Ndërlidhjet

Mesazh i keq për investitorët


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Mbyllja, pa ndonjë rezultat pozitiv, e procesit të konkurrimit për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, e cila u bë me vendimin e Komitetit Qeveritar për Privatizim, është pritur, pasi që i gjithë ky proces ka devalvuar, thonë ekspertët e çështjeve të ekonomisë në vend.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik tashmë ka deklaruar se do të nisë një proces i ri për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës.

Eksperti për çështje të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se vetë fakti i nisjes së një procesi të ri, është “tregues i dështimeve”.

“Përmbyllja (e procesit), nëse kemi parasysh situatën më të re të krijuar, është ajo që është pritur. Do të thotë, një rifillim i procesit. Në fakt, rifillimi i procesit nuk nënkupton asgjë tjetër, përveç dështimit të një procesi, të filluar para rreth dy vjetësh”.

“E them këtë duke pasur parasysh se fillimisht ka pasur mjaft të interesuar për blerjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ka pasur kompani të kualifikuara, por të gjitha, një pas një, u tërhoqën, pikërisht për shkak të joseriozitetit të qeverisë, por edhe problemeve të brendshme në Postën dhe Telekomin e Kosovës”,
thotë Rexhepi.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu, thotë se shenjat e një dështimi të mundshëm të procesit të privatizimit të PTK-së, kanë qenë të dukshëm dhe mjaft realë që në fillim të procesit.

“Devalvimi ka qenë që në fillim, kur e kanë futur si pjesë të buxhetit në Ligjin për buxhetin e vitit 2011, duke ia përcaktuar edhe shumën. Në një mënyrë, e kanë proklamuar nivelin e kostos. Megjithatë, arsyetimet e tyre kanë qenë se do ta bëjnë këtë ose atë”.

“Tash edhe ky proces, unë mendoj se gjithsesi devalvon dhe i duhet një marketing krejt tjetër ose një prezantim i marketingut, realisht ashtu çfarë është. Mendoj se deri tash i është bërë marketing negativ. Përndryshe, posta këtu është shumë profitabile”,
thotë Sadriu.

Sipas tij, çmimi i përfolur për PTK-në, që kapte vlerën e 300 milionë eurove, nuk ishte në përputhshmëri të plotë me vlerën reale të PTK-së.

“Mendoj se shifra prej 300 milionë eurosh ka qenë tepër neglizhuese në raport me vlefshmërinë e këtij projekti. Ky projekt (PTK-ja), për tre vjet, do t’i sillte këto mjete. Prandaj, ka qenë një çmim nënçmues. Por, këta kanë vendosur kështu dhe unë frikësohem se kanë për ta shitur edhe më lirë”, thotë Sadriu.

PTK
PTK
Mendim të ngjashëm ka edhe Rexhepi, i cili vlerëson se PTK-ja, edhe në procesin e ardhshëm, vështirë se do të arrijë një çmim real për vlerën që ka.

Rrethana jo të favorshme në këtë drejtim, krahasuar me periudhën e kaluar, sipas tij, janë problemet që vendet evropiane dhe më gjerë kanë me buxhetet e tyre, si dhe recesioni, i cili kërcënon në formë shumë më serioze sesa në vitin 2008.

“Rrethanat nuk janë fare të favorshme. Por, njëkohësisht, dështimi i procesit është një vërejtje dhe mesazh i keq për investitorët e ardhshëm të mundshëm, duke ua bërë me dije se serioziteti i qeverisë nuk është aq i lartë, e posaçërisht kur bëhet fjalë për proceset gjyqësore, të cilat kanë të bëjnë me Postën”, thotë Rexhepi.

Ai parasheh që buxheti i këtij viti të ballafaqohet me një deficit, i cili ishte planifikuar të mbulohej nga të hyrat prej shitjes së PTK-së. Siç thotë Rexhepi, rinisja e procesit të privatizimit të PTK-së ose së paku shpallja e tenderit për të, nuk mund të priten gjatë këtij viti, e aq më pak përfundimi i një procesi të tillë dhe kryerja e proceduarave për pagesën.

Për financimet e këtij viti, sipas tij, mbetet që Qeveria t’iu qaset vetëm rezervave buxhetore.
XS
SM
MD
LG