Ndërlidhjet

Çka nëse Skocia zgjedh të pavarësohet?


Ministri i parë i Skocisë, Aleks Salmond, mban një fjalim për të nisur konsultimet për një referendum mbi pavarësinë.
Ministri i parë i Skocisë, Aleks Salmond, mban një fjalim për të nisur konsultimet për një referendum mbi pavarësinë.
A do të votojë Skocia për pavarësinë?

Për një kohë të gjatë duket se shumica e skocezëve kanë favorizuar mbetjen në union, por sondazhet e javëve të fundit japin indikacione se opinioni është ndarë në dysh.

Shumë do të varet nga ajo se si do të duket referendumi, që pritet të mbahet në vitin 2014. Qeveria britanike kërkon pyetje të drejtpërdrejtë, ndërsa qeveria e transferuar në Skoci, e dominuar nga Partia Kombëtare Skoceze që është pro pavarësisë, mbështet idenë e shtrimit të dy pyetjeve: njërën për pavarësinë dhe tjetrën nëse Skocia duhet të përfitojë më shumë pushtet brenda Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo parti po ashtu kërkon që edhe të rinjtë e moshës 16 dhe 17-vjeçare të lejohen të votojnë- ndërsa të drejtë vote aktualisht kanë 18-vjeçarët. Të rinjtë duket të jenë më shumë pro-pavarësisë.

Si do të dukej ndarja e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar?

Ka të ngjarë të jetë një divorc i kadifenjtë. Skocezët do ta mbanin në krye të shtetit mbretëreshën Elizabeta II, e po ashtu edhe sterlinën si valutë kombëtare.

Por, ka çështje tjera të ndjeshme siç është fati i nëndetëseve bërthamore ushtarake, që aktualisht gjenden në tokën skoceze.

“Ne nuk duam që të kemi nëndetëse bërthamore në tokën skoceze”, ka thënë Nikola Sturgeon, zëvendësministër i parë i Skocisë.

“Nuk do t’i mbajmë ato, po qe se Skocia pavarësohet. Shumë njerëz në Skoci shohin mundësinë që të mos kenë armë të shkatërrimit në masë në tokën tonë dhe në ujërat tona të gjendet arsyeja kryesore për të votuar për pavarësi”.

Edhe po të gjendej alternativë për vendosjen e nëndetëseve, kjo do të merrte kohë, duke ngritur skenarët që armët bërthamore të Londrës të përfundojnë në ndonjë shtet të huaj?

A do të bëhej Skocia e pavarur menjëherë pjesë e Bashkimit Evropian?

Askush nuk e di këtë sigurt, meqë nuk ka ndonjë precedent historik dhe nuk ka asnjë traktat në BE se çfarë duhet bërë nëse një pjesë e ndonjë vendi që tashmë është anëtar i unionit, të pavarësohet.

Disa argumentojnë se Skocia është shtet trashëgimtar i Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar do të duhej të riaplikonte për t’iu bashkuar BE-së, po qe se Skocisë i kërkohet një gjë e tillë.

Alen Smith, një anëtar i Parlamentit Evropian nga Partia Kombëtare Skoceze tha se Skocia në mënyrë automatike do të bëhej anëtare e BE-së, pas zgjidhjes së disa çështjeve me Brukselin si numri i anëtarëve të Parlamentit Evropian nga Skocia, portofoli i Komisionarit skocez të BE-s, dhe fuqia e votës e shtetit të ri.

“Ne do të ndryshojmë marrëdhëniet tona me atë lëvizje nga qëndrimi në kabinën e klasës së dytë të trenit, në atë të klasës së parë”, ka thënë ai.

Por, të tjerët mendojnë se Skocia mund të zhvillojë disa lloje të bisedimeve për anëtarësim, të ngjashme me vendet kandidate- edhe pse nuk është e qartë nëse Skocia duhet ta braktisë BE-së, para se të riaplikojë për bashkim.

A do ta adaptonte euron Skocia e pavarur?

Po qe se Skocia është shtet pasardhës i Mbretërisë së Bashkuar, atëherë do të mbante qëndrimin përjashtues ndaj monedhës së përbashkët. Në të njëjtën kohë, të gjithë vendet anëtare do të duhej që një ditë t’i bashkohen eurozonës.

Precedenti më i afërt këtu është Suedia, e cila është zotuar se do t’i bashkohet eurozonës në të ardhmen, por përmes një referendumi të mbajtur në vitin 2003, e ka refuzuar anëtarësimin në eurozonë dhe që nga atëherë ka mbetur jashtë saj.

A do të pranojnë shtetet tjera të BE-së, Skocinë në klub?

Fabian Zulig nga Qendra Politike Evropiane me seli në Bruksel thotë se pavarësia skoceze do të rriste frikën në disa shtete si në Spanjë, ku rajonet separatiste mund të kërkojnë të kopjojnë Skocinë.

“Do të ketë shqetësime se si mund të shërbejë si precedent pozitiv për lëvizjet tjera brenda BE-së”, thotë ai.

“Mendoj se Skocia duhet t’i bindë partnerët tjerë se ata do të jenë partnerë të mirë brenda mjedisit vendimmarrës evropian dhe se rasti i tyre është i veçantë dhe nuk do të shërbejë si precedent për të tjerët”.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG