Ndërlidhjet

Jo bllokimit të rrugëve


Zupç, 21 tetor 2011.
Zupç, 21 tetor 2011.
Situata në veri të Kosovës, pas operacionit të djeshëm të KFOR-it për largimin e barrikadave rrugore, është e qetë, njoftojnë zyrtarët e KFOR-it dhe ata të Policisë së Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, ka qëndruar në veri të Kosovës, me ç’rast ka vizituar ushtarët, të cilët janë duke qëndruar në afërsi të barrikadave.

Erhard Drevs
Erhard Drevs
Ai tha se KFOR-i i respekton protestat e njerëzve si e drejtë e tyre legjitime, por jo duke bllokuar rrugët.

“Nuk mbështesim protestat, të cilat si qëllim kanë bllokimin e rrugëve, sidomos kur këto barrikada pengojnë lirinë e lëvizjes për KFOR-in dhe të tjerët”, tha Drevs.

Ai rikujtoi se veprimet e tilla janë në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila kërkon që të mos ketë kufizim në liri të lëvizjes për stafin ndërkombëtar.

Duke folur para gazetarëve në fshatin Zupç, komandnati i KFOR-it tha se ka pak shpresë për arrtijen e ndonjë zgjidhjeje me përfaqësuesit serbë.

“Mendoj se zgjidhja më e mirë do të jetë ajo paqësore, por me përvojat që i kemi pasur deri tash me përfaqësuesit e palës tjetër, ka pak shpresë se do të kemi ndonjë zgjidhje të shpejtë", tha Drevs.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se trupat e KFOR-it kanë larguar përfundimisht barrikadën mbi urën e fshatit Zupç.

“...edhe pse të njëjtën e kishte vënë nën kontroll gjatë ditës, për shkaqe teknike dhe fortësisë së materialit që ishte vendosur aty, është dashur të porositen pajisje të veçanta për ta larguar si barrikadë fizike”, bëri të ditur Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Hoti tha po ashtu se serbët kanë vazhduar të qëndrojnë në disa barrikada gjatë gjithë natës, ndonëse në një numër më të vogël.

Është raportuar se serbët lokalë në pjesën veriore kanë bërë lëvizje tё mobilizuara nga Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku, në drejtim të Jagnjicёs. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë, Besim Hoti.

“Ka pasur prezencë të serbëve në të gjitha barrikadat, të cilat janë të vendosura në vende të ndryshme në veri të Kosovës; ka prezencë të personave fizikë, të cilët qëndrojnë aty. Në veçanti në pjesën ku KFOR-i ka pasur dje aksione, është vërejtur një prezencë më e shtuar e qytetarëve”, tha Hoti.

Ai njëherësh deklaroi se Policia e Kosovës është e gatshme për të reaguar në çfarëdo situate që mund të paraqitet gjatë ditës ose edhe nëse kërkohet nga KFOR-i.

Millan Ivanoviq
Millan Ivanoviq
Ndërkaq, lideri i serbëve të veriut të Kosovës, Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb, tha se serbët lokalë në veri të vendit janë të vendosur që t’i mbrojnë qëndrimet e veta me, siç i quajti ai, mjete paqësore dhe demokratike.

Ai tha se serbët do të qëndrojnë pranë barrikadave, por shprehu drojën se KFOR-i mund të bëjë ndonjë veprim që, sipas tij, e tejkalon mandatin e kësaj force paqeruajtëse.

“E gjitha varet nga KFOR-i. Shpresoj se ata nuk do t’i tejkalojnë autorizimet e veta dhe mandatin që kanë - ndonëse këtë tashmë e kanë bërë - dhe të përdorin dhunën e mëtejshme pa kurrfarë arsyeje mbi popullin, i cili vërtet është i qetë, i organizuar dhe i disiplinuar”, tha Ivanoviq.

Pas fillimit të aksionit të KFOR-it për largimin e disa barrikadave në veri të Kosovës mbetën të lënduar 8 pjesëtarë të KFOR-it dhe rreth 22 protestues serbë.

Ky veprim i KFOR-it erdhi pasi që nuk u arrit asnjë marrëveshje në mes të paqeruajtësve dhe përfaqësuesve të serbëve që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave.

***Aksioni për heqjen e barrikadave - 20 tetor 2011:

Në veri...
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00
Shkarkoje

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG