Ndërlidhjet

Serbët largojnë vetë barrikadat


Zupç, 27 tetor 2011.
Zupç, 27 tetor 2011.

Banorët serbë të veriut të Kosovës, të cilët për një kohë të gjatë kanë mbajtur të bllokuara shumë rrugë që çojnë në drejtim të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31, kanë nisur me vetiniciativë t’i largojnë disa nga barrikadat.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se forcat paqeruajtëse të KFOR-it sot kanë lëvizur lirshëm në drejtim të vendkalimeve kufitare Bërnjak e Jarinë.

Besim Hoti
Besim Hoti

“Rruga magjistrale Mitrovicë-Zubin Potok është e kalueshme, përkatësisht deri në Bërnjak. KFOR-i ka shkuar përmes qarkullimit tokësor në vendkalimin kufitar. Në anën e Leposaviqit, KFOR-i nuk ka shkuar nga rruga magjistrale Mitrovicë-Leposaviq; ai është dashur të kalojë nga veriu i Mitrovicës në Zveçan dhe të kalojë mbi Rudar të Madh, pasi që në hyrje të Rudarit të Vogël barrikada është e betonuar”, tha Hoti.

Mbrëmjen e kaluar, përfaqësuesit e ashtuquajtur të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë deklaruar se i kanë ofruar KFOR-it një plan të lëvizjes, me qëllim të furnizimit me ushqim të ushtarëve paqeruajtës, që ndodhen në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinë.

Por, kjo lëvizje, siç është thënë, duhet të bëhet në rrugë të caktuara dhe vetëm gjatë ditës.

Largimin e disa barrikadave dhe fillimin e lëvizjes në veri, në drejtim të vendkalimit kufitar Bërnjak, e konfirmuan edhe zyrtaret e KFOR-it. Ata thanë se largimi i këtyre barrikadave është një hap i mirë.

Shefi i Zyrës për informim në KFOR, Uve Novicki, i tha Radios Evropa e Lirë se në veri të Kosovës është lehtësuar liria e lëvizjes, por jo në nivelin e kënaqshëm.

"Liria e lëvizjes duhet të bëhet pa asnjë kusht. Kjo është ajo që kërkon KFOR-i - dhe jo vetëm lëvizje për KFOR-in, por edhe për EULEX-in dhe organizatat e tjera, si dhe për njerëzit. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt”, tha Novicki.

Në emër të KFOR-it, ai i bëri thirrje popullatës në veri t’i heqë të gjitha barrikadat, sepse “kjo është në të mirën e të gjithëve”.

Por, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, Sllavisha Ristiq, tha se KFOR-i duhet ta respektojë vullnetin e banorëve të asaj ane, duke mos keqpërdorur mundësinë e lëvizjes së lirë.

“Shpresojmë që KFOR-i do të respektojë vullnetin tonë të mirë dhe nuk do ta keqpërdorë mundësinë për kalimin e lirë, për t’i furnizuar ushtarët. Banorët do të qëndrojnë këtu dhe do të mbikëqyrin, por nuk do t'i pengojnë ushtarët. Ndërkaq, do të theksoja edhe një herë se EULEX-i nuk mund të kalojë derisa nuk arrihet ndonjë marrëveshje me Beogradin", tha Ristiq.

Rreth veprimtarisë së EULEX-it në veri të Kosovës, të ashtuquajturit përfaqësues të serbëve në veri, në mbledhjen e mbajtur dje, kanë rekomanduar drejtuesit e këtij misioni të Bashkimit Evropian që të bisedojnë me qeverinë dhe institucionet tjera të Serbisë.

EULEX-i vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë, duke thënë se barrikadat duhen larguar sa më parë, për të mundësuar lirinë e lëvizjes për të gjithë.


Lexoni edhe këtë:
Kërkohet më shumë dinamikë


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG