Ndërlidhjet

Shkaqet e inflacionit


Ilustrim
Ilustrim
Inflacioni, i cili po godet Kosovën, sipas njohësve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të organizatave ekonomike në vend, është inflacion i importuar. Derisa Kosova shumicën e produkteve i importon nga tregjet ndërkombëtare, çdo ngritje e çmimeve në botë, do ta godasë edhe Kosovën.

Për të mos u rrezikuar çdo herë nga ky inflacion, institucionet e Kosovës, thonë ekspertët, duhet të marrin masa në rritjen e prodhimit vendor.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se ngritja e çmimeve do të reflektohet në uljen e fuqisë blerëse dhe ulja e fuqisë blerëse do të ndikojë në rritjen ekonomike.

“Në përgjithësi, ne duhet ta kemi të qartë se ne jemi të varur nga tregjet ndërkombëtare. Në nivel të tregjeve ndërkombëtare kemi pasur një ngritje të çmimeve. Po ashtu, ka pasur një ndikim të madh edhe pasiguria në tregjet ndërkombëtare dhe të gjitha ato aspekte që lidhen me mallrat strategjike, siç është edhe nafta, është e qartë se Kosova importon inflacion dhe në shumicën e këtyre artikujve kemi pasur ngritje të çmimeve, e që më pas janë reflektuar në shportën e konsumatorit”, thotë Rukiqi.

Në kohën kur papunësia dhe varfëria në Kosovë është në nivel tejet të lartë inflacioni, sipas Rukiqit, godet të gjitha shtresat, por më së shumti ato familje ku të ardhurat mujore janë të pakta apo jetojnë me ndihmë sociale.

Por, se çfarë duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës karshi inflacionit, sipas Berat Rukiqit, është rritja e ofertës në vend. Ai thekson se oferta në vend, nuk rritet nëse nuk ka një përkrahje më të madhe për sektorin privat.

“Qeveria duhet të bëjë përpjekje që të ndikojë në rritjen e prodhimi të vendit dhe që të mos varemi nga importi. Masa afatshkurtër në zvogëlim të inflacionit duke mos pasur politikën monetare, nuk funksionon, nuk ka mundësi; i kemi duart e lidhura. Mirëpo, duhet të punojë (Qeveria) në orientime afatgjate që këtyre krizave ciklike që sjell inflacioni t’u përgjigjemi me rritjen e ofertës në vend”, thekson Rukiqi.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Bedri Selmanaj, thotë se ngritja e çmimeve në tregun e Kosovës është refleksion i ngritjes së çmimeve strategjike duke filluar nga nafta, ari dhe shumë mallra tjera, siç janë ato bujqësore. Një shkaktar tjetër që ka ndikuar të ketë inflacion, sipas Selmanajt, është edhe rënia e vlerës së euros karshi dollarit.
Shkaku kryesor i këtij lloji të inflacionit është inflacion i kërkesës, se kemi të bëjmë me rritjen e çmimeve të mallrave më strategjike, siç është nafta dhe të gjitha mallrat tjera...


“Shkaku kryesor i këtij lloji të inflacionit është inflacion i kërkesës, se kemi të bëjmë me rritjen e çmimeve të mallrave më strategjike, siç është nafta dhe të gjitha mallrat tjera, të cilat i nënshtrohen ofertës dhe kërkesës. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e mallrave të ketë një ngritje prej 7 deri në 10 për qind. Ky inflacion vjen nga jashtë ”, vlerëson Selmanaj.

Edhe Selmanaj pohon se inflacioni i godet të gjitha shtresat, por më së shumti shtresën e varfër. Sipas tij, të gjithë ata që kanë pensione prej 50 apo 60 euro, nëse inflacioni është 10 për qind, fuqia blerëse do të zvogëlohet për 10 për qind.

Por, se çfarë masa mund të ndërmarrë Qeveria e Kosovës në raport me uljen e çmimeve, Selmanaj jep më shumë hollësi:

“Nëse kemi të bëjmë me ngritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe në këtë rast kemi të bëjmë me ngritjen e çmimit të naftës, që do të shënojë ngritje edhe më tutje, Qeveria mund të zvogëlojë akcizën, e cila është e lartë. Nëse e zvogëlon në atë përqindje sa është ngritur në berzë, atëherë sigurisht se mund ta ruajnë çmimin aktual që është”.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës janë deklaruar tashmë se nuk mund të ndikojnë në uljen e çmimeve, por kanë premtuar se do të shqyrtojnë mundësinë për zbutjen e kësaj gjendjeje.

Ndryshe, çmimet e artikujve ushqimorë në Kosovë, kanë filluar të ngrihen që nga fundi i vitit të kaluar dhe kanë vazhduar pa pasur rënie. Njohës të çështjeve ekonomike thonë se nëse një trend i tillë vazhdon, mundësia e një shpërthimi social është shumë reale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG