Grupi Ndërkombëtar Drejtues nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të përfundojë faza e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, pas takimit të mbajtur të martën në Vjenë, 25 vendet anëtare të këtij Grupi kanë shprehur si vullnet politik që kjo fazë të përmbyllet në fund të këtij viti.
Konkluzionet e takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues i kanë prezantuar shefi i ICO-së, Piter Feith dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një konference për media.
Feith tha se ka dy faza që duhet t’i paraprijnë fundit të mbikëqyrjes dhe rrjedhimisht edhe mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë të cilën ai e drejton.
Këto faza parashohin zbatimin e planit të Ahtisarit, sidomos në veri të Kosovës, ku institucionet e shtetit të Kosovës nuk kanë qasje, dhe ndryshimi i Kushtetutës duke adoptuar amendamente që përcaktojnë qartë kalimin e kompetencave nga ICO te Qeveria e Kosovës.
Ndonëse veriu u përmend si faktor që përcakton shumëçka në lidhje me pavarësinë e plotë të Kosovës, Piter Feith tha se Kosova nuk mund të mbetet peng i veriut, ku ICO dhe qeveria kanë fare pak qasje.
“Fundi i mbikëqyrjes nënkupton zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisarit, përparimet në veri dhe ndryshimet kushtetuese”, tha Piter Feith.
Por, as ai dhe as kryeministri Thaçi nuk kanë dhënë një vizion të qartë se çka duhet të bëhet në veri që të konsiderohet se edhe atje ka përfunduar puna.
Ata, kësaj radhe nuk e kanë përmendur formimin e komunës së re të Mitrovicës, e cila parashihet me pakon e Ahtisarit.
Feith ka deklaruar se do të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e pakos së Ahtisarit në veri, por ai ka rikujtuar për veriun mund të ketë zhvillime tjera që ndërlidhen me dialogun Kosovë – Serbi, duke mos dhënë garanci për zbatimin e këtij dokumenti në këtë pjesë të Kosovës, ku serbët lokalë, të mbështetur nga Beogradi, refuzojnë ligjet, institucionet dhe pavarësinë e Kosovës.
“Nuk mund t’ju jap një datë, por qëllimi është që të përfundojmë punën deri në fund të vitit”, ka thënë Piter Feith.
Ndërkaq në konkluzionet me shkrim të Grupit Ndërkombëtar Drejtues mes tjerash thuhet se vendet anëtare i japin mbështetje integritetit territorial të Kosovës dhe kufijve ekzistues.
“Parimet thelbësore të Planit Gjithëpërfshirës (Pakoja e Ahtisarit) për forcimin e demokracisë lokale transparente dhe legjitime, si dhe për respektimin e të drejtave dhe identiteteve të komuniteteve, ofrojnë modelin më të mirë për të ardhmen e komunave veriore të Kosovës”, thuhet në konkluzione.
Këto parime, besohet se janë në përputhje me praktikën evropiane, dhe garantojnë një rol transparent dhe të përshtatshëm për Republikën e Serbisë, si dhe për funksionimin e duhur të Republikës së Kosovës.
Ky Grup e nxitë Serbinë që të veprojë në përputhje me zotimet e saj ndërkombëtare dhe të përmbahet nga ndërhyrja në Kosovë, përfshirë këtu tërheqjen e pranisë së saj policore, të sigurisë dhe pranive të tjera shtetërore, si dhe të mbështesë përpjekjet e aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të Kosovës për promovimin e sundimit të ligjit.
Po ashtu, i bëhet thirrje Serbisë që të sigurojë që zgjedhjet e saj lokale të mos shtrihen në veri të Kosovës.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se qeveria e tij do t’i zbatojë të gjitha çështjet e mbetura në Pakon e Ahtisarit.
“Në emër të Qeverisë së Kosovës para Grupit Ndërkombëtar Drejtues jemi zotuar se institucionet e Kosovës shprehin zotimet për zbatimin e plotë edhe të disa aspekteve tjera që kanë mbetur pa u zbatuar nga Pakoja e Ahtisarit, që viti 2012 të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Duke përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur, Kosova afrohet edhe më tepër drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.
Grupi Ndërkombëtar Drejtues mbikëqyr zbatimin e Pakos së Ahtisarit, dokument ky mbi bazën e të cilit është shpallë pavarësia e Kosovës.
Në këtë grup bëjnë pjesë Shtetet e bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia.