Përfaqësuesit politikë serbë nga pjesa veriore, nuk i përfillin apelet e ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, për mos organizimin e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës.
Ata thonë se kryetarja e parlamentit të Serbisë, Slavica Gjukiq-Dejanoviq i ka shpallur zgjedhjet në gjithë territorin e Serbisë, përfshi si thonë ata, edhe Kosovën, kështu që mos organizimi i zgjedhjeve, nga këta përfaqësues, konsiderohet se do të ishte shkelje e vendimeve shtetërore serbe.
Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiq thotë se deklaratat e ministrit Bogdanoviq nuk i merr askush seriozisht, andaj sipas tij, zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha komunat e Kosovës ku aspektet e sigurisë lejojnë mbajtjen e tyre dhe në cilat organeve lokale u ka skaduar mandati.
“Sa i përket veriut, jam i sigurt se do të mbahen në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut”, thekson Pantiq.
Kurse për pjesët tjera, ai thotë se zgjedhjet do të mbahen edhe në komunën e Shtërpcës.
Përveç këtyre tri komunave, Pantiq aktualisht nuk është i sigurt nëse zgjedhjet do të organizohen edhe në mjedise tjera ku jetojnë serbët.
“Për komunat tjera nuk jam i sigurt se do të organizohen zgjedhjet ngase misionet ndërkombëtare të cilat janë të pranishme në Kosovë nuk duan të garantojnë paqe e siguri në ditën e zgjedhjeve, por presim që në mjediset tjera të mbahen të paktën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale”, shprehet Pantiq.
Ndërkaq një tjetër lider i serbëve të veriut, Millan Ivanoviq, thotë se është jo e logjikshme që të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale e të mos mbahen ato lokale.
“Nëse do të pranonim që të mos i mbajmë zgjedhjet lokale kjo do të nënkuptonte se po e pranojmë planin e Ahtisarit dhe Kosovën e pavarur”, thotë Ivanoviq.
Sipas tij, deklaratat e Bogdanoviqit nënkuptojnë shuarjen e institucioneve serbe duke i konsideruar apelet e ministrit serb të papranueshme.
Ndryshe, Bogdanoviq u ka thënë këto ditë medieve serbe se Serbia nuk do të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë.
Sipas tij, qeveria serbe nuk dëshiron në asnjë mënyrë të shkelë Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe t’i vë në rrezik serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.
Ndërsa është zotuar se Beogradi do të vazhdojë mbështetjen për organet paralele serbe në Kosovë, Bogdanoviq i ka quajtur si jo të mira paralajmërimet e përfaqësuesve serbë për mbajtjen e zgjedhjeve në dy komuna në veri të Kosovës.
Në anën tjetër, Krstimir Pantiq thotë se fakti që zgjedhjet serbe janë shpallur nga kreu i parlamentit të Serbisë edhe në Kosovë, kjo nënkupton organizimin, mbajtjen e votimeve dhe njohjen e organeve të reja nga institucionet e Serbisë dhe faktori ndërkombëtar.
Përndryshe, këto zgjedhje, nga Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës janë shpallur tashmë si ilegale dhe të ndaluara.
Madje, institucionet e Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar jo vetëm konfiskimin e materialeve zgjedhore, por organizatorëve u kanë tërhequr vërejtjen se do të ballafaqohen me pasoja ligjore.