota preferenciale, si dhe sistemi i shpërndarjes së ulëseve në Parlament”.

Para komisionit janë paraqitur pesë propozime lidhur me numrin e zonave zgjedhore, kurse te ne (nëntë anëtarët e komisionit), ka qenë e pamundur të arrihet pëlqimi dhe numri i votave të mjaftueshme për cilindo prej këtyre propozimeve”, bëri të ditur Demolli.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Halit Krasniqi, deklaroi se një afat shtesë prej tre muajve është i domosdoshëm për komisionin, pasi që, siç u shpreh ai, në ligj ka ende shumë punë për t’u bërë.

Është e domosdoshme koha prej tre muajsh”, tha Krasniqi.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, pavarësisht vazhdimi të afatit kohor të punës për këtë komision, tha se “nëse nuk punohet në komisionin përkatës, punët nuk do të përfundojnë asnjëherë”.

Qëndrimi i LDK-së është që gjerat të mos prolongohen, të mos shtyhen. Edhe them se nëse vazhdohet kësisoj, jo tre muaj, po as gjashtë muaj, e as një vit nuk do t’iu mjaftojë”, vlerësoi Beqiri.

Kurse, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se në komisionin për amandamentimin e ligjit për zgjedhje, ka shumë parregullsi dhe të pavërteta, të cilat po ndodhin.

Them të pavërteta për faktin se vërehet një tendencë për të krijuar përshtypjen se komisioni, gjatë këtij një viti paska punuar shumë. E aq shumë që paska punuar, nuk i paskan mjaftuar as 8 muaj, e as 12 muaj, dhe po i kërkon edhe tre muaj, kjo është e pavërtetë”.

Gjithashtu, aty krijohet bindja se të gjitha subjektet politike i kanë sjellur qëndrimet në komision për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet, por pasi që të janë të ndryshme, nuk kemi mundur të gjejmë një konsensus - edhe kjo është një e pavërtetë. Subjektet nuk i kanë sjellë qëndrimet e tyre, dhe nuk kanë sjellë analiza konkrete, veç se i kanë përmendur ato”, shpjegoji zonja Haxhiu.

Ajo tha se komisioni pas marrjes së afatit kohor shtesë, menjëherë duhet të merret me hartimin e kodit zgjedhor, përcaktimin e listës së votuesve, dhe regjistrin civil.

Por, sipas Haxhiut, komisioni po ashtu duhet ta rregullojë ligjin që “gjatë procesit të votimit, qytetarët të votojnë vetëm dokumentet e Republikës së Kosovës”.

Kryetari i komisionit për amandamentimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Haki Demolli, tha për Radion Evropa e Lirë se cilat janë sfidat me të cilat pritet të ballafaqohen në vazhdim të punës në komision.

Ne mendojmë se problemi më i madh do të jetë çështja e zonave zgjedhore. Këto çështjet tjera, siç janë pragu zgjedhor, vota preferenciale edhe çështjet e tjera të sistemit zgjedhor janë disi më të arritshme”, tha Demolli.

Kuvendi i Kosovës, më 7 prill te vitit të kaluar, pati miratuar një rezolutë në bazë të së cilës u themelua komisioni për amandamentimin e Kushtetutës dhe komisionin për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet.

Qëllimi kryesor i reformave zgjedhore është që nga një zonë, të ketë më shumë zona.

Formimi i këtyre komisioneve ishte rezultat i marrëveshjes Thaçi - Mustafa - Pacolli, me të cilën marrëveshje ishte tejkaluar edhe problemi i zgjidhjes së presidentit.
XS
SM
MD
LG