Ndërlidhjet

Lufta “e dështuar”


Ilustrim
Ilustrim
“Zero tolerancë ndaj korrupsionit”- një fali kjo e dëgjuar shpesh gjatë vitit që lamë pas. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës i kishin vënë vetes “prioritet” ta luftojnë këtë dukuri, por në terren duket se nuk ka mundur të realizohet si duhet përkushtimi deklarativ.

Të paktën kështu pohojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile, sipas të cilëve, shihet qartë se korrupsioni ka shtrirje në të gjitha institucionet e Kosovës.

Po sipas tyre, përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni mund të kenë sukses vetëm nëse ka vullnet politik për krijimin e bazës ligjore dhe të mekanizmave adekuatë.

Institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin, janë të korruptuara edhe vetë, thotë drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu.

Sipas ij, 2011-ta nuk ka sjellë ndonjë rezultat në luftën kundër kësaj dukurie.

“Luftimi i korrupsionit është bazë e vullnetit politik. Ne kemi pasur një mungesë të vullnetit politik nga ana e qeverisë. Në raportet e publikuara gjatë vitit 2011, si nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, kemi pasur një ngritje të perceptimit mbi korrupsionin dhe nivelin e korrupsionit. Andaj, nuk mendoj se qeveria ka bërë ndonjë hap konkret në luften kundër korrupsionit”.

“Ne jemi dëshmitarë se qeveria, për 6 muaj, ka zhvendosur debatin në çështjen e veriut dhe lufta kundër korrupsionit ka mbetur e heshtur”,
thotë Kryeziu.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit pranojnë se lufta kundër veprave korruptive nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm, por thonë se ka përparim në miratimin e ligjeve për parandalimin e dukurisë në fjalë.

Hasan Preteni
Hasan Preteni
“Vitin 2011 e përmbyllëm me një progres të vogël, edhe atë në fushën e legjislacionit. Në pjesën e luftimit them se nuk kemi diçka të prekshme. Në periudhën e ardhshme na mbetet të punojmë shumë, e sidomos gjyqësori, që të kemi rezultate më të prekshme në fushën e luftimit”, thotë Preteni.

Në raportin vjetor mbi shkallën e korrupsionit në nivel global, organizata “Transparency International”, gjatë vitit 2011, ka renditur Kosovën në vendin 112, në mesin e 183 shteteve të botës me nivel të lartë të korrupsionit.

Me një vlerësim prej 2.9 pikësh, Kosova është renditur më poshtë në listën e kësaj organizate, në krahasim me vendet e rajonit.

Edhe Preteni pranon se korrupsioni në Kosovë ka zënë vend në pothuajse të gjitha institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike. Ai vetë kërkon më shumë punë për luftimin e tij.

“Duhet një trysni më e fuqishme nga të gjithë mekanizmat që kanë për mision luftën kundër korrupsionit; të jenë më llogaridhënës, të tregojnë sa po punojnë, të publikojnë raporte, jo vetëm për Vit të Ri apo para kuvendit, por në mënyrë sistematike, çdo tre muaj”, thotë Preteni.

Sipas zyrtarëve të Institutit Demokratik të Kosovës, niveli i lartë i korrupsionit ngufat vendin edhe në aspektin ekonomik.

Ata thonë se ky fenomen më së shumti ngarkon qytetarin e Kosovës, i cili për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, detyrohet të paguajë shuma shumëfish më të larta për produkte dhe shërbime të ndryshme.

Luftën anti-korrupsion, sipas drejtorit të KDI-së, Ismet Kryeziu, e vështirëson edhe moskompletimi i pakos adekuate legjislative.

“Kemi një zvarritje në hartimin e legjislacionit për luftën kundër korrupsionit. Kjo natyrisht demonstron mungesën e vullnetit politik, e që kjo qeveri duhet ta ketë si përkushtim në luftën kundër korrupsionit”, thotë Kryeziu.

Edhe Avni Zogiani, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU, e konsideron mungesën e vullnetit politik si arsye që e ka bërë Kosovën të zhytet në një masë kaq të madhe të korrupsionit.
Mënyra se si funksionon sistemi politik në Kosovë e bën të pamundur luftimin e sinqertë të korrupsionit.

“Mënyra se si funksionon sistemi politik në Kosovë e bën të pamundur luftimin e sinqertë të korrupsionit. Ne kemi parë në vazhdimësi një tendencë të qeverisë që të bëjë një infrastrukturë ligjore, e cila nuk funksionon. Pra, mendoj se rezultat direkt i kësaj situate të rëndë në fushën e luftës kundër korrupsionit është pikërisht mungesa e vullnetit politik për ta luftuar atë”, thekson Zogiani.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalimin e saj para Kuvendit të Kosovës, është zotuar se do të themelojë një këshill anti-korrupsion, të cilin do ta drejtojë vetë.

Ajo ka deklaruar se “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të fitohet”. Jahjaga është zotuar se do t’i shfrytëzojë të drejtat kushtetuese e ligjore, që të përfshihet fuqishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG