Ndërlidhjet

Kosova larg kritereve të BE-së


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova mbetet shumë larg përmbushjes së kritereve të kërkuara nga BE-ja, u tha në një debat të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me rastin e publikimit të raportit “Kriteret e BE-së mbi luftën kundër korrupsionit: Matja e progresit të Kosovës”.

Sipas panelistëve, një nga problemet kryesore në këtë drejtim mbetet lufta kundër korrupsionit.

Në raport thuhet se gjyqësori, legjislatura, dhe administrata publike, janë tri fushat që konsiderohen si komponentët kryesorë për promovimin e masave kundër korrupsionit dhe qeverisë së mirë.

Për këto çështje, Esat Mazreku, udhëheqës i projektit për monitorimin e përparimeve në luftën anti-korrupsion (CIMAP), tha se, aktualisht, pengesa më e madhe në vend është mungesa e integritetit institucional.
Rasti i gjyqësorit është, po ashtu, shqetësues, sepse nuk ka arritur që të garantojë edhe të dëshmojë para opinionit edhe para ligjit që është i aftë të garantojë zbatimin e ligjit në Kosovë.



Sektori, i cili ka më së shumti vështirësi në këtë drejtim, është administrata publike, pa dyshim. Kemi një administratë që është në fazën e hershme të zhvillimit të saj dhe të pjekjes. Kjo përbën një problem të madh, sepse administrata është pjesa më e prekshme për qytetarin. Rasti i gjyqësorit është, po ashtu, shqetësues, sepse nuk ka arritur që të garantojë edhe të dëshmojë para opinionit edhe para ligjit që është i aftë të garantojë zbatimin e ligjit në Kosovë”, tha Mazreku.

Ai theksoi se gjatë hulumtimeve për përpilimin e raportit, janë identifikuar edhe probleme të tjera, si për shembull nivele të ulëta dhe jo të rregullta të qasjes në informata, aplikim joefektiv i detyrimeve për deklarimin të pasurisë, ndërhyrje politike në përgjegjësitë dhe operimet institucionale, si dhe kushte të dobëta të punës për gjyqtarët, stafin legjislativ dhe shërbyesit civilë.

Sipas Mazrekut, aktualisht, në vend ekzistojnë mangësi serioze institucionale që komprometojnë zbatimin e ligjeve dhe politikave në Kosovë.

Kemi një boshllëk të ligjeve, mes ligjeve dhe zbatimit të tyre në praktikë, i cili vështirë se do të mbushet brenda një kohe të shkurtër. Ky raport ka arritur që në një masë të matë shkallën e implementimit të ligjeve për tre sektorët më të rëndësishëm të shtetit që janë administrata, gjyqësori dhe legjislatura”, deklaroi Mazreku.

Në debatin e organizuar nga KDI-ja, përfaqësues të partive politike opozitare dhe përfaqësues nga shoqëria civile, shfaqën mendime të ndryshme për vullnetin politik në luftën anti-korrupsion.

Anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, tha se korrupsioni në Kosovë ka arritur në masë kaq të madhe pasi mungon vullneti politik i institucioneve për ta luftuar atë.

Melihate Tërmkolli

Nuk është se na mungon shumë infrastruktura ligjore. Por, ajo që duhet të them gjithmonë ka qenë dhe mbetet esenciale vullneti politik për luftimin e korrupsionit. Do të thotë, po të ketë vullnet të mirëfilltë politikë, korrupsioni do të zvogëlohet”, theksoi Tërmkolli.

Nga ana tjetër, avokati Dastid Pallaska u shpreh ndryshe:

Vullneti politik ekziston. Problemi në luftën kundër korrupsionit është faktori njeri, jo vetëm në formën e gjyqtarëve, prokurorëve e hetuesve që merren me këto çështje, por edhe qytetarëve që hezitojnë për të shkuar dhe denoncuar dikë formalisht në Polici, në Prokurori apo më e rëndësishmja në Gjykatë. Të gjithë hezitojnë, sepse ata shikojnë një interes më të përgjithshëm, edhe synojnë që problemet e tyre t’i kryejnë përmes një sistemi shumë të sofistikuar të kontributeve më të mira”.

Pallaska përmendi ndërtimin e objektit të Pallatit të Drejtësisë, si një nga shenjat që, sipas tij, dëshmon përkushtimin politik për ta luftuar korrupsionin.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e zonjës Tërmkolli, e cila tha se ndërtimet e objekteve janë të pamjaftueshme.

“Nuk mjafton ndërtimi i objekteve dhe nuk mjafton rritja e pagave të gjyqtarëve, kur ata gjyqtarë janë nën ndikimin e politikës. Unë kam dërguar një lëndë në gjykatë për vjedhjen ose avullimin e një milion eurove. Dhe, këta gjyqtarë kanë thënë se lënda është pa objekt dhe kanë mbetur ashtu të pandëshkuar për shkak të ndikimit të plotë të qeveritarëve, që atëbotë kishin fuqinë e ‘kallashave’. Më falni se dua të jem e hapur, po thjesht ajo lëndë ka mbetur si e tillë”, tha Tërmkolli.

Në rekomandimet kryesore të raportit të debatuar, rëndësia më e madhe i kushtohet eliminimit të ndërhyrjes politike në organet e pavarura.


Lexoni edhe këto:
Burimet e korrupsionit
Korrupsioni nuk gjykohet

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG