Ndërlidhjet

Skepticizëm për menaxhimin e kufijve


Vendkalimi kufitar Kosovë - Serbi/ foto nga arkivi
Vendkalimi kufitar Kosovë - Serbi/ foto nga arkivi
Paralelisht me përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për bashkëpunimin rajonal, raundi i nëntë i dialogut Prishtinë - Beogradi kishte në qendër të diskutimeve edhe zbatimin e një marrëveshjeje të arritur kohë më parë, atë për menaxhimin e integruar të kufijve.

Siç thuhet, në bazë të kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet të formojnë pika të përbashkëta të integruara kufitare në të gjitha vendkalimet që i lidhin të dyja vendet.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, shprehet optimist se marrëveshja do të zbatohet, pasi që, sipas tij, ajo është arritur me vullnetin e të dyja palëve.

Absolutisht nuk shoh kurrfarë problemi, sepse menaxhimi i vendkalimeve kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk lidhet strikt me definimin e vijës kufitare. Ne jemi marrë vesh që në vendkalimet aktuale kufitare që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë të ndërtojmë vendkalime të reja, të cilat do të jenë me infrastrukturë shumë më të zhvilluar sesa ato aktuale, dhe duke u afruar afër njëri-tjetrit, mos të lejojmë mundësinë e kontrabandës dhe shmangieve tjera të mundshme, për shkak se vendkalimet aktuale në disa zona kanë një distancë shumë të madhe mes njëra-tjetrës”, thotë Huruglica.

Sidoqoftë, Serbia nuk njeh vijën që ndan Kosovën me Serbinë si kufi, njësoj edhe Kosova nuk i pranon ato vendkalime si vija administrative.

Për këtë çështje, njohësit e rrethanave politike dhe ekspertët e sigurisë janë skeptikë se marrëveshja mund të zbatohet ashtu siç flitet.

Analisti Naim Maloku konsideron se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit mund të zbatohet nëse Brukseli bën presion ndaj Beogradit zyrtar, që marrëveshja e arritur duhet të zbatohet në përpikëri.

Unë mendoj që Brukseli dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jenë shumë vigjilentë dhe mbikëqyrës në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Serbia duhet të jetë nën presion të vazhdueshëm. Normalisht, ky presion i Brukselit, për t’u implementuar kjo marrëveshje nuk do të jetë i fuqishëm deri në zgjedhjet parlamentare të Serbisë”, shprehet Maloku.

Puna rreth bashkëpunimit kufitar thuhet se do të bazohet në praktikat më të mira evropiane që zhvillohen aktualisht dhe që do ta unifikojë Komisioni Evropian.

Por, eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, shprehet skeptik se marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit me Serbinë mund të zbatohet në tërësi.

Unë, personalisht, duke ditur strategjinë e veprimeve të deritanishme të palës serbe dhe obstruksionet që ajo i ka bërë deri më tani, mendoj se mund të vijë deri te situata që mos të zbatohet kjo strategji - ose, së paku të mos zbatohet në tërësinë e vijës kufitare, e aq më parë që dihet se dy pika kufitare, 1 dhe 31, faktikisht janë në kompetencën e KFOR-it dhe EULEX-it”, thotë Qehaja.

Për më tepër, Qehaja thekson se pas kompromisit që Kosova e bëri sa i takon përfaqësimit të saj në nismat rajonale me fusnotë, në drejtim të marrëveshjes me menaxhimin e integruar të kufijve, duhet të jetë shumë e kujdesshme, bashkë me faktorin ndërkombëtar.

Duhet të jemi të gatshëm që për çdo tentativë të Serbisë zyrtare që mos t’i përmbahet marrëveshjes së arritur, të bëhet presion në bashkësinë ndërkombëtare, të jemi më të zëshëm në kërkesat tona që kjo marrëveshje të zbatohet në praktikë. Në të kundërtën, edhe ne mund të kërkojmë ose anulimin, ose që bashkësia ndërkombëtare vërtet të jetë shumë më vendimmarrëse në kuptim të monitorimit të Serbisë, që ajo t’i kryejë obligimet që i ka marrë, e që janë edhe obligime ndërkombëtare”, thekosn Qehaja.

Marrëveshja thuhet se përfshin praninë e të dy palëve në vendkalimet kufitare dhe kjo nga të gjitha shërbimet siç janë Dogana dhe Policia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG