Ndërlidhjet

Insistojnë në referendum


Serbët në veri të Kosovës (Foto arkiv).
Serbët në veri të Kosovës (Foto arkiv).
Përgatitjet për mbajtjen e referendumit në komunat e veriut të Kosovës janë duke u zhvilluar normalisht dhe referendumi, me të cilin serbët e këtyre komunave do të deklarohen nëse i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës, do të mbahet në datat e paralajmëruara, thonë përfaqësuesit e serbëve të veriut të vendit.

Slavko Stevanoviq, drejtues i të ashtuquajturit Kuvend i Komunës së Leposaviqit, thotë për Radion Evropa e Lirë se referendumi do të mbahet në mesin e këtij muaji.

“Përgatitjet janë duke u zhvilluar normalisht dhe referendumi do të mbahet më 15 shkurt në Leposaviq, ndërkaq, në komunat tjera më 14 shkurt. Mendojmë se kjo nuk i dëmton fare interesat e shtetërore të Serbisë”, thotë Stevanoviq.

Por, Beogradi zyrtar kundërshton organizimin dhe mbajtjen e referendumit të serbëve të veriut, duke e quajtur atë të panevojshëm. Megjithatë, mediat serbe citojnë ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, të ketë thënë se Qeveria serbe nuk është duke bërë fushatë kundër organizatorëve të referendumit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i serbëve të Zveçanit, Dragisha Milloviq, thekson se autoritetet e Beogradit nuk ua kanë shtruar serbëve të veriut asnjë argument të arsyeshëm pse nuk duhet të mbahet referendumi, përmes të cilit, siç thotë ai, serbët e veriut do ta sqarojnë nëse i duan institucionet e Kosovës apo ato të Serbisë.

“Kjo e drejtë, për ta shfaqur mendimin e tyre dhe për t’u sqaruar, po u ofrohet qytetarëve tanë, në mënyrë demokratike, të qetë, pa e rrezikuar askënd dhe pa iu kërcënuar askujt. Unë nuk shoh asgjë të keqe në këtë. Nuk e kam të qartë se pse një gjë e tillë është e keqe për interesat kombëtare dhe shtetërore dhe pse e dëmton kjo shtetin e Serbisë. Ne nuk kemi marrë asnjë argument të duhur që do të tregonte se pse ky referendum nuk duhet të mbahet”, shprehet Milloviq.

Ai shton se përfaqësuesit e serbëve të veriut tashmë u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë që ta vëzhgojnë mbajtjen e referendumit.

Në anën tjetër, politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, thekson se Beogradi zyrtar nuk e ka sqaruar kundërshtimin e tij lidhur me referendumin e paralajmëruar nga serbët e veriut.

“Përveç asaj që mund të dëgjohet nga Goran Bogdanoviqi, unë vërtet nuk kam dëgjuar kundërshtim të argumentuar qartë ndaj këtij aksioni që nënkupton referendumin”, thekson Trajkoviq.

Ajo shton se disa nga mediat serbe janë vënë në funksion të liderëve politikë të serbëve të veriut, të cilët po e promovojnë referendumin dhe po i mobilizojnë zgjedhësit në Serbi. Sipas zonjës Trajkoviq, serbëve, të cilët po e organizojnë referendumin, nuk është duke iu interesuar fare Qeveria në Beograd, për shkak se, siç thotë ajo, ata po presin që së shpejti qeveria aktuale serbe do të largohet nga pushteti

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG