Ndërlidhjet

Pas rezolutës fshihen ligjet “problematike”


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Rezoluta e miratuar e Kuvendit të Kosovës për fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, për analistët nënkupton miratimin në pako të ligjeve problematike, të cilat deri më tani janë kundërshtuar nga një pjesë e opozitës dhe e shoqërisë civile.

Bëhet fjalë për Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe atë për Hoçen e Madhe.

Analisti Halil Matoshi mendon se me këtë rezolutë, Kosova i dërgoi mesazh komunitetit ndërkombëtar se do t’i tejkalojë edhe këto sfida nga Pakoja e presidentit Ahtisari, mbi bazën e të cilës Kosova kishte shpallë pavarësinë në koordinim me shtetet aleate perëndimore.

Qeveria e Kosovës po ngutet që t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, siç është paketa e ligjeve të panegociueshme apo ligjeve në paketë, si quhen. Lidhur me këtë, u pa se qeveria po ngutet me Ligjin për Qendrën Kulturore të Prizrenit, për Ligjin për Hoçen e Madhe dhe disa ligje tjera të cilat kanë mbetur ende pa u miratuar në Kuvend nga Pakoja e Ahtisarit”, thotë Matoshi.

Për Alban Bokshin, drejtor i Klubit për Politikë të Jashtme, është e habitshme por edhe shqetësuese se si u përshpejtuan gjërat për miratimin e kësaj rezolute.

Bokshi thotë se me një nxitim të tillë, Kuvendi në njëfarë mënyrë është pajtuar t’i kontrabandojë disa ligje pa i lexuar fare, sikurse që ndodhi me ligjet e Pakos së Ahtisarit të miratuara pas shpalljes së pavarësisë.

Rezoluta ka qenë e parapërgatitur. Ajo është sjellë në mënyrë shumë të paqartë, në mënyrë shumë jotransparente dhe me një nguti që është shqetësuese. Dhe tash, ka rrezik që të kalohen ligje, amendamente e çështje tjera pa u ditur fare se çka po kalohet, se çka po lexohet, sikurse që ka ndodhur kur janë miratuar në pako ligjet e Planit të Ahtisarit. Pra, edhe tash mund të kontrabandohen disa ligje të cilat po kundërshtohen nga qytetarët si Ligji për Prizrenin dhe ai për Hoçen e Madhe, po edhe çështje tjera të cilat ne nuk i dimë”, thekson Bokshi.

Faza e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me përparimet në veri të Kosovës.

Rezoluta e Kuvendit si edhe konkluzionet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar kërkojnë që obligimet nga Pakoja e Ahtisarit të përfundojnë deri në fund të vitit.

Por, Alban Bokshi mendon se deri atëherë është shumë pak e pritshme që këto obligime të mund të zbatohen edhe në veri.

Andaj, duke e lënë anash veriun nga zbatimi i obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, ai parashikon që për këtë pjesë të Kosovës do të bisedohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Sa i përket veriut, nuk ma merr mendja se do të zgjidhet kaq shpejt, siç parasheh rezoluta që të nxirren ligje për katër javë. Mendoj se çështja e veriut do të jetë temë e diskutimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe gradualisht është përgatitur sjellja e asaj teme në tryezë. Nuk mendoj se është çështje e lehtë për t’u zgjidhur, kështu që ajo do të jetë shumë më problematike dhe do të shkojë përtej kësaj rezolute e këtyre ligjeve që tentohet të kalohen tash”, thekson Bokshi.

Ndryshe nga Bokshi mendon Halil Matoshi.

Ai thotë se me këtë rezolutë, Kosova po përpiqet që t’u shmanget bisedimeve për veriun.

Qeveria e Kosovës objektivisht me këtë rezolutë dëshiron që t’iu shmanget bisedimeve për autonominë politike, për serbët e veriut, gjë e cila besoj se nëse mbikëqyrja e pavarësisë hiqet, atëherë mendoj se serbët kosovarë gjithnjë e më tepër do të binden që Pakoja e Ahtisarit ose funksionalizimi i saj u ofron atyre garanci për jetë të lirë dhe ekzistencë të sigurt në Kosovë”, shprehet Matoshi.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës me anë të rezolutës është zotuar se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, në mënyrë që deri në fund të vitit Kosova të jetë gati për t’i marrë kompetencat shtesë që aktualisht janë në duart e Zyrës Civile Ndërkombëtare, si mbikëqyrëse e pavarësisë së Kosovës.

Duke i zbatuar këto obligime, institucionet e Kosovës presin që bashkësia ndërkombëtare t’i japë fund kësaj mbikëqyrje, në mënyrë që Kosova të ketë pavarësinë e saj të plotë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG