Ndërlidhjet

BE ta sanksionojë Serbinë


Flamuri i BE-së dhe i Serbisë
Flamuri i BE-së dhe i Serbisë
Derisa po vazhdojnë diskutimet rreth mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 6 majit edhe në territorin e Kosovës, politikanët evropianë dhe njohësit e zhvillimeve në rajon i bënë thirrje Qeverisë serbe që të mos zbatojë vendimin që mori ditë më parë për këtë çështje.

Pas paralajmërimit të shtetit serb se zgjedhjet do të mbaheshin në Kosovë “në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe në bashkëpunim me administratën e OKB-së në vend”, deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, tha se i takon UNMIK-ut t’u bëjë të qartë serbëve se nuk mund të mbahen zgjedhjet lokale.

Është e qartë që zgjedhjet lokale nuk bën të mbahen atje dhe jam e sigurt që UNMIK-u do t’ua bëjë këtë të qartë serbëve, ndërsa shpresoj që serbët ta kuptojnë këtë”, tha ajo në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë.

Por, njohësit e çështjeve në Ballkan vlerësuan se, karshi koordinimit me UNMIK-un, është i domosdoshëm edhe koordinimi me autoritetet kosovare.

Sabine Freizer nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha se çdo veprim i njëanshëm i Serbisë në planet për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë do të ishte destabilizues dhe se mund ta tensiononte sërish situatën, sidomos në pjesën veriore të vendit.

Ajo shfaqi shpresën që ekzekutivi serb të heqë dorë nga zhvillimi i procesit zgjedhor për kuvendet komunale në Kosovë, ndërsa theksoi rëndësinë për një qëndrim më të ashpër të Brukselit.

Pres që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të BE-së do të jenë shumë të qartë me Serbinë duke i thënë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë është shumë e rrezikshme. Shpresoj që ata të shkojnë përtej kësaj duke paralajmëruar sanksione nëse Serbia mban zgjedhje lokale në Kosovë”, u shpreh Freizer duke thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në komunat kosovare do të ishte në kundërshtim me “vullnetin” që Beogradit zyrtar ka treguar, deri më tani, në kuadër të dialogut me Prishtinën.

Ndërmjetësuesi i këtij dialogu, Bashkimi Evropian - veçanërisht Berlini zyrtar, ka qenë deri më tani mjaft i zëshëm në kërkesën drejtuar Serbisë për zhbërjen e strukturave të saja paralele në Kosovë dhe mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Rëndësia për realizimin e kësaj kërkese dhe për përmirësimin e raporteve me Kosovën u theksua edhe pasi Serbia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Eurodeputetja Lunaçek tërhoqi vërejtjen se shteti serb do të rrezikonte marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, po që se zbaton vendimin e së martës.

Nëse e bëjnë këtë (nëse i mbajnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës), atëherë mendoj se do të kenë probleme në marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe vendimi për këtë çështje do të shtyhej më tej”, theksoi eurodeputetja Lunaçek.

Serbia vendosi, ditë më parë, që bazuar në Kushtetutën e vendit, ku Kosova cilësohet të jetë ende pjesë përbërëse e Serbisë, zgjedhjet lokale të mbahen në Kosovë.

Nga procesi zgjedhor thuhet se do të përjashtoheshin Prishtina, Peja, Leposaviqi, Mitrovica dhe Novobërda, ngase në këto komuna, siç thuhet, pushtetet lokale kanë ende mandat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG