Ndërlidhjet

Gjini: Duhet të ketë plan për veriun


Mitrovicë
Mitrovicë

“Qeveria e Kosovës duhet t’i qaset këtij problemi me urgjencë dhe për zgjidhjen e tij, duhet të ketë konsensus”, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga institucionet e Kosovës një plan të veçantë për veriun. Si e shihni ju këtë kërkesë dhe a mendoni se duhet të ketë një plan të tillë?

ARDIAN GJINI
Gjithsesi e fundit për ne është se, përmes një Konference për shtyp, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të ketë plan integrues për veriun, që nënkupton një qasje pak më ndryshe. Kërkesën për një plan integrues për veriun Aleanca e ka përsëritur që nga pranvera e vitit 2008. Pa dashur që të bëj ndonjë kritikë tani, mund t’ju them se në atë kohë kryeministri Thaçi na thoshte se plan për veriun është Kushtetuta e Kosovës.

Më vonë, ka kërkuar edhe vetë plan. Tani prapë po kërkohet një plan, na është thënë që ka plan përderisa prapë po shihet që nuk ka pasur dhe ne e kemi përsëritur një gjë të tillë - se nuk ka plan dhe se duhet të ketë një plan.

Ky plan integrues, për mendimin tonë, duhet të jetë i përbërë nga tri aspekte pak më të gjera. Aspekti i parë duhet të jetë aspekti demokratik, i cili po duket se ka filluar të harrohet në Ballkan dhe bashkësia ndërkombëtare, unioni evropian dhe Shtet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i kthehen konceptit të demokracisë në Ballkan për shkak se duke synuar që të arrihen disa aspekte të sigurisë, ose të tjera, ka filluar të harrohet misioni parësor dhe ai është konsolidimi i demokracisë, i cili është parakusht për çfarëdo zhvillimi tjetër.

Do të thotë mendojmë që duhet të konsolidohet demokracia edhe në veri dhe në tërë Kosovën, e kjo demokraci do të nënkuptonte që atje të ketë zgjedhje të lira dhe të drejta në kuadër të legjislacionit kosovar, domethënë Kushtetutës së Kosovës.

Aspekti tjetër duhet të jetë ai ekonomik. Njerëzit duhet të jetojnë, duhet të kenë me çka të merren, duhet të kenë çka të punojnë, do të thotë të kenë vende të punës. Edhe pse e dimë që kjo punë duhet të bëhet në gjithë Kosovën, por për veriun mendojmë se është çështje urgjente, sepse po flasim për integrim të një zone.

Ardian Gjini
Ardian Gjini
Dhe, aspekti i fundit është aspekti i sundimit të ligjit. Edhe pse po e them i fundit, nuk po them se është më pak i rëndësishëm, mirëpo këto aspekte duhet të balancohen, pra duhet të ketë një balancim në mes të insistimit për sundim të ligjit, insistimit për konsolidim të demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik.

Kjo është ajo çka mendon Aleanca, tani për tani. Ne mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet t’i qaset këtij problemi me urgjencë dhe për zgjidhjen e tij duhet të ketë konsensus në Kosovë, sa më i gjerë që të jetë i mundshëm, duhet të përfshihet edhe bashkësia ndërkombëtare, po edhe gjithë potenciali edhe politik në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se sivjet do të përfundojë pavarësia e mbikëqyrur. A mendoni se kjo mund të bëhet kur kihet parasysh që për veriun ende kërkohet një zgjidhje?

ARDIAN GJINI
Mendoj se ky proces duhet të përfundojë. Ne në Aleancë mendojmë se po fillon fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës - nuk mendojmë se ka ardhur fundi, por po fillon përfundimi i këtij procesi. Ka pasur disa marrëveshje të shkruara dhe disa marrëveshje të pashkruara me bashkësinë ndërkombëtare në vitin 2007 e 2008, mos e harroni Planin Ahtisari, është insistuar që për shkak të rrethanave në botë, jo ekskluzivisht për shkak të rrethanave në Kosovë shtetësia e Kosovës duhet të jetë e mbikëqyrur për një kohë të caktuar, duhet të jepen garanci për pakicat dhe pasi Kosova t’i jep këto garanci, ajo duhet të fillojë të funksionojë si shtet më vete - me të mirat dhe të këqijat.

Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur nënkupton përfundimin e mbikëqyrjes politike të pavarësisë. Kosova do të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga unioni evropian, për shkak se e ka synim integrimin në unionin evropian. Ne prapë do të kemi raporte të progresit, zyra të unionit evropian në Kosovë, ne prapë do t’i kemi miqtë tanë, të cilët do të jenë shumë të interesuar që t’i shohin zhvillimet në Kosovë. Ne prapë do të kërkojmë që të kemi edhe mbështetje financiare dhe mbështetje tjera nga vendet. Pra, përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë nuk nënkupton përfundimin e rolit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, por nënkupton përfundimin e konceptit politik të mbikëqyrjes. Askush në botë nuk do të mund të thotë se Kosova e ka shpallur pavarësinë, por nuk është ende shtet se njëfarë mbikëqyrje politike ende po i bëhet. Kjo është ajo çka mendojmë ne - duhet të përfundojë ky proces, veriu prapë do të jetë sfidë e jona, por edhe e unionit evropian edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Integrimi i veriut do të jetë një proces, i cili nëse i kryejmë të gjitha detyrat e shtëpisë si duhet, përfundon më shpejt. Nëse nuk i kryejmë, përfundon më vonë. Mirëpo, mendoj se në këtë moment duhet të shohim se kjo përmbyllje e pavarësisë nuk nënkupton heqje dorë nga integrimi i veriut - këtë edhe e kemi kërkuar përmes deputetit Daut Haradinaj në Kuvendin e Kosovës dhe do të vazhdojmë ta kërkojmë.

Ilustrim
Ilustrim
RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po shënon ngecje dhe bisedimet janë pezulluar për shkak të qëndrimeve të kundërta të të dyja palëve. Kjo është bërë shumë e dukshme, sidomos lidhur me çështjen e përfaqësimit rajonal të Kosovës. A besoni në suksesin e dialogut dhe sa jeni optimist se Kosova mund të përfitojë nga ky dialog?

ARDIAN GJINI
Kosovës i është kërkuar që të shkojë në këtë dialog. Ne mendojmë se Qeveria e Kosovës ka shkuar e papërgatitur, jo për shkak se ky dialog i është kërkuar në kohë të papërshtatshëm, por për shkak se Qeveria ka dështuar të përgatitet. Ne, në Aleancë, e kemi kuptuar jashtëzakonisht drejt mesazhin që vjen edhe nga Uashingtoni edhe nga Brukseli se është interes edhe i unionit evropian, në fakt edhe i SHBA-së, që Serbia të jetë një Serbi evropiane. Ne në Aleancë mendojmë që ky është interes edhe i Kosovës, pa dashur ta zbërthejmë këtë çështje - ne mendojmë se Serbia evropiane do të ishte një problem më pak për Kosovën, për shtetin tonë të pavarur.

Tani këto bisedime e kemi të qartë që kanë provuar esencialisht që unioni evropian t’i ndihmojë në njëfarë forme Serbisë që të afrohet me unionin evropian. Kjo nuk është e keqe në vetvete, mirëpo Qeveria e jonë ka qenë e papërgatitur që edhe për Kosovën të ketë karrot, nëse mund të them ashtu. Do të thotë karota për Kosovën është shumë e vogël në krahasim me karotën për Serbinë. Ne nuk jemi kundër që Serbia të afrohet me unionin evropian, por duhet edhe Kosova të afrohet me unionin evropian, duhet edhe Shqipëria të afrohet me unionin evropian. Këto janë çështje, për të cilat ndoshta s’është e nevojshme as të flitet fare.

Tani këtu vjen çështja e asaj se çka po ndodh me dialogun. Nëse ne si opozitë kemi kërkuar përgatitje të Qeverisë, për shkak se Kosovës i duhet një benefit, do të thotë një përfitim nga ky dialog, Serbia po bën çmos që ky përfitim i Kosovës të jetë minimal ose të jetë i atillë që të mos mund të interpretohet ndryshe në Serbi. Tani këtu vjen roli i unionit evropian. Ai duhet ta luajë një rol më aktiv, drejtpërdrejt me Serbinë në mënyrë që marrëveshjet, të cilat bëhen në emër të Kosovës të mund të implementohen.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, edhe një herë po ju them e fatkeqësisht përpos në shumë planë tjera, ka dështuar edhe në përgatitjen e një strategjie, në përgatitjen e taktikave, e gjithçka tjetër që shkon me negociatat, sepse fundja ne e dimë që kemi të bëjmë me një shpjegim të ndryshëm, por janë negociata, në fakt, nuk është dialog.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili ka qenë dhe është roli i opozitës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

ARDIAN GJINI
Opozita ka kërkuar përgatitje të Kosovës, që përfitimet e vendit tonë të jenë më të mëdha. Ne e dimë që bashkëpunimi rajonal është një gjë e mirë, por bashkëpunimi rajonal nuk guxon të ndodhë për hir të bashkëpunimit rajonal - ai duhet të ndodhë për hir të Kosovës, e nëse Kosova përfiton, atëherë përfitojnë edhe vendet tjera. Është jashtëzakonisht e qartë dhe ne nuk kemi kurrgjë kundër kësaj çështjeje. Mirëpo, nëse ne kontribuojmë për bashkëpunimin rajonal, e përmes atij bashkëpunimi ne nuk përfitojmë asgjë, atëherë diku është problemi.

Edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare kur dështon një strategji, është gabim të kërkosh fajtorin diku tjetër - duhet kërkuar te vetvetja, për shkak se një qeveri e përgjegjshme, një politikë e përgjegjshme dhe një diplomaci e përgjegjshme, duhet t’i parashohin problemet, me të cilat mund të haset gjatë rrugës, ose duhet paraparë shumicën dërmuese të tyre, të jetë një vend i përgatitur, se si duhet vepruar në situata të ndryshme domethënë duhet pasur plan rezervë për gjithçka. E, Kosova nuk e ka pasur.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka qenë mjaft e fuqishme opozita që të imponojë qëndrimet e veta lidhur me çështjen e reciprocitetit me Serbinë?

ARDIAN GJINI
Mendoj se po harrohet demokracia. E thashë në fillim, po e them edhe tani, ndoshta duhet t’i kthehemi vetë konceptit të demokracisë. Opozita në cilindo vend demokratik nuk mund t’i rrënojë politikat qeveritare, përndryshe opozita do të ishte shumicën në Kuvend. Edhe në Kosovë opozita përmes fjalëve të veta dhe përmes votës së vet e ka të pamundshme t’i pengojë politikat e Qeverisë, sepse Qeveria e ka shumicën në Kuvend, përderisa në Kosovë po krijohet përshtypja se opozita e kryen punën e vet nëse është shumë e zhurmshme në Kuvend, nëse flet shumë, nëse gjithmonë është kundër.

Nuk është kjo demokraci, për shkak se në këtë rast në Kosovë po shihet vetëm komuniteti politik, pushteti dhe opozita. Nëse përpos këtij komuniteti politik, nuk ekziston edhe shoqëria civile, e ku janë edhe mediat, ku janë iniciativat qytetare dhe gjithçka tjetër, dhe nëse nuk do të ekzistonte edhe komuniteti i biznesit, i cili i sheh interesat e biznesit, domethënë komuniteti ekonomik, këto janë çështje që përmenden qoftë në literaturë, qoftë në praktikën demokratike, ekziston komuniteti politik, komuniteti ekonomik dhe shoqëria civile.

Nëse një prej këtyre hallkave nuk e kryen punën, atëherë e gjithë ajo që ndodh politikisht në Kosovë, reduktohet në një ballafaqim banal ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Për shembull, nëse opozita e zë në flagrancë Qeverinë në një temë të caktuar dhe nëse shoqëria civile në këtë rast edhe mediat nuk e përcjellin atë temë për një kohë më të gjatë, atëherë puna e opozitës është krejt e kotë për shkak se krejt çka mund të bëjë opozita është të ngre një çështje në Parlament, edhe shkon kot puna e mundi, nëse nuk ka pjesë tjera të shoqërisë ose ‘Think tank’ ose ‘Watchdog’, ose mediat, të cilat do ta përcjellin atë temë ose do të bëjnë trysni në Qeverinë e Kosovës duke e prezantuar para opinionit publik atë fenomen.

Qeveria nuk ka nevojë të mërzitet fare, nëse nuk ekziston ky segment. Në Kosovë ky segment e ka memorien e shkurtër, merren dy-tri ditë dhe pas tri dite harrohet ajo çështje. Harrohet tema komplet dhe Qeveria aktuale e Kosovës ka konkluduar saktë - padrejtësisht por saktë se çdo temë, edhe më e keqja qoftë ajo, zgjat tri ditë. Edhe tani shndërrohet në një problem shumë të madh për opozitën e Kosovës.

Çështja tjetër është se opozita nuk është opozitë nëse vetëm kritikon dhe nuk ka alternativë qeverisëse. Alternativa qeverisëse në Kosovë është goxha e zbehtë. Ne në Aleancë e pranojmë se jemi jashtëzakonisht të hendikepuar se pjesa kryesore e alternativës sonë qeverisëse është zoti Ramush Haradinaj, i cili është në Hagë. Për çështjet tjera në jemi të përgatitur, kemi plane, kemi strategji për shumë tema edhe sektoriale. Prapë po e them jo vetëm në Kosovë, por në cilëndo demokraci oferta alternative kundrejt qeverisjes nuk ka të bëjë vetëm me letra, por edhe me personalitete dhe njerëz që do t’i implementojnë ato ide dhe ne si Aleancë tani jemi të hendikepuar, për partitë tjera mendoj se nuk është mirë të flas.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG