Ndërlidhjet

Debat akuzash për veriun


Mitrovicë...
Mitrovicë...

Gjendja dhe zhvillimet në veri të Kosovës kanë përplasur sërish pozitën dhe opozitën në Kuvend.

Ishte kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ai i cili ka drejtuar një mori kritikash në adresë të partive opozitare, pas vendimit të tyre që ta braktisin seancën e djeshme për gjendjen në Mitrovicën veriore.
Thaçi tha se largimi i opozitës nga seanca ka dëshmuar edhe njëherë se thirrjet e tyre për debat dhe veprime urgjente në veri kanë qenë vetëm marketing dhe një fushatë e hershme politike.

Ai ka akuzuar sidomos Lëvizjen Vetëvendosje për adresimin e fajit, siç tha ai, për zhvillimet në veri në adresë të komunitetit serb, çka sipas Thaçit është një perceptim i gabuar dhe i rrezikshëm.

Përderisa ne të gjithë i ftojmë autoritetet në Maqedoni që të mos drejtohet gishti kundër një komuniteti për vrasjen e pesë qytetarëve në Maqedoni, disa deputetë këtu e bëjnë gabimin e njëjtë kur e drejtojnë gishtin kundër një komuniteti për vrasjen e Selver Haradinajt, pa folur drejtësia. Ky është gabim i madh”, është shprehur Thaçi.

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Ndaj deklaratave të Thaçit ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu.

Ai tha se Vetëvendosje në asnjë rast nuk e ka fajësuar komunitetin serb, por strukturat e pushtetit të Serbisë në Kosovë për gjendjen dhe zhvillimet në veri.

Mua nuk më rastisi që të dëgjoj që dikush të fajësojë dikë në baza etnike apo të komunitetit si thotë kryeministri. Kur flasim për strukturat në veri, ne themi strukturat e Serbisë, i emërtojmë ato si armiqësore, si ilegale. Pra, shumë thjeshtë gishti duhet t’u drejtohet strukturave të organizuara armiqësore të Serbisë në veri. Ato janë atje, e mbajnë rendin nuk lejojnë institucionet e Kosovës, e ndalojnë edhe EULEX-in e KFOR-in. Pra, shumë thjeshtë janë përgjegjëse”, ka thënë Aliu.

Debatet kanë vazhduar edhe më pas, kur kryeministri Thaçi, i cili të enjten ishte mjaft i disponuar që të replikonte, tha se kjo opozitë po kërkon ndërhyrje me forcë në veri, çka sipas tij, do të kishte pasoja të rënda politike dhe sigurie për vendin.

Nuk mund t’i kuptoj, arsyetoj dhe nuk pajtohem dot me thirrjet e shkëputura të ndonjë deputeti për përdorimin e forcës. Secili prej jush do të mund ta kishte idenë se çka do të mund të ndodhte në rast se do të autorizonim përdorimin e forcës në veri të vendit ashtu siç kërkohet nga disa deputetë me deklaratat elektorale”, ka thënë Thaçi.
Nuk mund t’i kuptoj, arsyetoj dhe nuk pajtohem dot me thirrjet e shkëputura të ndonjë deputeti për përdorimin e forcës.
Mirëpo, edhe ndaj kësaj deklarate kanë reaguar partitë opozitare.

Ardian Gjini, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kryeministri ka harruar se kush ka kërkuar këtë ndërhyrje, duke e rikujtuar se ishte zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi ai i cili kishte paralajmëruar një ndërhyrje me forcë atje.

Po më duket se këta të qeverisë prej kryeministrit e poshtë po harrojnë se çka po flasin, po harrojnë çka po bëjnë dhe po ju duket që krejt të tjerët janë armiq. Zëvendësi i tij ka thirr për dërgimin e trupave në veri e jo deputetët e opozitës. Ai ka thirrur, edhe atij duhet t’i thuhet se çka je duke bërë, a je në vete, a je në tokë të bukës. Çështja tjetër është se po më duket që i paska djegur fort dje që kemi dalë, se u ka folur karrigeve. Po më duket se po degradon edhe nuk ka mbet asnjëfarë kënaqësie me mbet në sallë e me dëgjuar kah flet. Ndoshta prapë duhet me leshu sallën”, i është përgjigjur kryeministrit, deputeti Gjini.

Debati ka prekur sërish edhe vërejtjet që kryeministri Thaçi i adresoi opozitës për kontakte me Serbinë, përderisa edhe nga deputetë opozitarë i drejtoheshin kryeministrit të njëjtat vërejtje.

Në disa raste madje, debati mori edhe karakterin e kualifikimeve për atë se kush, sa, dhe çfarë ka kontribuar në çlirimin e Kosovës.

Sidoqoftë, debati është përmbyllur pa ndonjë përfundim për të vazhduar me pikat e rregullta në shqyrtim.
XS
SM
MD
LG