Ndërlidhjet

Mallrat e Kosovës nuk lejohen në Serbi


As të dielën kamionë me mallra komerciale nga Kosova, nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë.

Zyrtarët e Doganave të Kosovës thanë se autoritetet serbe doganore u kanë thënë eksportuesve kosovarë që kanë tentuar të hyjnë në Serbi se ende nuk kanë marrë ndonjë urdhër për lejimin e hyrjes së mallrave nga Kosova.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, tregon se deri më tash asnjë lloj i mallrave nuk është lejuar të hyjë në territorin serb.

Nga informata me të cilat i posedojmë për momentin është që autoritetet serbe i kanë kthyer disa dërgesa me arsyetimin që dokumentacioni i tyre nuk është i pranueshme për ta. Sido që të jetë kjo çështje duhet të shihet edhe të hënën. Dogana do ta bëjë një analizë më të thellë të kësaj çështje dhe do të vërehet se ku janë pengesat”, deklaroi Stavileci.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se nëse një situatë e tillë do të vazhdojë edhe në javën e ardhshme, as Kosova nuk do të lejojë hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive politike opozitare kanë thënë se marrëveshja e reciprocitetit duhet të zbatohet në nga të dyja palët.

Ne vazhdimisht e kemi thënë shumë më herët se ne jemi për masa të reciprocitetit të plotë. Dhe ne e kemi bërë të qartë edhe kur është arritur marrëveshja për vulat doganore se nuk janë vetëm vulat doganore, janë një seri e gjërave që duhet të ndryshohen. Mund të pranohen vulat doganore por nuk pranohen dokumentet e udhëtimit tabelat e veturave është po thuajse jo efektive çfarëdo marrëveshje që arrihet”, u shpreh Abdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndryshe, në një konferencë për media të mbajtur nga grupi i ekspertëve për ekonomi të LDK-së, është vlerësuar puna gjashtëmujore e qeverisë.

Ky grup ka shprehur shqetësimet lidhur me, siç është thënë, thellimin e krizës ekonomike në Kosovë si rezultat i keqqeverisjes aktuale.

Ekspertët fillimisht kanë deklaruar se buxheti i vendit është miratuar pa u bazuar në vlerësime reale të të hyrave dhe shpenzimeve të pritura, gjë që sipas tyre nuk ka si të prodhojë efekte pozitive për ekonominë në rënie.

Abdullah Hoti, drejtues i grupit të ekspertëve të ekonomisë në LDK, tha se si rezultat i mos punës nga ana e Qeverisë së Kosovës po rrezikohet seriozisht likuiditeti i institucioneve shtetërore duke dhënë kështu indikacion të qartë te donatorët dhe huazuesit potencialë, se kjo qeveri nuk është e përgjegjshme dhe rrjedhimisht nuk mund t’i besohet për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale të huadhënies me institucionet ndërkombëtare dhe donatoret.

Të hyrat e planifikuara nga donatorët normalisht që nuk mund të mendohen, për shkak të prishjes së marrëveshjes me FMN-në, të cilën ne e kemi adresuar në disa paraqitje tona. Ne kemi analizuar shpenzimet e qeverisë, ku për shkak të mungesës së hyrjeve buxhetore nga PTK-ja, po zvogëlohet keshi (paratë në dorë) në llogaritë bankare të qeverisë. Deri në muajin gusht ky kesh është zvogëluar për 18. 7 milione euro dhe si rezultat po rrezikohet e gjithë qëndrueshmëria dhe likuiditeti i institucioneve qeveritare”, u shpreh Hoti.

Hoti ka deklaruar po ashtu se edhe deficiti tregtar i Kosovës po thellohet gjithnjë e më shumë.

Shkalla e mbulimit të importeve me eksporte mbetet e ulët (rreth 13%), tha ai.

Hoti, i cili njëherësh është edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, është shprehur se gjatë kësaj periudhe kohore ka pasur edhe rënie të investimeve të jashtme.

Sivjet në tre mujorin e parë kemi pasur 59 milionë euro investime të jashtme ndërkohë që në tre mujorin e parë të vitit 2010 ka pasur 73. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është fokusuar në ndërrimin e stafit në shumicën e resorëve dhe agjencive që janë nën menaxhimin e kësaj ministrie. Nuk ka asnjë indikacion se po punohet në drejtim të tërheqjes së investimeve të jashtme, të cilat po bien nga viti në vit”, bëri të ditur Hoti.

Zyrtarët e LDK-së kanë kritikuar qeverinë, dhe disa drejtues të bizneseve që thonë se është rritur prodhimi vendor dhe punësimi, pas vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë.

Sipas tyre nuk ka asnjë mundësi që për disa ditë apo javë, bizneset vendore të fillojnë prodhimin për të zëvendësuar produktet e importuara më parë nga Serbia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG