Ndërlidhjet

Protestë kundër fusnotës *




Me moton “Kosova Republikë”, qindra qytetarë kanë protestuar pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo protestë u organizua në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për fusnotën me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet rajonale.

Para fillimit të protestës, Policia e Kosovës kishte vendosur disa mburoja metalike, për të penguar protestuesit për bllokimin e punës në ndërtesën e Qeverise së Kosovës.

Megjithatë protestuesit kanë zhvendosur mburojat metalike dhe janë mbledhur rreth sheshit Skënderbe.

Policia e Kosovës nuk reagoi, por, megjithatë, njësia speciale nuk ka lejuar që protestuesit t’i afrohen më shumë se 20 metra rrethojës së oborrit të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurit, para protestuesve tha së Kosova është i vetmi shtet në botë që në forume e nisma do të prezantohet me fusnotë.

Kjo qeveri nuk po na bën si e gjithë bota, por kjo qeveri po na ndan nga bota dhe po na bën të ndryshëm nga e gjithë bota”, tha Kurti.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri, tha se Republika është shteti, dhe, siç u shpreh ai, “pa Republikën nuk mund ta kemi as shtetin”.

Republikën po tentojnë të na e heqin ata që nuk na duan të barabartë me të tjerët, ata që nuk na duan të jemi shtet. Ata që nuk duan të jemi të barabartë mes nesh, ata që nuk e duan një shtet të përbashkët për të gjithë, por që e duan një shtet që u konvenon vetëm atyre. Këta janë pushtetarët e Kosovës, ata që e hoqën reciprocitetin me Serbinë, të cilët tash po e heqin edhe Republikën”, deklaroi Ymeri.

Kurse, deputeti tjetër i kësaj lëvizjeje, Rexhep Selimi, tha se edhe 13 vjet pas çlirimit, Kosova po copëtohet nga Serbia.

Kosova edhe sot po copëtohet nga Serbia e nuk po mbrohet nga Qeveria. Kosovës sot po i shkelen frytet e luftës së saj dhe po i vidhet pavarësia. Nuk është bërë lufta e UCK-së që Kosovës t’i vihet fusnota, por t’i vihen themelet e lirisë dhe demokracisë”, u shpreh Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar fuqishëm kundër marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se mospërfshirja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në fusnotë “e bën marrëveshjen të papranueshme për institucionet e Kosovës dhe popullin e saj”.

Ndryshe, Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media, protestën e organizuar nga Vetëvendosje, e ka cilësuar si protestë të paligjshme, pasi që për mbajtjen e saj nuk është kërkuar leje në polici.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadiru, tha se në protestë mendohet të kenë qenë të pranishëm rreth 600 persona.

Sot në orën 12 ka filluar protesta e cila nuk ka qenë e lajmëruar në polici, e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Numri më i madh i pjesëmarrësve që u raportua është rreth 600 persona”, bëri të ditur Sadriu.

Protesta ka përfunduar e qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident.

VV proteston kundër marrëveshjes për fusnotën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00
XS
SM
MD
LG