Ndërlidhjet

Pastrimi i parave lëshon rrënjë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dukuria e pastrimit të parave në Kosovë është mjaft e pranishme në Kosovë, thonë njohës për çështje ekonomike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend, ndërsa përpjekjet për të luftuar këtë dukuri, sipas tyre, janë të pamjaftueshme.

Ibrahim Rexhepi thotë se paratë e fituara me aktivitete të dyshimta dhe që synojnë të legalizohen përmes investimeve të ndryshme nuk është shumë vështirë të zbulohen në Kosovë.

Sipas Rexhepit, të ardhurat ligjore të personave, të cilët janë të obliguar të deklarojnë pasurinë, janë në shpërpjesëtim të madh me pasurinë e tyre të paluajtshme.

“Nëse kemi parasysh zhvillimet ekonomike në Kosovë, atëherë del një shpërputhje e madhe në shifra, që lënë hapësirë për të dyshuar se ka shpëlarje parash, ka prejardhje të dyshimtë të parasë, e cila futet në qarkullime ilegale”, thotë Rexhepi.

Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, që merren më parandalimin e korrupsionit, theksojnë se Kosova është shndërruar në një vend të përshtatshëm për shpëlarje të parave.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv në Lëvizjen “Fol”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vetë fakti se viteve të fundit biznese dhe njerëz të caktuar janë pasuruar shumë shpejt, është shqetësuese dhe kjo lë hapësirë të kuptohet se pasurimi i tyre ka ndodhur, siç thotë ai, nga paratë e pista.
Pas luftës, nga viti 1999 e këndej, kemi parë biznese që kanë triumfuar jashtëzakonisht shpejt, politikanë që janë pasuruar po ashtu shpejt...

“Pas luftës, nga viti 1999 e këndej, kemi parë biznese që kanë triumfuar jashtëzakonisht shpejt, kemi parë politikanë që janë pasuruar po ashtu shpejt, por nuk kemi parë deklarata të prejardhjes së pasurisë dhe gjithçka tjetër që lidhet me paranë e pistë”, shprehet Zogaj.

Pastrimi i parave është kthimi i të ardhurave të realizuara me mjete të paligjshme në pasuri, të cilave është e vështirë t’u gjendet origjina e krimit.

Ibrahim Rexhepi konsideron se disa nga aktivitetet që në Kosovë shoqërohen me pastrim parash, janë trafiku i drogës, përvetësimi i fondeve publike, përfitimi nga ekonomia joformale, e konkretisht nga sektori i ndërtimtarisë.

“Sipas disa hulumtimeve ndërkombëtare, në Kosovë ka edhe trafikim të madh të substancave narkotike, të cilat para kthehen dhe në forma të ndryshme, qoftë si investime apo përmes kanaleve të ndryshme, ndoshta edhe përmes sistemit bankar bëhet shpëlarja”.

“Por, realisht hapësira më e përshtatshme është ndërtimtaria, ku edhe sipas të dhënave zyrtare ka një shkallë të lartë të informalitetit, që do të thotë shumëçka zhvillohet jashtë kornizave ligjore”, thekson Rexhepi.

Ndërkaq, Petrit Zogaj, nga Lëvizja “Fol”, thotë se kjo dukuri nuk po luftohet nga autoritetet përkatëse.

“Nga institucionet përkatëse, të cilat do të duhej ta vëzhgonin këtë problematikë, nuk kemi parë asnjë herë raportime për nivelin e shpëlarjes së parave në Kosovë. Një mbikëqyrje më e madhe nga ana e Inteligjencës Financiare, nga ana e Prokurorisë, Policisë, do të shkonte në funksion të identifikimit eventual të shpëlarjes së parave në nivel të Kosovës”, konsideron Zogaj,

Institucioni kryesor për luftimin e pastrimit të parave në Kosovë është Qendra e Inteligjencës Financiare, qendër kjo që gati dy vjet ka kaluar nën kompetencat e Ministrisë së Financave.
XS
SM
MD
LG