Ndërlidhjet

Cilësia e arsimit, në krizë?!


Pamje nga një shkollë e Prishtinës...
Pamje nga një shkollë e Prishtinës...
Cilësia e arsimit në institucionet para-universitare në Kosovë është shumë e ulët, e madje vë në pikëpyetje vlerën e diplomës, thonë ekspertë të kësaj fushe. Sipas tyre, Kosova është në krizë dhe vakum të madh sa i përket cilësisë se arsimit në vend.

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës, thekson se vlerat që prodhojnë strukturat aktuale të arsimit, mund të vihen në dyshim.

Sipas tij, në shumicën e rasteve, notat që figurojnë në dëftesë, nuk garantojnë cilësinë e njohurive, shkathtësive dhe shprehive të një nxënësi, i cili ka përfunduar shkollimin.
Mungesa e përgjithshme e cilësisë bën që diplomat e shkollave tona të konsiderohen më me pak vlerë.

“Mungesa e përgjithshme e cilësisë bën që diplomat e shkollave tona të konsiderohen më me pak vlerë, sesa diplomat nga shkollat e vendeve të tjera”.

“Tërë kohën e kam fjalën për atë mesataren, sepse gjithmonë ka një përqindje të vogël të nxënësve të talentuar, diplomat e të cilëve normalisht janë aq të vlefshme sa të atyre që kanë mbaruar shkollën në ndonjë vend të zhvilluar”,
thotë Pupovci për Radion Evropa e Lirë.

Eksperti tjetër i arsimit, Jonuz Salihu, thotë se cilësia e arsimit është në krizë. Sipas tij, një gjë të tillë më së miri e dëshmon vlerësimi i jashtëm, që është testi i maturës.

Vetëm 42 për qind e maturantëve, gjatë këtij viti, kanë arritur të kalojnë me sukses testin e maturës.

Salihu konsideron se edhe mungesa e kuadrove të kualifikuara për reformim dhe modernizim të sistemit arsimor, ndikon në rënien e cilësisë.

“Unë besoj se 20 për qind e arsimtarëve duhet të shkojnë në pension, apo të lirohen nga procesi arsimor, sepse janë të paaftë për ta modernizuar apo reformuar sistemin arsimor”.

“Një arsimtar, i cili ka punuar 40-50 vjet dhe ka ardhur para pensionit, nuk mund të reformohet. Është më mirë t’i jepet një pension dhe të shkojë në shtëpi, sesa t’iu bëjë dëm gjeneratave të reja. Dëmi është i pariparueshëm”,
thekson Salihu.

Dukagjin Pupovci vlerëson se faktor kryesor i nivelit të ulët të cilësisë është mungesa e mbikëqyrjes dhe këshillimit të mësimdhënësve.

“Në shkollat tona, rëndom, mbikëqyrja bëhet vetëm në kuptimin se a i përmbahet ose jo (mësimdhënësi) orarit të punës dhe a i ka përfunduar si duhet procedurat administrative të plotësimit të ditarit”.

“Nëse nuk bëhet mbikëqyrja e punës së arsimtarëve në klasë nga ana e autoriteteve, atëherë është vështirë të mësohet se çfarë lloj cilësie ka në klasë”,
thotë Pupovci.

Ministria e Arsimit
Zyrtarë të arsimit thonë se ekzekutivi gjithmonë është në funksion të përmirësimit të cilësisë në të gjitha institucionet arsimore.

Ramush Lekaj, udhëheqës i divizionit të sigurimit të cilësisë në Ministrinë e Arsimit, thotë se kjo ministri ka zhvilluar shumë aktivitete, të cilat janë në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit.

“Ka filluar së pari me ndërtimin e objekteve shkollore, pastaj me pajisjen e shkollave me mjete mësimore, sidomos me mjete që janë të domosdoshme për zhvillimin e mësimit dhe me kompjuterë që janë të nevojshëm për zhvillimin e mësimit në mënyrë elektronike“, thekson Lekaj.

Eksperti Jonuz Salihu pranon se ndërtimi i objekteve të reja shkollore ndikon në përmirësimin e procesit mësimor, por, sipas tij, kuadri dhe kushtet brenda objekteve janë faktorë kryesorë që ndikojnë në rritjen e cilësisë së arsimit.

“Në Kosovë, qeveria ka kuptuar se kur ndërton shkolla të reja, e ka përfunduar punën. Ndërtesa është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ndërtesa nuk emancipon fëmijët, por kuadri dhe kushtet brenda ndërtesës”.

“Shkollat tona nuk kanë kompjuterë, nuk kanë laboratorë, por edhe të kishin, disa arsimtarë janë të pakualifikuar dhe nuk mund t’i përdorin ata. Kështu që ne jemi në vakum të madh sa i përket cilësisë, sepse nuk kemi krijuar kushte”,
shprehet Salihu.

Më cilësi të ulët të arsimit, ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se ballafaqohen edhe institucionet tjera arsimore, si Universiteti Publik dhe universitetet private në Kosovë.

Lexoni edhe këtë:
Nis viti i ri shkollor

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG