Ndërlidhjet

Prezantohen propozim-ndryshimet kushtetuese


Foto arkiv
Foto arkiv
Amandamentimi i Kushtetutës së Kosovës ka kaluar fazën e parë të identifikimit të 30 çështjeve që pritet të ndryshohen, e që kryesisht kanë të bëjnë me zgjedhjen dhe kompetencat e presidentit.

Kryetari i Komisionit për amandamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, thotë se këto ndryshime, pas miratimit dhe fuqizimit, do t’i japin Kosovës mundësi që të zgjedhë një president apo presidente me votën e qytetarëve, duke i dhënë kështu një legjitimitet shumë më të madh këtij institucioni sesa në rastin e zgjedhjes përmes Kuvendit.
Arsim Bajrami

“Opsioni i parë që ka marrë përkrahjen e pothuaj të gjithë anëtarëve të komisionit, është që qytetarët të jenë propozuesit primarë apo edhe të vetmit. Dallimi i vetëm në Komision është se a mjaftojnë 10 mijë nënshkrime apo ta ngremë në 15 mijë, në mënyrë që të kemi kandidatë seriozë dhe të mos kemi komprometim të garës me kandidatë që mund t’i mbledhin 10 mijë nënshkrime”.

“U është dhënë e drejta edhe partive politike që përfaqësohen në Parlament, sepse ato kanë arritur censusin elektoral, por dilema është se a duhet që edhe ata t’i kenë nënshkrimet për të qenë të barabartë me kandidatët që nuk janë nga partitë politikë në garën për president”,
thotë Bajrami.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga qytetarët do t’i japë atij edhe më shumë kompetenca. Ndërkaq, mbetet e paqartë nëse do të ketë edhe post zëvendëspresidenti, në rast të largimit, vdekjes apo edhe rasteve tjera që parashohin pushimin para kohe të mandatit të këtij institucioni.

Zgjedhja e presidentit kërkon 50 për qind plus një votë të elektoratit të Kosovës. E, në rast se kjo nuk arrihet, do të shkohet në rrethin e dytë, ku fiton kandidati që ka siguruar më shumë vota nga qytetarët.

Komisioni mund të kërkojë nga Kuvendi që t’i jepen edhe autorizime shtesë në lidhje me amandamentimin e çështjeve kushtetuese që kanë të bëjnë me ulëset e rezervuara për pakicat.

Deputeti Arsim Bajrami thotë se Pakoja e Ahtisarit e parasheh që pasi të kalojnë dy vjet nga mandati i legjislaturës aktuale, mund të kalohet nga formula e tashme 20 plus ulëset e rezervuara për pakicat të kalohet në numrin e garantuar prej gjithsej 20 ulëseve për pakicat në Kuvend.

“Kalimi nga vendet e rezervuara në ato të garantuara është zgjedhje automatike. E keni nenin ku thotë se pas dy palë zgjedhjeve pas pavarësisë, vendet e rezervuara kalojnë në vendet e garantuara. Kjo nuk negociohet, është një zgjidhje automatike dhe po qe se ky Kuvend do të shkojë më tepër se dy vjet, sa numërohet mandat i plotë, atëherë në zgjedhjet e ardhshme vendet e rezervuara kalojnë në vendet e garantuara”, thekson Bajrami.

Në anën tjetër, komunitetet pakicë bëjnë thirrje që ndryshimet e reja kushtetuese të mos prekin të drejtat e tyre.

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, nga komuniteti serb, thotë se numri i ulëseve në Kuvend dhe Qeveri, nuk guxon të preket me ndryshimet e reja kushtetuese.

Sllobodan Petroviq

Konsideroj se me vendet e garantuara në Kuvend dhe institucionet tjera të Kosovës do të përmirësohej përfshirja shoqërore dhe komunikimi me organin më të lartë - Kuvendin”, thotë Petroviq, duke nënvizuar se nëse nuk ruhen vendet por pakicat, rruga e Kosovës për në Evropë vetëm sa do të zgjatej edhe më shumë.

Përmbyllja e ndryshimeve kushtetuese mund të plotësohet edhe me amendamentet që kanë të bëjnë me praninë ndërkombëtare, duke iniciuar kështu fundin e pavarësisë së mbikëqyrur.

Megjithatë, për ngarkimin e kësaj pune Komisioni, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës do të duhet të dakordohen fillimisht me praninë ndërkombëtare dhe Grupin Ndërkombëtar Mbikëqyrës për Kosovën.

Lexoni edhe këto:
Nevoja për ndryshime kushtetuese
Kosova drejt sistemit presidencial
Lehtësim apo ngatërrim?

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG