Ndërlidhjet

Në shëndetësi (s’) do të ketë reforma


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Reforma në shëndetësinë kosovare nuk do të ketë. Kështu thonë udhëheqës të Sindikatës së Shëndetësisë dhe deputetë të opozitës.

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë, thotë se pritjet e tilla bazohen në faktin që “vetëm 5.8 për qind e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës i është ndarë Ministrisë së Shëndetësisë”.

“Mos prisni asnjë reformë me këtë buxhet që kemi! Kërkesat janë duke u rritur, sëmundjet janë më të mëdha. Pesë për qind nga buxheti është ndarë për shëndetësi, ndërsa do të duhej 10 për qind. Andaj, nuk duhet pritur reforma”, thotë Syla.

Mendim të ngjashëm ka edhe Igballe Morina Malushaj, anëtare e Komitetit për Shëndetësi nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Pa para, nuk bëhen reforma. Ne e kemi kundërshtuar projekt-buxhetin. Derisa nuk ka rritje të buxhetit, nuk do të ketë as reforma”, thekson Morina Malushaj.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Por, të tjera janë pritjet e Ministrisë së Shëndetësisë. Zëvendësministri Kadër Hyseini shpreh bindjen se reformat do të ndodhin këtë vit, përkundër buxhetit të vogël, të ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë nga Qeveria e Kosovës.

Ai përmend Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për shëndetësi, që, sipas Hyseinit, do të miratohen dhe do të bëjnë reforma në shëndetësi.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Financave që të ndahen edhe 10 milionë euro shtesë për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për shëndetësi. Andaj, mendoj se këto ligje do të bëjnë reformë në shëndetësi. Këto dy ligje janë bazamenti i reformave në shëndetësi”, thotë Hyseini.

Por, kryesindikalisti Blerim Syla është skeptik, pasi, sipas tij, buxheti tashmë është ndarë dhe nuk janë paraparë mjete të tjera financiare për ligjet në fjalë.

“Zëvendësministri thotë se do të aprovohen këto dy ligje, mirëpo ne nuk e dëgjuam në parlament, kur është ndarë buxheti”, thotë ai.

Aurora Bakalli, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja për Bashkim, thotë se buxheti i ndarë për shëndetësinë kosovare është më i vogli në rajon. Sipas saj, as që mund të flitet për reforma në këtë sektor.

“Buxheti i ndarë është i pamjaftueshëm dhe më i vogli në rajon. Andaj, shëndetësia do të vazhdojë të jetë në gjendje të rëndë”, shprehet Bakalli.

Të pakënaqur me shërbimet shëndetësore mbesin edhe qytetarët.

Valentina Ahmeti, me profesion gazetare, thotë se Qeveria e Kosovës është dashur të ndajë nga buxheti një shumë më të madhe për shëndetësinë, duke marrë parasysh, sipas saj, gjendjen aktuale në sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se shëndetësia kosovare nuk ofron shërbime të duhura. Mendoj se Qeveria e Kosovës është dashur të ndajë buxhet më të madh për shëndetësinë”, thotë ajo.

Sido që të jetë, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2012 do të jetë 129 milionë euro, çfarë paraqet rritje për 12 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Lexoni edhe këtë:
Instituti Onkologjik - ende i pakompletuar
XS
SM
MD
LG