Ndërlidhjet

Rreziku nga armët e paligjshme


Ilustrim
Ilustrim
Edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga përfundimi i luftës, përdorimi i armëve pa leje vazhdon të jetë një shqetësim për shoqërinë kosovare.

Me rastin e publikimit të një raporti me titull “Kontrolli i armëve të vogla dhe të lehta në Kosovë: Progresi dhe sfidat”, u tha se armët në posedim të paligjshëm nga qytetarët që qarkullojnë në Kosovë janë shkaktarët kryesorë për pjesën dërrmuese të vrasjeve dhe të një sërë krimesh të tjera që janë duke ndodhur.

Përfaqësuesit e Forumit për Siguri dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, thanë se numri i armëve ilegale në Kosovë vazhdon të jetë i madh. Duke folur për armëmbajtjet pa leje, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, shpjegoi se shumica e rasteve të krimeve që ndodhin si shkak kanë varfërinë, përdorimin e drogës apo edhe traumat nga lufta.

“Armëmbajtja pa leje, përdorimi i armëve në ahengje familjare, si dhe krimet me armë janë më të pranishme në këtë periudhe të pasluftës se sa që ishin më parë. Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një serie të incidenteve me armë që ndodhën në pjesë të ndryshme të Kosovës. Në disa raste këto armë u përdorën edhe ndaj zyrtarëve të shtetit”, tha Ibishi.

Institucionet përgjegjëse të sigurisë, sipas raporti të fundit nga Forumi për Siguri, ende nuk kanë arritur t’i fusin nën kontroll ose të ulin numrin e madh të armëve të vogla dhe të lehta, të cilat qarkullojnë në territorin e Kosovës.

Në raport thuhet, po ashtu, se përveç rrezikimit të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, armët në posedim të paligjshëm çdo ditë paraqesin rrezik për qytetarët e rëndomtë, pasi ata i ekspozohen përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2010 kishte miratuar Ligjin për armët e vogla dhe udhëzimet administrative përcjellëse, të cilat saktësojnë çdo veprim dhe procedurë gjë që krijon hapësire për zbatim efikas të tij.

Ndryshe, autoritetet e rendit bëjnë të ditur se nga përdorimi i armëve pa leje, shumë njerëz kanë humbur jetën.

Drejtori i Drejtorisë së Sigurisë në Bashkësi, Besim Verbovci, tregoi se vetëm gjatë vitit 2011 janë konfiskuar më shumë se një mijë armë të vogla pa leje.

“Vetëm gjatë vitit 2011 ne kemi pasur të evidentuara diku mbi 1500 armë të sekuestruara të zjarrit dhe personat, të cilët janë zënë me këto armë, u janë proceduar organeve të drejtësisë”, njoftoi Verbovci.

Verbovci bëri të ditur se policia ka pasur disa aksione, përmes të cilave ka dërguar apele për ndalimin e përdorimit të armëve.

Ai, po ashtu, theksoi se policia ka organizuar edhe kampanjën “Festo me zemër, e jo me armë”, pas disa incidenteve tragjike në festa të ndryshme.

Frika, mosbesimi tek institucionet e sigurisë, si dhe tradita bashkëkohore, janë disa nga arsyet pse qytetarët e Kosovës mbajnë armë në mënyrë të paligjshme, thanë autoritetet kosovare. Ato theksuan se ulja e numrit të mbajtjes së armëve nga qytetarët është sfidë për Kosovën.

Eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, tha se në drejtim të konfiskimit të armëve ilegale, institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë punë.

“Momenti kyç është vetëdijesimi i qytetarëve, por krahas kësaj institucionet e Kosovës duhet të gjejnë mënyra të ndryshem të joshjes së qytetarëve për t’i kthyer këto armë pa u ndëshkuar. E dyta, mund t’i joshin qytetarët në mënyra të ndryshme nga ana materiale. Mënyra e tretë është mënyra e cila do të pasojë sigurisht më vonë, është që sa më shumë të bëhet trajnimi i këtyre personave që duan të aplikojnë për të poseduar armë - pra legalizimi i tyre”, theksoi Musliu.

Të shumtë janë ata që konsiderojnë se zgjidhja më e mirë për eliminimin e armëve pa leje është legalizimi, në mënyrë që njerëzit që posedojnë armë, do ta merrnin përgjegjësinë.

Raporti “Kontrolli i armeve të vogla dhe të lehta në Kosovë” i Forumit për Siguri i rekomandon Policisë së Kosovës që të ndryshojë qasjen duke ndërmarrë veprime për konfiskimin e këtyre armëve në bazë të informacioneve nga inteligjenca.

Ndërsa, urgjentisht duhet të rrisë kapacitetet për gjurmim në mënyrë që të parandalohet çfarëdo rreziku që paraqitet nga kontrabanda e armëve të paligjshme.

Kurse, për institucionet e drejtësisë rekomandohet që ato të specifikojnë në ankesë, kërkesën për ashpërsim të dënimit me burgim efektiv.
XS
SM
MD
LG