Ndërlidhjet

E papërgatitur për ta luftuar korrupsionin


Ilustrim
Ilustrim
Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Kosovën e gjen të papërgatitur për ta luftuar këtë dukuri negative, thanë përfaqësues të shoqërisë civile në një tryezë të organizuar nga Zyra për qeverisje të mirë e Kryeministrisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Megjithatë, zyrtarë të lartë të ekzekutivit dhe drejtues të sistemit të drejtësisë, thanë se për ta luftuar korrupsionin në Kosovë nevojitet një guxim dhe bashkëpunim i të gjitha institucioneve të vendit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, deklaroi se 9 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, është një rast i mirë për t’i fuqizuar edhe më shumë mekanizmat në luftën kundër korrupsionit. Kuçi përsëriti se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për ta luftuar korrupsionin dhe dukuritë e tjera negative.

Hajredin Kuci
Hajredin Kuci
“Më lejoni që në emër të Qeverisë së Kosovës t’ju them se ne do të vazhdojmë me angazhimet tona në luftën kundër korrupsionit, për ndërtimin e shtetit ligjor, për të cilin do të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që i hapë Kosovës perspektivën për integrime evropiane. Unë besoj që sot është rasti i mirë për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit, njëkohësisht për të treguar gatishmërinë tonë që kjo luftë nuk është e pamundur dhe nuk është e pa shpresë, por kërkohet një bashkëpunim dhe një fuqizim i guximit tonë në këtë bashkëpunim”, deklaroi Kuçi.

Nga ana tjetër, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, tha se ndryshimet në infrastrukturën ligjore do të krijojnë një ambient edhe më të mirë për t’i luftuar dukuritë negative.

Kabashi theksoi se humbjet nga korrupsioni paraqesin një shqetësim serioz për stabilitetin dhe sigurinë e çdo shteti. Ai, po ashtu, u shpreh se Prokuroria e shtetit mbetet e përkushtuar për t’i vazhduar përpjekjet drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta për ta luftuar në mënyrë efikase korrupsionin.
Në luftën kundër korrupsionit nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të jetë imun, pavarësisht pozitës apo funksionit që ka, apo që ka pasur...



“Në luftën kundër korrupsionit nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të jetë imun, pavarësisht pozitës apo funksionit që ka, apo që ka pasur, gjithmonë duke u bazuar në ligje".

"Kryeprokurori i shteti konsideron se është ndërtuar infrastruktura ligjore për luftimin e korrupsionit, mirëpo ne shpresojmë se me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, do të fuqizohet edhe më tepër funksioni i prokurorit, sidomos në aspektin e caktimit të ekspertëve nga lëmi të ndryshme, e sidomos të atyre financiar. Po ashtu, konsideron se do të jetë një armë e fortë edhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë jo të ligjshme”,
tha Kabashi.

Në raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, Kosova është renditur e 112-ta në mesin e 183 shteteve të botës sa i takon korrupsionit.

Me një vlerësim prej 2.9 pikësh, Kosova renditet më poshtë në listën e kësaj organizate, në krahasim me vendet e rajonit.

Edhe vitin e kaluar, Kosova ishte renditur më poshtë në krahasim me vendet e rajonit, duke u klasifikuar në vendin e 110-të me nivele të lartë të korrupsionit. Thuhet se niveli më i lartë i korrupsionit të Kosovës është në institucionet publike, si në ekzekutiv dhe gjykata.

Në fjalën e tij në takimin e së premtes, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani, tha se në kuadër të kompetencave të veta, Gjyqësori është duke e bërë punën e vet për t’i gjykuar rastet që kanë të bëjnë me korrupsion.

Siç u shpreh ai, në këtë drejtim, pengesë është duke paraqitur numri i vogël i gjyqtarëve në gjykata.

“Ne kemi proceduar një numër jo të vogël të rasteve, kështu që nga statistikat që unë posedoj, deri më 30 nëntor kanë ardhur gjithsej 108 çështje me natyrë korruptive, pra me elemente korruptive, dhe nga këto janë proceduar dhe janë zgjidhur 78 raste. Fatkeqësisht, këtu presin për t’u zgjidhur edhe 281 raste që janë bartur nga vitet paraprake”, bëri të ditur Hasani.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare, por edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, vlerësuan se mungesa e ligjeve dhe moszbatimi i atyre ekzistues, janë disa nga faktorët që po ndikojnë në mosluftimin e duhur të korrupsionit në Kosovë.

Merita Mustafa, menaxhere e Programit Anti-Korrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), deklaroi se mungesa e vullnetit politik dhe neglizhenca e vazhdueshme e institucioneve kosovare për ta luftuar këtë fenomen, kanë bërë që shkalla e lartë e korrupsionit të jetë në nivelet shumë të lartë.
Ndjekja penale e korrupsionit nga agjencitë e zbatimit të ligjit, kryesisht është e dobët, si rezultat i ndërhyrjeve politike.



“Edhe pse legjislacioni që i rregullon agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë ofron masa mbrojtëse të mjaftueshme për pavarësinë për integritetin, si dhe për gjyqësinë, këto masa mbrojtëse nuk janë zbatuar në mënyrë efektive. Përveç mbrojtjes së fortë ligjore të tyre, agjencitë janë shpesh objekt i ndërhyrjeve politike. Për shembull, ndjekja penale e korrupsionit nga agjencitë e zbatimit të ligjit, kryesisht është e dobët, si rezultat i ndërhyrjeve politike. Emërimet e larta në agjencitë e zbatimit të ligjit janë të motivuara politikisht etj”, u shpreh Mustafa.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit u shënua me debate dhe aktivitete të ndryshme. Kështu, me rastin e kësaj dite, Lëvizja FOL, përmes një aksioni “dezinfektoi” qeveritarët e korruptuar.

Ky aksion u realizua para hyrjes kryesore të ndërtesës qeveritare. Përmes këtij aksioni, Lëvizja FOL shprehu shqetësimin e saj në lidhje me nivelin e lartë të korrupsionit dhe shtrirjen e gjerë të tij në institucionet publike.

Me këtë rast Lëvizja FOL, kërkoi nga institucionet që të mos përfshihen në afera korruptive, por t’i luftojnë ato me të gjithë mekanizmat ligjorë e institucionalë.

Nëntë dhjetori është Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit e shpallur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara.

Lexoni edhe këtë:
Kosova, më e korruptuara në rajon
XS
SM
MD
LG