Autoritetet serbe kanë konsideratë për kundërshtimet, të cilat vijnë nga politikanët e bashkësisë ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, por vendimi për këtë do të merret në harmonizim me qëndrimin e UNMIK-ut, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, autoritetet serbe kanë paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë, por ato janë kundërshtuar nga Prishtina zyrtare dhe nga politikanët e bashkësisë ndërkombëtare. A i ka marrë parasysh Serbia të gjitha këto kundërshtime?
OLIVER IVANOVIQ
Autoriteteve serbe u është dashur që t’i shpallin në gjithë territorin, për shkak se për këtë i obligon Kushtetuta e Serbisë. E vetmja pengesë, në këtë pikëvështrim, do të mund të ishte qëndrimi negativ i UNMIK-ut, i cili, deri në këtë moment, nuk është deklaruar. I autorizuari i vetëm për ta interpretuar në mënyrë autentike Rezolutën 12 44, është UNIMK-u, si mision në terren ose Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Ne i respektojmë shumë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit tjerë të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, në Beograd ose në Bruksel, por vendimin lidhur me këtë çështje do ta harmonizojmë me UNMIK-un, sepse ai është i vetmi i vlefshëm për konsultime të këtij lloji.
RADIO EVROPA E LIRË
Njohësit e rrethanave politike në rajon, por edhe autoritetet e Prishtinës, kanë theksuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, do ta destabilizonin dhe do të ngrinte tensionet, sidomos në veri. A nuk nënkupton kjo se autoritetet serbe kanë shprehur gatishmërinë që, siç thuhet, të hedhin benzinë në zjarr?
OLIVER IVANOVIQ
Nuk do të thosha. Sigurisht që një gjë e tillë nuk do të ngritë tensione në veri. Ndoshta do të mund t’i ngritë tensionet ndërmjet shqiptarëve. Ndërkaq, në veri, një gjë e tillë është duke u pritur dhe çfarëdo veprimi tjetër i autoriteteve serbe do të nxiste revoltën në veri ose të paktën, shqetësime.
Sidoqoftë, vendimi për këtë do të sillet shumë shpejt, pas konsultimeve të nevojshme, të cilat duhet t’i marrin parasysh të gjitha; edhe detyrimet që dalin nga Kushtetuta, edhe mundësitë teknike që zgjedhjet të realizohen, si dhe implikimet eventuale politike. Unë nuk pres që vendimi, çfarëdo qoftë ai, të nxisë tensione të veçanta. Thjesht, është e drejtë që të votojnë dhe të zgjedhin liderët e tyre. Duhet që kjo të kuptohet si universale dhe e vlefshme për të gjithë.
RADIO EVROPA E LIRË
Po nëse tensionet e tilla do të vijnë nga Prishtina?
OLIVER IVANOVIQ
Prishtina, eventualisht, për shkak të arsyeve politike dhe ditore, mund të nxisë tensione lidhur me këtë çështje. Por, unë nuk po e kuptoj se në çfarë mënyre e gjithë kjo po e pengon Prishtinën. Askush nuk është i detyruar me dhunë që të votojë në këto zgjedhje. Secili që ende ka dëshirë, ka mundësi që të marrë pjesë dhe të votojë, si dhe të zgjedhë organet e pushtetit në Serbi, do të thotë, Kuvendin, kryetarin, si dhe nëse është e nevojshme dhe organet e pushtetit lokal, nëse ky do të jetë vendimi përfundimtar.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithëkëtë, eurodeputetja Lunaçek ka tërhequr vërejtjen se shteti serb do të rrezikonte marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, po qe se zbaton vendimin për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. A është e gatshme Serbia që të rrezikojë, por edhe të përballet me konsekuencat?
OLIVER IVANOVIQ
Fillimisht, unë e çmoj shumë atë se çfarë ka për të thënë zonja Ulrike Lunaçek, por, para së gjithash, ajo është raportuese për Kosovën dhe jo për Serbinë. E dyta, Parlamenti Evropian me siguri nuk është vendi ku vendoset për datën e fillimit të bisedimeve. Këtë e vendos Komisioni Evropian. Do të thotë, ne i marrim në konsideratë vërejtjet e tilla, por normalisht, në nuk konsiderojmë se ato janë vendim-marrëse, të paktën jo në kuptimin se ato kanë fuqi ekzekutive. Për këtë arsye, unë them se ne do të bisedojmë me UNMIK-un, sepse ajo është organizata kulmore e gjithë bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht në Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, megjithatë, a prisni se Serbia mund të dënohet nëse i organizon zgjedhjet lokale në Kosovë?
OLIVER IVANOVIQ
Unë mendoj se në këtë rast nuk do të ketë kurrfarë sanksionesh të veçanta. E gjithë kjo, nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shikohet si një fakt i pakëndshëm. Por, Serbisë nuk mund t’i kundërshtohet e drejta kushtetuese që në gjithë territorin t’u ofrojë qytetarëve mundësinë që të votojnë, të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur. Prandaj, është e mundur që kjo dikujt të mos i pëlqejë, por mendoj se është shumë e rëndësishme që për këtë çështje të arrijmë marrëveshje me UNMIK-un. Qëndrimi pozitiv ose negativ i UNMIK-ut do të ishte me rëndësi të madhe.
RADIO EVROPA E LIRË
Nëse UNMIK-u nuk pranon organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, a do të thotë kjo që Serbia do të heqë dorë nga ky organizim?
OLIVER IVANOVIQ
Për këtë do të vendosim, nëse një gjë e tillë ndodhë. Por, nëse UNMIK-u nuk do të pranojë politikisht që të ndihmojë në mënyrë logjistike mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, mendoj se atëherë do të kemi situatë shumë më të rëndë, për dy arsye. E para, sepse kjo do të ishte shenjë se nuk mund të llogarisim në asnjë formë të ndihmës nga bashkësia ndërkombëtare.
Arsyeja e dytë është dhe për këtë jam i sigurt, se shqiptarët e Kosovës këtë do ta kuptonin si thirrje e hapur që të zbatojnë dhe shfrytëzojnë gjithçka që kanë në dispozicion, në mënyrë që ato zgjedhje t’i pengojnë.
Për këtë arsye, mendoj se ky është ai rreziku i madh, i cili në masë të madhe mund ta kufizoj organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe si të tilla ato t’i bëjë jo të lira dhe jo të drejta.