Ndërlidhjet

Kufiri nën kontroll


Situata ne veri të Kosovës mbrëmë ka qenë e qetë, njoftojnë zyrtarët e policisë së Kosovës, por edhe serbët nga veriu i vendit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, thotë se njësitet speciale “ROSU” tashmë janë tërhequr dhe në pikat kufitare janë duke e kryer punën e tyre policia kufitare dhe doganierët e Kosovës. Ndërkaq, Kërstimir Pantiq, lider politik i serbëve të veriut të Kosovës, thotë se barrikadat janë ende në rrugë, dhe nëse nuk largohen policët kufitarë dhe doganierët, serbët prapë do t’i bllokojnë rrugët.

Njësitet speciale të Policisë së Kosovës ,“ROSU” tashmë janë tërhequr nga veriu i Kosovës, pasi kanë përmbushur detyrat e tyre, njoftojnë zyrtarët e policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Brahim Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se njësitet speciale kanë vënë situatën nën kontroll në vendkalimet kufitare 1 dhe 31, ndërkaq që tashmë atje gjenden njësitet kufitare të policisë së Kosovës dhe doganierët.

Mund të them se njësitet speciale e kanë kryer detyrën e tyre, për të cilën ishin ngarkuar. Kanë shkuar në vendkalimet kufitare, e kanë vënë situatën nën kontroll dhe ua kanë mundësuar që ta kryejnë detyrën e tyre njësive kufitare dhe doganave të Kosovës, të cilat kanë mandate për të kryer procedurat e kalimit kufitar dhe të mallrave. Pasi që është vlerësuar që policia e rregullt kufitare dhe dogana mund të kryejnë punën e tyre, njësitet speciale janë tërhequr nga të dy vendet”, tha Sadriu.

Zëdhënësi Sadriu, ka theksuar se në pikat kufitare në veri të vendit janë duke qëndruar edhe njësitë e KFOR-it, të cilat sipas tij, janë duke dhënë përkrahjen për policinë e Kosovës, në punën e tyre të përditshme.

Sadriu gjithashtu ka shtuar se situata e sigurisë në veriun e Kosovës gjatë natës ka qenë e qetë dhe pa incidente, ndonëse në disa rrugë ende qëndrojnë barrikadat, të cilat i kanë vendosur më herët serbët lokal.

Sipas informacioneve që ne kemi pranuar nga tereni, konkretisht nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës, situata e sigurisë në atë pjesë të vendit është e qetë dhe në çdo moment shkon drejt normalizimit”, tha ai.

Në anën tjetër, serbët lokalë, në veri të vendit edhe gjatë natës së kaluar kanë qëndruar afër barrikadave që i kanë vendosur në disa rrugë.

Këtë e konfirmon edhe njëri nga liderët politik të serbëve të veriut të Kosovës, Kërstomir Pantiq, i cili gjithashtu thotë se me gjithë tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës nga veriu, në pikat kufitare kanë mbetur njësitë e policisë kufitare, me të cilin fakt, sipas tij, serbët lokal nuk pajtohen.

Qytetarët janë ende të tubuar në barrikada. Megjithatë rrugët nuk janë plotësisht të bllokuara. Qarkullimi është i lirë në drejtim ka pikat kufitare dhe që andej për në Mitrovicë”, tha Pantiq.

Ai ka theksuar se do të kërkojë nga komandanti i KFOR-it që të ndërmerr masa për largimin e policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës nga pikat kufitare në veri të vendit, në mënyrë që të mos eskalojë situata më tutje.

Ne po presim që komandanti i KFOR-it të vijë në Zveçan dhe nga ai do të kërkojmë që të gjithë policët kufitarë dhe doganierët, të cilët gjenden në bazën e KFOR-it në afërsi të Leposaviqit, të largohen nga ato baza. Në të kundërtën nuk do t’i largojmë barrikadat dhe sërish do ti bllokojmë rrugët”, tha Pantiq.

Sidoqoftë, Policia e Kosovës ka theksuar se njësitet e Policisë kufitare dhe doganierët do të vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre në pikat kufitare në veri të vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG