Gjuha e ashpër, me fyerje dhe ofendime, në mes të disa përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës në Kosovë, ka arritur kulmin duke u shfaqur edhe në rrjetet sociale, pas ngjarjeve të së shtunës në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Analistët e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se mënyra e tillë e komunikimit paraqet keqpërdorim të rrjeteve sociale.
Fyerjet dhe ofendimet në këto rrjete, sipas analistëve, janë të padinjitetshme dhe e thellojnë përçarjen në skenën politike, por edhe shoqërore.
Analisti Ismajl Hasani, vlerëson se paraqitja në rrjet social bartë pas vetes përgjegjësinë profesionale dhe njerëzore, sidomos për politikanët, të cilëve, sipas tij, në rastin konkret, u ka munguar kjo përgjegjësi.
Mendoj se ashpërsimi i gjuhës në kontekstin e lëvizjeve të fundit, që pasqyrohet në rrjetet sociale, është një cenim i qytetarisë.
"Është një cenim i moralit të vet atyre që bëjnë përpjekje që me idetë e tyre, me paraqitjet e tyre ofenduese në raport me njerëzit, me situatën, me protestat e të tjera, bëjnë përpjeke që, duke dashur që të zgjojnë sensacione te audienca, ta shënojnë veten si prezent. Do të thosha se ata, në mënyrë të papërgjegjshme, tregojnë se nuk janë të denjë për pozitat që kanë”.
Por, analisti Krenar Gashi, zanafillën e eskalimit të gjuhës së ashpër në rrjetet sociale të deputetëve dhe përfaqësuesve të ekzekutivit, e sheh, siç thotë ai, si pasojë të diferencimit shumë të madh politik që i është bërë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky diferencim, sipas tij, ka nisur me deklaratat e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqi, të cilat ai i quan shumë nxitëse.
“Ajo që ka rezultuar në fund, me postimet nëpër rrjete sociale të disa deputetëve nga radhët e pushtetit, si dhe anëtarë të ekzekutivit, përfshirë edhe zëvendësministra, me të vërtetë kanë qenë jashtë çdo cilësie, të padinjitetshme dhe shumë fëmijërore".
"Kësisoji e kanë thelluar edhe më shumë përçarjen, por tash më jo në nivel politik, por mbase edhe në nivel personal. Si të tilla, do të duhej që të dënoheshin apo në rastin më të mirë, të injorohen nga publiku”, shprehet Gashi.
Të dy këta analistë vlerësojnë se efektet, të cilat mund ti krijoj gjuha e ashpër dhe me fyerje nga ana e politikanëve, ka gjasë që të mos kufizohen vetëm brenda kufijve të skenës politike dhe komunikimit ndërmjet subjekteve politike kundërshtare në vend.
Analisti Hasani thotë se komunikimi i padenjë në rrjetet sociale mund të ndikojë edhe tek qytetarët.
Është normale që nuk kalon pa u hetuar. Është normale që afektohet jo vetëm disponimi politik, por afektohen edhe proceset e ndryshme politike rreth qetësimit dhe stabilizimit të situatës.
"Mbi të gjitha, do të thosha se, përfundimisht, nëse do të mund të ketë diçka të mirë, në këto paraqitje që janë jashtë çdo kodi të etikës së komunikimit, mbase njerëzit po e tregojnë vendin e vet ku e kanë e jo në institucione dhe në jetën politike në Kosovë”.
Edhe analisti Gashi thotë se konfrontimet joparimore në rrjetet sociale ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës, mund të reflektojë edhe te popullata.
“Domosdo do të reflektojë edhe në dallime të popullatës, sa i përket kësaj çështje. Me fjalë të tjera, do të mund të ngritën armiqësi politike, të cilat mund ta tejkalojnë, në këtë fazë, edhe arenën politike dhe të kalojnë në një arenë tjetër, gjegjësisht, në arenën shoqërore".
"Për këtë arsye them se këta individë, sidomos deputetët dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët po i fryjnë këtij zjarri virtual, do të duhej të ndaleshin sa më parë”.
Ndryshe, gjuha e ashpër që përmban fyerje dhe ofendime nga ana e politikanëve në rrjetet sociale, tashmë ka nxitur edhe një numër abonentësh në këto rrjete që të reagojnë dhe në disa raste madje edhe të përdorin gjuhë të ngjashme.