Ndërlidhjet

Kosova drejt sistemit presidencial


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, ku edhe gjendet zyra e presidentes
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, ku edhe gjendet zyra e presidentes
Me ndryshimet Kushtetuese, Kosova po bëhet një Republikë Presidenciale, thonë ekspertët e çështjeve kushtetuese-juridike. Ndonëse te partitë politike ekspertët vërejnë se ka një gatishmëri për një sistem të përzier presidencial-parlamentar, sipas tyre, zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, megjithatë, do të krijojë raporte të reja ndërmjet institucioneve.


Ndryshimet e filluara kushtetuese e çojnë Kosovën kah një sistem gjysmë presidencial, thonë ekspertët e çështjeve kushtetuese-juridike.

Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës tashmë ka hartuar planin e vet të veprimit, në bazë të të cilit brenda nëntë muajve para Kuvendit do të mund të paraqiten për miratim amendamentet e ndryshuara kushtetuese, si dhe dy ligje që do të burojnë nga këto ndryshime.

Kryetari i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës, deputeti Arsim Bajrami, thotë se procesi i punës në komision është ndarë në tri faza.

Arsim Bajrami

“Puna e komisionit është ndarë në tri faza; faza e parë do të merret kryesisht me identifikimin e çështjeve që do të jenë objekt i ndryshimeve kushtetuese. Faza e dytë do të përfshijë draftimin apo përgatitjen e amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe draftimin e Ligjit për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Dhe, faza e tretë ka paraparë një debat publik me të gjithë komponentët e shoqërisë kosovare, duke përfshirë shoqërinë civile, komunitetin akademik dhe institucionet tjera relevante”,
thotë Bajrami.

Aktualisht, Kosova është një Republikë Parlamentare, por me sistem të përzier. Me ndryshimet që priten, sidomos me zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli, presidenti do të marrë edhe kompetenca shtesë, që e bën sistemin gjysmë-presidencial apo presidencial, varësisht thellësisë së ndryshimeve që në fund do të aprovohen.

Deputeti Arsim Bajrami thotë se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit krijon një raport të ri ndërmjet institucioneve të Kosovës.

Me zgjedhjen e drejtpërdrejtë, në fakt, ky ndryshim do të jetë në pajtim edhe me konceptin e Kushtetutës. Natyrisht që ne do të shohim edhe kompetencat e disa organeve, sepse zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do t’i reduktojë kompetencat e Kuvendit të Kosovës, ngase Kuvendi më nuk do të ketë kompetenca që të merret as me zgjedhjen, as me shtrimin e përgjegjësisë së presidentit të Kosovës dhe do të krijojë një raport të ri të pushteteve”, thekson Bajrami.

Duke u ndërlidhur në ndryshimet kushtetuese të iniciuara nga Kuvendi, eksperti i çështjeve kushtetuese-juridike, Riza Smaka, thotë se te disa parti politike ka dilema nëse Kosova duhet të jetë një vend presidencial.

Të gjitha gjasat janë që do të shkojmë në një sistem presidencial, ndoshta jo krejt të pastër kështu, por presidencial-parlamentar.
Por, ai personalisht mendon se do të duhej të ishte pikërisht me një sistem të tillë.

“Të gjitha gjasat janë që do të shkojmë në një sistem presidencial, ndoshta jo krejt të pastër kështu, por presidencial-parlamentar. Sistemi presidencial do të ishte shumë i përshtatshëm për Kosovën”.

“Ne jemi një vend i vogël dhe dua të them se pa kurrfarë problemi në procedurë do të zgjidhej personaliteti meritor, do të kishte autoritet, legjitimitet dhe do të mbivihej mbi partitë politike që janë shumë problematike në vendin tonë, mbi liderët e tjera e tjera”
, thotë Riza Smaka.

Zgjedhja e presidentit nga populli do të ishte në favor edhe të evitimit të krizave institucionale në të ardhmen, vlerëson profesori Riza Smaka, duke besuar se ndryshimet do të jenë më rrënjësore sesa që po paraqiten aktualisht.

“Do të eliminoheshin krizat e mundshme. E tash kjo implikon edhe një varg të ndryshimeve e plotësimeve të dispozitave që i referohen presidentit. Ka vend në Kushtetutën tonë për t’u bërë ndryshime esenciale, prej fillimit aty ka formulime të paqarta dhe me dy kuptimësi
”, vlerëson Smaka.

Me ndryshimet kushtetuese, parashihet që presidenti të jetë një autoritet plotësisht i pavarur. Ai do të jetë simbol i unitetit si dhe do të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve.

Lexoni edhe këtë:

Lehtësim apo ngatërrim?

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG