Ndërlidhjet

Goditje “vdekjeprurëse” për Lukashenkon(?)


Aleksandër Lukashenko në një lojë të hokejit
Aleksandër Lukashenko në një lojë të hokejit
Nuk ka ndonjë gjë që do ta mërziste më shumë presidentin bjellorus të “çmendur” pas hokejit, Aleksandër Lukashenko, sesa sugjerimi që shtetit të tij t’i hiqet e drejta për të organizuar Kampionatin Botëror të Hokejit në akull pas dy vjetësh.

Presidenti bjellorus ka hedhur poshtë nocionin “si një lëvizje politike që nuk ka lidhje me sportin” dhe ka thënë se një lëvizje e tillë do të ishte “një goditje serioze për imazhin e Federatës Ndërkombëtare të Hokejit (IIHF)”.

Pasioni personal i Lukashenkos për lojën e ka bindur ish lojtarin e hokejit, tani ligjvënës evropian, Peter Shtiasnin e Sllovakisë, për nevojën e zhvendosjes së lojërave për hir të ndryshimeve politike në Bjellorusi.

E di se ai është një tifoz i pasionuar pas hokejit, ai kënaqet me të. Ai luan hokej dy deri në tri herë në javë. Nëse prekni hobin apo pasionin e dikujt, ju mund të nxirrni rezultate të mira. Ai mund të reagojë dhe mund të hapet gradualisht. Kushti i parë është që të lirohen menjëherë të gjithë të burgosurit politikë”, thotë Shtiasni.

Ai është një nga nxitësit që qëndrojnë pas përpjekjeve për të shtyrë trupin qeverisës të hokejit që të ndryshojë vendin e kampionatit gjatë kongresit vjetor që mbahet në muajin maj në Helsniki.

Në vitin 1980 Shtiasni iku për në Kanada për t’u bërë ylli më i madh i hokejit nga blloku lindor që i bashkohej Ligës Kombëtare të Hokejit të Amerikës Veriore.

Pas 15 sezonave të suksesshme, “Petri i Madh” siç njihet në mesin e tifozëve, u nderua me çmimin më të lartë të Hokejit.

Ai tani frikësohet se sporti i tij i dashur mund të kthehet në mjet propagandues për presidentin bjellorus, i cili tashmë ka ndërruar dhe ngjyrosur fusha e hotele për të zhvilluar kampionatin.

Është prestigj të organizosh një ngjarje kaq të rëndësishme, është privilegj, është çështje e të shpërblyerit. Dhe për çka po shpërblehet Bjellrusia dhe regjimi bjellorus? Kjo është pyetja që më shqetëson”, thotë Shtiasni.

Ai po përpiqet që përmes njërit nga 70 delegatët- që janë presidentë të federatave kombëtare të hokejit- ta vë këtë çështje në agjendën e takimit të majit. Po që se kjo ndodh, ai beson se shumica do ta mbështesë ndryshimin e vendit ku do mbahet kampionati.

Kongresi amerikan ka miratuar një rezolutë për zhvendosjen e lojërave dhe Parlamenti Evropian po përgatit një tekst të njëjtë. Kjo e shtyn Shtiasnin të besojë se trupi qeverisës do ta marrë parasysh idenë.

Është mesazh i qartë politik dhe social për përgjegjësit, dhe përgjegjësit janë delegatët. Ata janë presidentë të federatave të hokejit dhe shumica nga ta financohen nga paratë e qytetarëve. Ata kanë sponsorë, por shumica financohen nga qeveritë, nga taksapaguesit, nga qytetarët. Do t’i këshilloja që ata të dëgjojnë dhe të veprojnë sipas vullnetit të popullit”, thotë Shtiasni.

Për të qenë të saktë, deri më tash Brukseli nuk i ka mbështetur thirrjet për ndryshimin e lokacionit të lojërave, edhe pse kjo mbështetet nga shteti anëtar –Finlanda.

Në takimin e fundit të ministrave të jashtëm të BE-së, përmes një deklarate mezi është përmendur se BE-ja do ta informojë Federatën Ndërkombëtare të Hokejit “për shqetësimet e thella si dhe për mungesën e respektimit të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe parimeve demokratike nga ana e Bjellorusisë.

Zyrtarët e BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se zhvendosja e lojërave do të lëndonte popullatën në masë të madhe dhe se nuk duhet përzier sportin me politikën.

Shtiasni tha se e kupton shumë mirë këtë argument, por thotë se zhvendosja, apo edhe bojkotimi i ngjarjeve sportive ka kryer punë dhe përpara dhe se mund të përdoret në rastet ekstreme. Ai thotë se e tillë është situata në Bjellorusi.

Në disa situata kjo kryen punë, ndihmon situatën. Shikoni vendet afrikane që në vazhdimësi bojkotuan olimpiadën për shkak të aparteidit në Afrikën Jugore. Ia dolën. Nganjëherë është një mjet legjitim, në situate ekstreme”, thotë Shtiasni.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG