Ndërlidhjet

Dialogu me Serbinë pengon njohjet


Pamje nga një prej takimeve të palëve në dialogun teknik Kosovë-Serbi në Bruksel.
Pamje nga një prej takimeve të palëve në dialogun teknik Kosovë-Serbi në Bruksel.
Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 Shkurt të vitit 2008, sipas zyrtarëve të Qeverisë së vendit, është njohur nga 88 shtete, por ky numër i njohjeve, brenda katër vjetëve, nga njohësit e rrethanave diplomatike dhe analistët e çështjeve politike, vlerësohet në mënyra të ndryshme.

Skender Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës dhe aktualisht deputet në Kuvend, thotë se nga perspektiva e sotme mund të thuhet se kanë mundur të përfitohen më shumë njohje për shtetin e Kosovës, por vetë numri aktual i këtyre njohjeve, tregon gjendjen reale në këtë aspekt.

Katër vjet më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se Kosova do të njihej brenda një kohe të shkurtër nga rreth 100 shtete.

Por, Hyseni thekson se pas dështimit në Këshillin e Sigurimit për të kaluar rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës, katër vjet më parë, ka qenë e kuptueshme se procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës do të jetë i ngadaltë.
Pas mendimit shumë pozitiv të GJND-së, me të drejtë Kosova ka pritur më shumë njohje dhe do të ndodhnin më shumë njohje, sikur të mos ishte ky dialog që po vazhdon me Serbinë.

“Vetëm ata që nuk kanë pasur njohuri të duhur në këtë fushë, kanë bërë premtime kuturu, se do të ketë kaq njohje në këtë periudhë, e kaq në këtë tjetrën. Sido që të jetë, pas mendimit shumë pozitiv të GJND-së, me të drejtë Kosova ka pritur më shumë njohje dhe do të ndodhnin më shumë njohje, sikur të mos ishte ky dialog që po vazhdon me Serbinë. Dhe, është ky dialog që shumë vende po i bën të hezitojnë akoma, sepse dialogu perceptohet në shumë vende si dialog për statusin dhe jo dialog teknik, çfarë pretendon ta paraqesë Qeveria”, thotë Hyseni.

Ish-ministri Hyseni shton se Qeveria e Kosovës ka dështuar në shpjegimin e natyrës së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrjedhimisht vendet e ndryshme të botës kanë hezitime të caktuara për ta njohur pavarësinë e vendit.

Por, analisti i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, vlerëson se një nga shkaqet kryesore pse Kosova nuk ka arritur brenda katër viteve numrin e nevojshëm dhe të dëshiruar të njohjeve, është mosfokusimi i politikës së jashtme dhe politikës për njohje të reja nga ana e Qeverisë së vendit, në agjendën zhvillimore të Kosovës.

“Fatkeqësisht, shumë, një varg raportesh ndërkombëtare rreth Kosovës nga institucione ndërkombëtare kredibile, kanë dokumentuar që në Kosovë tolerohet krimi dhe korrupsioni, e që korrupsioni në Kosovë është i ndërlidhur me politikën dhe që politika i ndikon organet e drejtësisë. Unë mendoj që ky është defekti kryesor. Do të thotë, kështu Kosova nuk mund ta avancoj as agjendën evropiane, por e ka vështirë që t’i bindë vendet që ta njohin”, vlerëson Muharremi.

Ndryshe, ish-ministri i Jashtëm Hyseni, thotë se, duke u bazuar në dinamikën e deritashme të njohjeve që i kanë arritur Kosovës, do të nevojitet edhe mjaft kohë që vendi të arrijë numrin e njohjeve, i cili i siguron aplikimin e sigurt për pranim në Kombet e Bashkuara.

“Absolutisht që, me këtë ritëm, është shumë larg. Ju po e shihni që gjatë vitit të kaluar ka pasur 9 njohje gjithsej. Do të thotë, më pak se në vitet paraprake. Këtë vit, deri më tani kemi një njohje. Unë llogaris se kanë një njohje. Nuk jam shumë i sigurt as për Nigerinë ende, sepse të gjitha informacionet që unë kam, flasin që Nigeria nuk e ka njohur Kosovën. Tash, Ministria e Jashtme e ndan në faqen e internetit si vend që e ka njohur Kosovën. Unë shpresoj që në këtë rast ministria të ketë të drejtë dhe jo unë”, thekson Hyseni.

Ndërkaq, analisti Muharremi, insiston në mendimin e tij, se për të përfituar njohje të reja, Kosova duhet t’i përkushtohet zhvillimit të brendshëm.

Shenoll Muharremi
Shenoll Muharremi
“Ne duhet ta shndërrojmë Kosovën në një vend evropian, me vlera evropiane dhe ne, më në fund, duhet që të merremi me ekonominë e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarit. Pse jo, që në të ardhmen, kur ta funksionalizojmë ekonominë dhe kur të shkojmë që të lobojmë në këto vende, të kemi edhe interesa të përbashkëta - qoftë për marrëdhënie tregtare apo të tjera. Mos të harrojmë se në marrëdhëniet ndërkombëtare, një ndër parimet kyçe është edhe interesi i shteteve. Fatkeqësisht, Kosova, për momentin, nuk ka edhe shumë që t’ju ofrojë këtyre shteteve”, shprehet Muharremi.

Sipas Muharremit, edhe diplomacia e angazhuar e shtetit serb, ka qenë një faktor, i cili ka sabotuar shtetin e Kosovës, qoftë brenda në veri të vendit, qoftë duke lobuar kundër pavarësisë së saj nëpër vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndryshe, njohja e fundit për Kosovën, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, ka ardhur të premten, më 17 shkurt, nga Uganda, në ditën kur u shënua përvjetorit i katërt i pavarësisë së vendit.
XS
SM
MD
LG